Kulturë

S’ka “Eurovision” në Ukrainë, Britanisë i kërkohet të bëhet nikoqire

Organizatorët e festivalit evropian të këngës, “Eurovision” kanë vendosur me “keqardhje të thellë” se fituesi nuk do të mund ta organizojë atë, kështu që radha shkon te nënkampioni. Britanisë së Madhe iu ofrua mundësia që të jetë nikoqire e “Eurovisionit” për vitin 2023, pasi që organizatorët e garës erdhën në përfundim se Ukraina nuk ka mundësi që të jetë organizatore, vendim ky që e ka zemëruar qeverinë e vendit, e cila thotë se ende dëshiron të jetë nikoqire e kësaj ngjarjeje.

Ukraina fitoi këtë vit me “Stefania” të “Kalush Orchestras”, teksa shikuesit u bënë bashkë për ta votuar këtë këngë dhe për t’u solidarizuar me vendin pas invazionit rus.

Tradita udhëzon se fituesit i ofrohet mundësia që ta organizojë garën e vitit të ardhshëm. Por Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU), i cili organizon garën, ka shkruar se me “keqardhje të thellë” erdhi në përfundim se nuk do të jetë e mundur të garantojë sigurinë e kërkuar për ta mbajtur garën në Ukrainë.

Ajo ka kërkuar nga BBC-ja që ta organizojë garën e vitit të ardhshëm, pasi që Britania e Madhe ka përfunduar në vendin e dytë me “Space Man” të Sam Ryder.

Burimet sugjeruan se është larg një marrëveshjeje përfundimtare që Britania e Madhe të përfundojë si mikpritëse dhe sugjeruan që Brukseli mund të kërkojë një ofertë për organizimin e “Eurovisionit”.

Qeveria ukrainase është e pakënaqur me përfundimin e dhënë nga EBU-ja se Ukraina nuk mund ta organizojë në mënyrë të sigurt ngjarjen, gjë që nënkupton humbjen e mundësisë së madhe për ta përqendruar vëmendjen e botës në Ukrainë.

Ministri i Kulturës, Oleksandr Tkachenko, tashmë u ka dërguar organizatorëve të “Eurovisionit” një sërë vendesh ku do të mund të organizohej gara.

Ai reagoi me zemërim ndaj njoftimit të EBU-së dhe ka thënë se zhvendosja e “Eurovisionit” në Britaninë e Madhe do të minonte vendin e tij: “Ne sinqerisht fituam ‘Eurovisionin’ dhe kemi përmbushur të gjitha kushtet brenda afateve për procesin e miratimit të mbajtjes së tij në Ukrainë – kemi dhënë përgjigje dhe garanci mbi standardet e sigurisë dhe vendet e mundshme të konkursit”.

“Mbajtja e ‘Eurovisionit’ në Ukrainë, në vitin 2023, është një sinjal i fortë për tërë botën, e cila e ka përkrahur Ukrainën. Ne do të kërkojmë që ta ndryshojmë këtë vendim, sepse ne besojmë se do të kemi mundësi t’i përmbushim të gjitha obligimet, siç edhe ia kemi theksuar vazhdimisht Unionit Evropian të Transmetuesve”, ka thënë ai.

Po ashtu besohet që BE-ja është duke e shqyrtuar një tjetër ofertë, që ta zhvendosë garën e vitit të ardhshëm në Bruksel. Ceremonia do të organizohej në emër të Ukrainës si një gjest simbolik solidariteti nga “kryeqyteti i BE-së”.

Një zëdhënës i Downing Street ka thënë se ata ende shpresojnë që Ukraina do të mund ta organizojë garën, por edhe nëse do të organizohej në Britaninë e Madhe, ata do të siguroheshin që të pasqyroheshin edhe “kultura, trashëgimia dhe kreativiteti i pasur i Ukrainës, duke u mbështetur edhe në partneritetin e vazhdueshëm midis dy vendeve tona”.

EBU-ja tha: “’Eurovisioni’ është njëri ndër produksionet më komplekse televizive në botë, ku punojnë dhe marrin pjesë me mijëra njerëz dhe për të cilin duhen 12 muaj kohë përgatitore”. Sipas EBU-së, pas një hetimi të gjatë, garancia e kërkuar nuk mund të jepej nga transmetuesi publik i Ukrainës dhe shprehu “trishtim dhe zhgënjim” që gara e vitit të ardhshëm nuk do mund të mbahej në Ukrainë. “Si rezultat i këtij vendimi, në përputhje me rregullat, dhe për të siguruar vazhdimësinë e ngjarjes, EBU-ja tani do të fillojë diskutimet me BBC-në, si nënkampion i këtij viti, për të organizuar “Eurovisionin” e vitit të ardhshëm në Britaninë e Madhe.

“Synimi ynë kryesor është që fitorja e Ukrainës të reflektohet në shfaqjen e vitit të ardhshëm. Në diskutimet tona me nikoqirët e ardhshëm, ky do të jetë një prioritet për ne”, shkruhet në komunikatë.

Për herë të fundit Britania ka qenë nikoqire e “Eurovisionit” në vitin 1998, kur fitoi me “Shine a Light” të Katrina dhe “The Waves”. Organizimi i “Eurovisionit” është sfidë logjistike dhe financiare dhe mund të jetë provë për BBC-në, që po përballet me shkurtime financiare.

Një zëdhënës i BBC-së ka konfirmuar se transmetuesi ishte në bisedime për organizimin e ngjarjes.

Nëse BBC pranon të jetë nikoqire, qytetet e ndryshme të Britanisë së Madhe do të shprehin interesim të madh për ta organizuar këtë garë. Ditët e fundit është spekuluar se “OVO Hydro Arena” në Glasgow me kapacitet prej 14,000 ulësesh mund të jetë vendi ku do të organizohet “Eurovisioni”, bazuar në përmasat e tij. Manchester, Londra dhe Leeds gjithashtu shprehën interesimin e tyre të premten.

Megjithatë, BBC ende nuk ka rënë dakord ta organizojë garën, teksa burimet thonë se është shumë herët për të filluar spekulimet mbi vendet e organizimit.

Vlerësimet për shpenzimet e organizimit të konkursit ndryshojnë, ani pse ka mundësi që BBC-ja do të ketë nevojë të grumbullojë pakon shpenzuese me mbështetjen e qeverisë.

Organizimi i “Eurovisionit” të këtij viti, i mbajtur në Torino, kërkoi miliona euro financime nga pushteti lokal, përveç parave të gatshme nga shteti italian. Megjithatë, konkurrenca tërheq dhjetëra mijëra turistë në qytetin pritës, gjë që nxit ekonominë lokale.

Hera e fundit kur vendi fitues i “Eurovisionit” nuk arriti ta bënte organizimin e tij ishte viti 1980, kur transmetuesi kombëtar i Izraelit hodhi poshtë mundësinë për të marrë pjesë për arsye financiare.

Marrë nga “The Guardian”. Përktheu: Mirjetë Sadiku