“Prizreni tenderon teleferikun pa pëlqimin e autoriteteve të trashëgimisë kulturore”

“Prizreni tenderon teleferikun pa pëlqimin e autoriteteve të trashëgimisë kulturore”

21 July 2017 12:20

Organet kompetente të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve kanë refuzuar projektin ideor të paraqitur nga Komuna e Prizrenit për ndërtimin e infrastrukturës për qasje në Kalanë e Prizrenit, njofton kumtesa, transmeton Koha.net .

Ngjashëm ka vepruar edhe Këshilli i Trashëgimisë Kulturore për Qendrën Historike të Prizrenit. Pavarësisht nga ky fakt, Komuna e Prizrenit është në realizim e sipër të procedurave tenderuese për këtë projekt.

Në bazë të informatave që EC Ma Ndryshe i ka marrë nga organet kompetente të MKRS-së del se Komisioni për Shqyrtimin dhe Vlerësimin e Kërkesave dhe Projekteve Restauruese-Konservuese të Trashëgimisë Kulturore/IKMM ka rekomanduar refuzimin e projektin ideor për ndërtimin e infrastrukturës qasje në Kalanë e Prizrenit. "Refuzohet projekti ideor - Ndërtimi i infrastrukturës për qasje në Kalanë e Prizrenit, pasi që i njëjti është në kundërshtim me kushtet e përgjithshme të dhëna nga IAK-u, si dhe në kundërshtim me Ligjin Nr.02/L-88 për Trashëgiminë Kulturore", thuhet në rekomandimin e Komisionit të lartpërmendur.

Edhe KTK për Qendrën Historike të Prizrenit në rekomandimin e vet ka shkruar se "Këshilli nuk e jep pëlqimin për projektin ideor - ndërtimi i infrastrukturës për qasje në Kalanë e Prizrenit, sepse është në kundërshtim me kushtet e përgjithshme të dhëna nga IAK-u, si dhe në kundërshtim me Ligjin Nr.02/L-88 për Trashëgiminë Kulturore".

Ndërkohë në Portalin e Prokurimit Publik të Kosovës figurojnë njoftimet përkatëse të Komunës së Prizrenit për “Ndërtimin e teleferikut për qasje më të lehtë në Kalanë e Prizrenit”, ku shkruan se vlera e parashikuar e kontratës është 3 milionë e 470 milionë euro.

Duke qenë se bëhet fjalë për një projekt kapital të rëndësisë së veçantë dhe me kosto të konsiderueshme, që zhvillohet në Qendrën Historike të Prizrenit, ku pikënisja e teleferikut është në lagjen e Marashit dhe pikëmbarimi në cepin verior të Kalasë, EC Ma Ndryshe kërkon nga Komuna e Prizrenit që të mos ndërmerr ndonjë hap të ngutshëm apo të njëanshëm në këtë drejtim, qoftë edhe në prokurim, dhe ti respektoj të gjitha kërkesat ligjore që vijnë nga institucionet kompetente të trashëgimisë kulturore.

EC Ma Ndryshe gjithashtu përkujton se neni 4, pika 14 e Ligjit të Trashëgimisë Kulturore përkufizon se “cilado ndërhyrje qё ndikon nё tërësinë ose vlerat e trashëgimisë kulturore kërkon leje të shkruar nga Institucioni kompetent”. Edhe dispozitat e Ligjit për Qendrën Historike parashohin që Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve sipas legjislacionit për trashëgiminë kulturore, ta jep pëlqimin ose ta refuzoj kërkesën për projekt.

Për këto arsye, EC Ma Ndryshe rekomandon Komunën e Prizrenit që para se të ndërmarrë çfarëdo hapi lidhur me projektin e ndërtimit të infrastrukturës për qasje në Kalanë e Prizrenit t’i përmbush obligimet që dalin nga legjislacioni për trashëgiminë kulturore respektivisht të koordinohet me autoritetet e trashëgimisë kulturore për marrjen e pëlqimeve të nevojshme për zbatimin e projektit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme