Në koncertin “Piano Podium” ata që nga partiturat kapërcyen deri te tastet ishin studentët e Kosovës dhe të Shqipërisë, duke dhënë mesazhin e potencialit të muzikantëve të rinj dhe bashkëpunimin artistik ndërshtetëror. U nderua edhe kompozitori i famshëm shqiptar, Çesk Zadeja, në 95-vjetorin e lindjes së tij, pikërisht nëpërmjet veprës “Koncert për piano dhe Orkestër”
Reflektorët e dritave, për dallim nga çdo koncert tjetër të edicionit të 12-të të “Chopin Piano Fest” nuk binin veç mbi një instrument, por mbi dy pianot që qëndronin përballë njëra-tjetrës. Ato ishin aty për të sjellë atë që i mungon skenës muzikore klasike në vend: interpretimet me piano duo.
Ndërkaq, pikërisht ata që nga partiturat kapërcyen deri te tastet ishin studentët e Kosovës dhe të Shqipërisë, duke dhënë mesazhin e potencialit të muzikantëve të rinj dhe bashkëpunimin artistik ndërshtetëror.
“Piano Podium” s’mbeti me kaq, por si koncert për piano dhe orkestër në interpretim me dy piano, erdhi edhe si kujtim për Çesk Zadenë, në 95-vjetorin e lindjes së tij. Si mikpritje për studentët e ardhur nga Universiteti i Arteve në Tiranë u shënua edhe 60-vjetori i themelimit. Kjo u bë nëpërmjet një programi nëpër veprat e kompozitorëve më të famshëm ndërkombëtarë, por edhe të njërës prej krijimeve të kompozitorit të shquar shkodran.
Lisa Sahatçiu, Triumf Arllati, Vlera Kryeziu, Sindi Zdrava, Era Haliti, Arbëresha Shehu, Hepi Kajca ishin solistët të cilët u përcjellën nga tingujt pianistikë të Melos Buzës, Pranvera Hoxhës, Hepi Kajcës, Leufat Buçukut dhe Sindri Zdravës.
Mbrëmja muzikore e së premtes nisi me veprat e Chopinit “Nocturno op.48, nr.1” dhe “Etude op. 25 nr.11”, si krijimet më të famshme të tij, të cilat erdhën nga pianistja Lisa Sahatçiu. Fituesja e çmimit “Chopin Piano Fest Prishtina Prize” e vitit të kaluar performoi e vetme në skenë, teksa ishte paraparë që të performonte mbrëmjen e së shtunës, por plani kishte ndryshuar.
Ndërkaq, rrugëtimi nëpër duo piano nisi me “Koncerti për piano dhe orkestër harkore d-mol, nr.1. BW 1052 (Koha e I)” nga Bachu, e cila tingëllonte si një lojë pianistike në ikje, por që në çdo pjesë ndihej harmonia mes Arllatit dhe Buzës në performim. Për këtë vepër në fillim është besuar se është transkriptim i një koncerti të humbur për një instrument tjetër. Whilhelm Rust, Philip Spitta e shumë studiues hodhën tezën e tyre se ishte violina, por që kërkimet e Christoph Wolffit dhe Gregory Butlerit dhanë përfundimin se destinimi i krijimit ishte për organo dhe orkestër.
Me minimalizmin e njërës pjesë dhe dramacitetin gjithnjë në rritje të tjetrës, e pastaj me ekuilibrimin e të dy anëve, “Koncerti për piano dhe orkestër nr.3 – C mol (Koha I)” nga Beethoveni, që ka fillet nga 1804 besohet të jetë dedikim për princin Louis Ferdinand i Prusisë, si vepër e ndarë në tri pjesë.
Nga veprat e kompozitorit e pianistit norvegjez u luajtën “Koncerti për piano dhe orkestër a – mol, (Koha I)” dhe “Koncerti për piano dhe orkestër, a – mol – Koha III” si koncerti i vetëm i kompletuar, e që është dëshmi e interesimit të tij për muzikën popullore norvegjeze.
Qetësi e butësi jehoi një nga koncertet më të famshme pianistike të kompozitorit Saint Saens, “Koncert për piano dhe orkestër nr.2, g – mol, Koha I”, e cila cilësohet se ka liri në ritëm, e që nis me tinguj të shpejtë, ngadalësohet dhe vazhdon për t’i ngjarë një simfonie me katër lëvizje, por që i mungon pjesa e parë.
Ndërkaq pas kalimeve nëpër krijimet ndërkombëtare, motive vendore solli vepra e Çesk Zadesë “Koncert për piano dhe Orkestër”, e cila erdhi për nder të 95 -vjetorit të lindjes së tij, e që ishte me motive diku të gëzueshme, diku më të qeta.
Për solisten e kësaj vepre, studenten nga Universiteti i Arteve të Tiranës, Hepi Kajca, performimi i një vepre të Zadesë përbën përgjegjësi më vete.
“Është ndjesi shumë e bukur në çfarë kohe kanë qenë ato, të risjellësh ndjesitë dhe ato eksperiencat që kanë pasur. Flasim për kompozitorët para nesh që kanë qenë goxha në emër, u ndjeva e nderuar që m’u dha shansi që ta luaja”, ka thënë ajo.
Tutje ai vazhdoi të përmendë se vepra ka detaje përbrenda vetes, të cilat sipas saj mund t’i kuptosh veç kur hyn në thellësi të saj.
“Deri diku është bërë me nder, ishte si rikujtim për të”, ka thënë ajo.
Kolegia e saj që e shoqëroi dhe që ishte edhe soliste e veprës së Griegit, ka thënë se kjo është hera e parë e performimit në Kosovë.
“Si vend e kemi vizituar edhe më parë, por jemi për herë të parë në këtë festival. Ishte shumë prestigjioz si festival, shumë i bukur”, ka thënë Sindi Zdrava.
Ka pranuar të ketë marrë ndjesi të mira nga mikpritja e duartrokitjet e publikut kosovar.
Studentja në master e Fakultetit të Muzikës në Universitetin e Prishtinës, Arbëresha Shehu, e ka cilësuar “Chopin Piano Festin” si festivalin më të mirë në Kosovë.
“Luajtja ishte më ndryshe për arsye se supozohet të luhet me orkestër, por sonte ishte me dy piano dhe kjo ka qenë diçka e re dhe shumë atraktive”, ka thënë ajo.
Vazhdon të pranojë se mikpritja e publikut është gjithmonë e ngrohtë, ndërkaq e mirëpret bashkëpunimin me pianistët nga Shqipëria.
“Mendoj që është shumë e rëndësishme shkëmbimi i eksperiencave, luajtja në salla të ndryshme. Këtë herë kanë ardhur në Kosovë dhe pse jo edhe ne të performojmë në Shqipëri”, ka thënë ajo.
Për profesoreshën universitare, Pranvera Hoxha, koncertin “Piano Podium” e bën të veçantë fakti se solli atë që i mungon skenës kosovare, prezencën e piano duos.
“Ishte një mbrëmje e veçantë duke pasur parasysh që ishte komplet e dedikuar me vepra koncert për piano dhe orkestër , skena ishte me dy piano. Në njërën luanin studentët të cilët ishin solo, e në anën tjetër ne si piano 2 e zëvendësuam komplet orkestrën”, ka thënë ajo.
Hoxha ka potencuar se bashkëpunime të tilla i bëjnë studentët të shohin punën e universiteteve, zhvillimin e talenteve dhe të inspirohen nga njëri-tjetri.
“Veprat e tjera që u luajtën nga studentë janë shumë të njohura për orkestër, janë luajtur kohë pas kohe me Filharmoninë e Kosovës, janë vepra që kanë kërkesa të mëdha pianistike. Një student për t’i zotëruar ato duhet të jetë shumë i mirë teknikisht, muzikalisht, t’i përgjigjet edhe bashkëpunimit mes dy pianove, e ka edhe sfidat e veta për shkak që kërkohen prova intensive bashkë”, ka thënë Hoxha.