Kulturë

“Rrushja” dëshmon krimet ndaj grave nëpërmjet ditarit të paramilitarit serb

Zanafilla e romanit “Rrushja” është një histori më vete. Ajo që shtjellohet në këtë vepër letrare me frakturë dokumentare, një tjetër. Jusuf Buxhovit do t’i binin në dorë shënimet e një paramilitari serb e tek to e gjen bazën romani që bëhet dëshmi e grave të dhunuara. Shënimet e lëna si testament për krime njerëzore rrëfejnë se si kishin filluar ngjarjet, për të vazhduar edhe pas luftës. Sipas Buxhovit, ky lloj krimi në Kosovë është dhunim i trefishtë: së pari njerëzor, së dyti moral dhe së treti dhunim shoqëror. Për këtë të fundit, fajëson elitën politike në Kosovë

Shënimet e një paramilitari serb janë dëshmi e gjallë për dhunimet e grave gjatë luftës në Kosovë. Blloku personal i tij, që shpërfaq krimet e shumëfishta, do të binte në dorë të shkrimtarit e historianit Jusuf Buxhovi, i cili më shumë se 23 vjet pas krimeve që gjëllijnë në ato shënime, do t’i jepnin frymë veprës letrare me frakturë dokumentare.

Dhunuesi dhe dëshmitari i krimit janë i njëjti personazh në romanin “Rrushja” të Buxhovit. Dëshminë e personazhit real e la në gjysmë vrasja misterioze e tij në Suedi.

“Këto nuk janë shkrimet e mia”, është fjalia me të cilën nis romanin e tij shkrimtari Buxhovi, për ta bërë rrëfimin e tij edhe më bindës, të cilin e vendos në një bujtinë buzë liqenit në Dushkajë të Pejës, ku edhe kishte pranuar dëshmitë. Shënimet e ditarit ia kishte lënë pronarit të bujtinës, një mysafir që kishte qëndruar aty për tridhjetë ditë dhe që kishte kërkuar vrasës, për të vrarë, ose për t’u vrarë. Ditën e tridhjetë të qëndrimit në bujtinë, kishte njoftuar për vrasjet e përbashkëta që nuk mund të merret me mend dhe e lë një zarf të mbyllur me porosinë si shkrime nga autori “Hiç-hiçi”, për t’u shpërndarë në internet. Shënimet e lëna si testament për krime njerëzore rrëfejnë se si kishin filluar ngjarjet, për të vazhduar edhe pas luftës. Sipas Buxhovit, ky lloj krimi në Kosovë është dhunim i trefishtë: së pari njerëzor, së dyti moral dhe së treti dhunim shoqëror. Për këtë të fundit, fajëson elitën politike në Kosovë.

“Kanë dashur ta ndërtojnë diskursin e fitimtarëve dhe jo të viktimave. Ne nuk kemi qenë fitimtarë, kjo është e vërteta”, ka thënë ai.

Romani është retrospektivë e shumë ngjarjeve, vrasjeve që kishin ndodhur, që zanafillën e kanë në arsye dhe shkaqe për të mbetur misterioz. Shkrimtari Jusuf Buxhovi vë në pah të përjetuarat e të pathënat e mijëra grave të dhunuara në Kosovë, me dëshmitë që e futën indirekt në ngjarje, nëpërmjet burimeve të NATO-s.

“Është ditari i një dhunuesi, i cili është siguruar nga disa burime të NATO-s. Personi që ka shkruar ditarin ka qenë pjesë e ekipeve që kanë marrë pjesë në dhunimin e femrave në një fabrikë afër Gjakovës. Ata e kanë larguar nga vendi, në Suedi ka dhënë dëshmi të shumëfishta, mua më kanë ardhur disa mesazhe të tyre. Është e çuditshme pasi ai është vrarë në mënyrë të mistershme”, ka thënë ai.

Buxhovi portretizon fatin e grave kosovare nëpërmjet personazhit fiktiv, Rrushes. Rrëfimi i pjesës së parë “Libri i kujtesës” fillon me jetën e familjes së Rrushes, babai i së cilës është mësues, për t’u kthyer në të burgosur e të dënuar për veprimtarinë e tij patriotike. Më saktë, për pikëpamjet e mësuesit për bashkimin kombëtar të Kosovës dhe Shqipërisë. Aty shpaloset jeta e vështirë e Rrushes, të cilën e përcjell fati i babait. Ajo dënohet për shumë vjet me burgim për pjesëmarrje në demonstratat ndaj agresorit. Jeta e saj kalon nëpër ngjarje të padëshiruara, që përkundër përpjekjeve, e shtyjnë drejt rrugës plot tortura, që fati i keq e takon me Zekën e Zi, personazhin me tipare, sjellje e qëndrim negativ, nga i cili fillojnë shpifjet e vrasjet. Buxhovi e përshkruan si personazhin që hamendësonte se kishte aftësi magjike, me ngarkesë të brendshme që përherë e bënte të pakënaqur, të mbyllur dhe refuzues ndaj çdo të mire. Si burim i së keqes, Zeka i Zi vret shokun e tij më të afërt të fëmijërisë me arsyetimin se ishte bashkëpunëtor i armikut. Këto rrethana qëllimisht e sjellin Rrushen para vetëvrasjes për ta shpërfaqur Zekën si “hero”, e për t’u martuar me të. Prapë se prapë, ai vendos të kthehet në njeriun e padashur kur Rrushen e vret dhe i vë zjarrin shtëpisë për të mos lënë asnjë gjurmë, sikur bëri kur vrau edhe shokun e tij. Ngjarjet e tjera, autori i vendos për jetën e tij në vende të tjera të Evropës, lidhur me vrasjet që zhvillohen në vazhdimësi dhe arrin deri në kthesën që Rexhës dhe Rrushes i ngrihen përmendore.

Gjatë luftës, dy fabrika elektroindustriale, njëra në afërsi të Gjakovës dhe tjetra afër qytetit të Skenderajt, për paramilitarët serbë kishin shërbyer si “qendra dhunimi”, me programin serb për të ndryshuar kodin gjenetik duke krijuar pasardhës me baballarë serbë dhe të preket morali i popullit në Kosovë. Autori vlerëson se me heshtje, Serbisë i është kryer një shërbim i madh.

“Unë kam dashur ta trajtoj temën e dhunimit të femrave në luftë, një temë tepër tragjike. Kemi rreth 20 mijë femra të dhunuara të cilat OKB-ja dhe UNMIK-u i kanë të regjistruara, por është shumë interesante sesi politika jonë i ka anashkaluar dhe ka dashur që ato të mos jenë pjesë e diskursit, sepse nëse do të ishin, lirisht mund të thuhet se do të binte fuqia e çlirimtarëve. Kjo ia ul peshën vetëmashtrimit që ka dominuar në politikë dhe që po ia shohim sherrin, pasi Serbia gati është amnistuar nga një krim i rëndë kundër njerëzimit”, ka thënë autori, derisa krijimtarinë e tij e konsideron si dimension që ndërlidh faktet historike në libër të cilat kthehen në fakte njerëzore.

Historiografinë e ndan nga letërsia për nga diskursi dhe pozicionet. “Heronjtë edhe tradhtarët janë të përkohshëm, ata iu nënshtrohen zhvillimeve dhe kushdo që vjen në pushtet e krijon heroin, tradhtarin dhe armikun e tij. Ndërkohë në letërsi, monumentet janë të përhershme”, ka thënë Buxhovi duke distancuar dy profesionet e tij. Për të, realitetet jetësore janë të përhershme nëse ai arrin nivelin artistik.

Libraria “Dukagjini” u bë qendër e temës së librit “Rrushja”, i cili u promovua të enjten pasdite me prezencë të publikut e bashkëpunëtorëve. Shkrimtari Nazmi Rrahmani, njëherësh botues në shtëpinë botuese “Faik Konica”, e ka vlerësuar karakteristike temën e librit të bazuar në ngjarje të vërtetë.

“Karakteristikë e pjesës më të madhe të veprës letrare të autorit është se ajo pikënisjen e ka nga ngjarja aktuale e kohës së luftës. Buxhovi e merr si temë kryesore dhe trajton ngjarjen jo shumë të largët që ka ndodhur dhe ka zgjuar kureshtjen e opinionit dhe janë folur e përfolur, por kanë mbetur enigmatike dhe misterioze, siç janë disa vrasje e vetëvrasje enigmatike”, ka thënë Rrahmani, i cili është edhe redaktor i librit “Rrushja”.

Në ngjarjen e së enjtes u rikujtua se versioni në gjuhën angleze i veprës trevëllimëshe “Kosova” të Jusuf Buxhovit, është futur në listën e pasur të librave në Universitetin e Harvardit, si dhe është pranuar nga Instituti i Historisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Për këtë ka folur Ramiz Tafilaj nga shtëpia botuese në Houston, “Jalifat Publishing”, duke theksuar se me këtë historia e Kosovës po del në pah dalëngadalë.

Në përurimin e “Rrushes” është paralajmëruar edhe vepra e radhës e Buxhovit me titull “Epiri”.

“Çdoherë kur profesori Buxhovi vjen me një roman sikurse ‘Rrushja’ apo ndonjë tjetër, atëherë e kam shumë të qartë se pritet edhe një vepër tjetër shumë e rëndësishme pas saj të vijë, sepse ky e gjen këtë si një mënyrë argëtimi për të sjellë librin tjetër”, ka thënë botuesi Tafilaj.

Para se të promovohet, ndër të parët persona që morën në dorë librin “Rrushja” ishte edhe shkrimtari Esat Dujaka, i cili ka thënë se historia e librit e ka tërhequr aq shumë, sa e ka shtyrë që atë ta lexojë për dy ditë.

“Një rrëfim që të merr me vete dhe është e vështirë të ndalesh, ngase është temë e paprekur në letërsinë tonë nga e kaluara jonë jo e largët, që flet për një plagë dhe trajton një temë të ndjeshme, që flitet pas shumë vjetësh nga gratë të cilat janë frikësuar se po u ik fytyra, por Buxhovi e ka trajtuar me pjekuri dhe në mënyrë mjaft kreative”, ka thënë ai.