Mungesa e ligjit për muzetë është çështje e diskutuar tash e sa vjet, por përditë e më shumë institucionet muzeore numërojnë pasojat. Pa ligj mbetet i parregulluar themelimi i muzeve, përderisa ato ekzistuese kanë telashe të tjera. U mungon organogrami dhe jo vetëm. Kur krejt këto bëhen bashkë, muzetë mbesin larg publikut e nuk tërheqin dot vizitorë, s’janë interaktivë e gjithëpërfshirës.
“Dekolonializimi i artefakteve. Demokratizimi i muzeve”, ka qenë tema e panelit organizuar prej “Fondacionit 17” në kuadër të programit TECHNE, i mbajtur të martën në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës.
Alisa Gojani, kuratore në Muzeun Kombëtar të Kosovës, ka thënë se institucionit ku ajo punon i mungon organogrami, që do të thotë se këto institucione janë pa një ligj, i cili i specifikon rregullat e caktuara në bazë të së cilave duhet të punojnë apo të bëjnë organizime punëtorët e muzeve. Mungesa e tyre, përveç vështirësive të ndryshme, ka bërë që aty të punësohen njerëz të panevojshëm e ndërkohë të mungojnë ata të nevojshmit.
“Tek ne mungon struktura organizative, organogrami për të cilin ka shumë nevojë, e madje një gjë e tillë është e domosdoshme edhe kur bëhet fjalë për punësim. Pa organogram janë hapur pozita, të cilat edhe nuk kanë qenë të nevojshme dhe kanë krijuar mungesa në personel”, ka thënë ajo në panelin e moderuar nga gazetari i KOHËS, Shaban Maxharraj.
Sipas saj, hartimi i ligjeve do t’i kishte ndihmuar muzetë e Kosovës, ndër të tjera, edhe për krijimin e programeve të ndryshme, të cilat do ta kishin zgjuar edhe më shumë interesimin e qytetarëve.
muzetë duhet të kenë edhe rregullore të funksionalizimit të muzeve përmes të cilave do t’u qasemi edhe më lehtë problemeve të muzeve. Është e rëndësishme të ndërtohen sa më shumë programe, të cilat rregulloret e caktuara i lejojnë. Pa to një gjë e tillë është shumë problematike dhe ne nuk kemi ku të bazohemi. Një mungesë e tillë edhe po i pengon aktivitetet e mundshme”, ka thënë Gojani.
Zana Rama, arkeologe e Institutit Arkeologjik të Kosovës, ka thënë se muzetë kanë jo pak mungesë që nga “ekspozita që bëhen pa kuratorë” e deri te “stafi i mangët nëpër muze, ku Muzeu Kombëtar i Kosovës e ka vetëm një arkeolog”.
“Mendoj se duhet që për çdo muze ligji t’i caktojë disa kritere. Secili muze duhet të ketë një ligj se si duhet të trajtohen artefaktet, si do të ekspozohen artefaktet e ndryshme, si do të prezantohen ato. Ata po ashtu duhet të kenë laboratorë, restauratorë edhe të tekstilit, edhe artefakteve arkeologjike, por edhe hapësira”, ka thënë ajo, duke shtuar se kuptimi i muzeve duhet të ndryshojë. Institucionet muzeore, sipas saj, duhet të jenë më të hapur karshi prezencës së qytetarëve, sepse një gjë e tillë do të ndikonte edhe në edukimin dhe vetëdijesimin e tyre.
“Deri vonë trashëgimia kulturore ka qenë një çështje që u ka takuar vetëm ekspertëve. Ata janë marrë me të krahas aspektit shkencor, atij historik, ndërsa shoqëria është lënë anash. Tani globalisht është duke u punuar në këtë drejtim, sepse realisht shoqëria është ajo e cila edhe u jep kuptim artefakteve dhe trashëgimisë kulturore”, ka thënë Rama.
Muzeut Kombëtar të Kosovës i mungojnë edhe 1.247 artefakte të marra nga Serbia në vitet 98/99, për kthimin e të cilave nuk ka ende asnjë lëvizje.
Në temën e “dekolonializimit të artefakteve” dy panelistet kanë thënë se janë pesimiste sepse, sipas tyre, ajo është më shumë një çështje politike sesa që lidhet me punën e muzeut si institucion.
Zana Rama ka folur për konventat ndërkombëtare që e takojnë pronësinë e artefakteve.
“Artefaktet i takojnë atij vendi ku edhe janë zbuluar, atij territori. Një gjë e tillë është rregulluar edhe me anë të ligjeve shtetërore dhe me anë te konventave ndërkombëtare, të cilat kanë dalë si reagim pikërisht i shkatërrimit të trashëgimisë kulturore”, ka thënë Rama.
Paneli erdhi në kuadër të “Education +” të “TECHNE”, që përfshin seri ekspozitash dhe kontributesh ku artistët, shkencëtarët dhe krijuesit takohen si një lidhje midis teknologjisë dhe artit. Përpiqet të përafrojë artistët dhe komunitetin me një diskurs më të gjerë global mbi teknologjinë dhe inovacionin në art dhe krijimtari artistike.
Kësaj here, duke marrë shkas nga ekspozita ”Babylonian Vision” e Nora Al-Badri, e cila qëndron e hapur në Galeria 17, në kuadër të “TECHNE”, pos këtij paneli, po të martën u mbajt edhe paneli me temën “Arti dhe territoret e padefinuara digjitale”.