Fondacioni “Andy Warhol” për artet pamore ka dhuruar 350 mijë dollarë për disa organizata dhe jetën kulturore të Ukrainës, në mes të pushtimit të vazhdueshëm të këtij vendi nga Rusia.
Fondet e urgjencës do të ndihmojnë shqetësimet e menjëhershme, si sigurimi i strehimit për artistët në rrezik dhe mbrojtja e artit ukrainas, kërcënimet më ekzistenciale, sulmet ndaj lirisë së shprehjes e asaj krijuese.
“Ndërsa artistët dhe punonjësit e kulturës janë kapur në qendër të konfliktit në Ukrainë, është thelbësore të krijohen struktura mbështetëse që do t'i lejojnë ata të mbijetojnë këtë periudhë krize dhe të qëndrojnë si praktikues të kulturës”, ka thënë Rachel Bers, që udhëheq programin e fondacionit. “Këto organizata ofrojnë një kanal për fondacionin “Warhol” për të ofruar ndihmë urgjente për artistët e pavarur dhe punonjësit e kulturës që janë në rrezik ose të zhvendosur për shkak të luftës”.
Iniciativa e mbështetjes emergjente, një iniciativë e ndihmave emergjente e nisur nga drejtuesit e Bienales së Kievit, synon të adresojë nevojat themelore për artistët me mbështetje të drejtpërdrejtë, të tilla si mbulimi i kostove të zhvendosjes brenda Ukrainës dhe mbështetja e programeve të qëndrimit në Ukrainën perëndimore ku po akomodohen artistë që ikin nga ana lindore e shkatërruar e vendit.
Fondi i Urgjencës së Artit të Ukrainës, i organizuar nga OJQ-ja “Muzeu i artit bashkëkohor”, po shpërndan fonde për artistët, studiuesit, punonjësit e kulturës dhe organizatat me bazë në Ukrainë që kanë nevojë bazike, të cilat janë gjithnjë e më të vështira për t'u arritur në të gjithë vendin që po përballet me luftë. Grupi gjithashtu mbështet dukshmërinë e punës së artistëve, kuratorëve dhe studiuesve ukrainas brenda dhe jashtë vendit.
Programi “Perpetuum Mobile's Artists at Risk” me bazë në Helsinki lehtëson kalimin e sigurt të artistëve nga lufta në rezidenca në mbarë botën. Që nga fillimi i luftës në Ukrainë artistët i kanë zgjeruar operacionet e tyre për të trajtuar migrimin e paprecedentë të artistëve nga Ukraina, Bjellorusia dhe Rusia.
“Artist at Risk Connection”, një program i “PEN America”, ushtron operim të gjerë që përfshin ofrimin e ndihmës juridike, këshillave për imigracionin, grantet e urgjencës, referime për bursa dhe rezidencë e strehim për artistët e rrezikuar. ARC së fundmi lansoi Fondin Emergjent për Artistët Vizualë, i cili ofron ndihmë financiare afatshkurtra për artistët dhe familjet e tyre me grante për shpenzime bazë dhe nevoja urgjente si kujdesi shëndetësor fizik dhe mendor.
Që nga 11 maji, më shumë se 12 milionë njerëz vlerësohet të kenë ikur nga shtëpitë e tyre në Ukrainë që nga fillimi i luftës së Rusisë në shkurt, sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara. Rreth 6 milionë njerëz po përpiqen të emigrojnë në vendet fqinje, ndërsa 6.5 milionë të tjerë besohet se janë zhvendosur brenda Ukrainës. Ndërkohë artistët disidentë në Rusi dhe Bjellorusi, qeveria e të cilëve është e lidhur ngushtë me Vladimir Putinin, kanë qenë subjekt i hakmarrjes për protestat kundër luftës dhe numrin e saj marramendës të vdekjeve të civilëve.
“Lufta në Ukrainë e ka futur të gjithë vendin në një gjendje të jashtëzakonshme, duke kërcënuar sigurinë e komunitetit të arteve pamore dhe institucioneve të tij”, ka thënë Joel Wachs, presidenti i fondacionit në një deklaratë. “Fondacioni ‘Warhol’ qëndron në solidaritet me komunitetin e arteve dhe është i përkushtuar të punojë drejt sigurisë së tij, duke lehtësuar praktikën e vazhdueshme krijuese kur është e mundur”.