Kulturë

Florian Uhlig i rikthehet Prishtinës me udhëtimin dinamik në piano

Kritika e vë në piedestalin e pianistëve të ditëve të sotme, e një nivel të tillë e vulosi edhe në Prishtinë. Florian Uhlig nëpërmjet kryeveprave, i ka sjellë publikut një udhëtim brilant muzikor. “Jam shumë i lumtur, pak i lodhur, por ka qenë fantastike dhe privilegj të performoj para një numri kaq të madh të publikut”, ka thënë Uhlig, i cili para publikut kosovar kishte debutuar para 17 vjetësh

Skenën e “Chopin Piano Festit” e kanë mbërthyer tingujt e pianos me lojën e bindshme të atij që konsiderohet mjeshtër i këtij instrumenti në ditët e sotme, Florian Uhlig.Që në notat e para, ai e lë veten dhe publikun të magjepsentek depërton në thelbin e muzikës nëpërmjet kryeveprave. Duartrokitjet që nuk ndalen, e kthyen artistin gjerman nga dy e tri herë në skenën e cila tash e gati një javë ka sjellë jo vetëm emra të shquar, por edhe stile e kapituj të ndryshëm muzikorë. Atij i ka takuar nata e shtatë e këtij festivali të premten mbrëma. Deri në fund të edicionit të 12-të të “Chopin Piano Festit”, ka rezervuar edhe koncerte e net të tjera muzikore.

Publiku i dominuar kryesisht nga të rinj, pati mundësinë të përcjellë për dy orë rrugëtimin delikat të Uhligut.

Me shumëduartrokitje u prit në skenë, dhe sapo zuri vend përballë instrumentit me të cilin nisi rrugëtimin profesionalisht qysh në moshën 12-vjeçare, qetësia mbërtheu gjithë vendin dhe gjithë vëmendja u zhvendos në tingujt e artë që dilnin nga gishtërinjtë mbi piano. Sapo përfundon secilën pjesë që luan, mund të kuptohet se pianisti Uhlig nuk lëvend për komentim.

Për të dytën herë, para publikut kosovar e solli “Chopin Piano Festi”. Debutimi i tij në Prishtinë, qe këtu e 17 vjet më parë.

Pandemia i ka larguar jo pak artistë nga skena duke ua mohuar kontaktin me publikun.

“Jam shumë i lumtur, pak i lodhur, por ka qenë fantastike dhe privilegj tëperformoj para një numri kaq të madh të publikut. Kemi kaluar dy vjet shumë të vështirë gjatë COVID-19, e cila na ka bërë të pamundshme shumë projekte, por jam shumë i lumtur të kthehem në performancë të drejtpërdrejtë prapë para një publiku të vërtetë”, ka thënë Uhlig për KOHË-n. Serinë e veprave të luajtura në piano e hapi me“Night pieces” të Robert Schumann. Solli edhe Beethowenin me “Sonatë në C-major”, iu rikthye Schumannit edhe me “Intermezzi Op 8”, doli prej programit të paralajmëruar në katalog, por në esencë dëshmoi se veprat e kryekompozitorëve i zotëron mjeshtërisht. “Funeral procession”, “Strange company”, “Nocturnal revelness” dhe “Roundelaaywith solo voices” të Schumman, po ashtu i ka pasur në repertor.

Image
Për mjeshtëri pianistike, teknikë të jashtëzakonshme dhe tingull të sofistikuar, është vlerësuar Uhlig pas koncertit në Prishtinë

“Edhe kur kam qenë më parë, jam mahnitur pasi pashë artistë të rinj që merren me muzikën klasike. Është shumë e veçantë të shohësh audiencë kaq të re në këtë lloj muzike.Është e mrekullueshme”, ka thënë Uhlig teksa ka theksuar se jo shpesh i ka ndodhur që në koncerte të muzikës klasike të ketë përballë audiencë të dominuar prej të rinjve.

Rendet e ulëseve ishin mbushur të gjitha, për çka i befasuar ishte edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Joern Rohde, i cili i shkoi bashkëkombasit të tij në mbështetje gjatë performancës.

“Ishte një koncert i mrekullueshëm. Do të thosha kultura dhe muzika janë si gjithëpërfshirje. Ishte kënaqësi të shohësh shumë njerëz, mendoja se do të kishte vetëm përfaqësues artistikë dhe njerëz nga ky komunitet, por ishte organizim shumë i mirë, numri i publikut pjesëmarrës ishte mbresëlënës”, ka thënë Rohde, derisa ka vlerësuar se veprat e interpretuara nga pianisti Uhlig i përkasin gjithë botës, jo vetëm një populli.

Programin e tij për “Chopin Piano Fest”, Florian Uhlig e pasuroi edhe “Pephisto Valtz” të kompozitorit, Franz Liszt. Emri i Florian Uhlig u rendit në mesin e mjeshtërve të pianos për të marrë pjesë vitin e kaluar, megjithëse pjesëmarrja e tij u pamundësua për shkak të masave të rrepta antiCOVID të Gjermanisë gjatë periudhës prill-maj 2021.

“Chopin Piano Fest” po angazhohet në prurjen e artistëve botërorë, që të rinjtë në Kosovë të kenë mundësi të ndjekin koncertet e tyre.

“Ne kemi nevojë që muzikantëve dhe studentëve tanë t’u sjellim këta artistë që janë model, sepse studentët dhe artistët nuk po kanë mundësi të dalin dhe të shkojnë në koncerte të këtij niveli”, ka thënë drejtoresha organizative e “Chopin Piano Festit”, Besa Luzha. E ka cilësuar si brilant interpretimin e Uhligut, ndërsa veprat “serioze” të përzgjedhura i vlerëson se “luhen në mënyrë të veçantë, pasi kanë një mesazh të veçantë.

“Kanë një gjuhë të veçantë muzikore dhe ai ishte thjesht brilant, si në temp, si në dinamikë”, ka thënë ajo.

Përveç se i kontribuon aktivitetit kulturor në Kosovë, e veçanërisht muzikës, festivali po ashtu synon të kompensojë mungesat e pjesëmarrjes në performancat madhështore të artistëve të mëdhenj.

“Jemi shumë të lumtur qëperformanca e tij u prit jashtëzakonisht mirë nga publiku, me një mjeshtëri pianistike, teknikë të jashtëzakonshme dhe një tingull aq të sofistikuar dhe delikat që ka lënë mbresa dhe impresione artistike të jashtëzakonshme”, ka thënë kryetarja e Asociacionit Kosovar “Chopin”, Lejla Haxhiu-Pula, drejtoreshë artistike e “Chopin Piano Festit”.

Repertori i pianistit gjerman varion nga baroku e deri më sot dhe përmban emrat të mëdhenj të botës pianistike.

“Festivali çdoherë e më shumë po rritet dhe po sjell shumë emra të mëdhenj të skenës muzikore pianistike dhe kjo është një mundësi e madhe që të dëgjojnë mjeshtër të mëdhenj të muzikës klasike pianistike”, ka thënë AlbertaTroni, profesoreshë e pianos në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës.

Pianisti gjerman mbajti recitalin e tij të parë solo në moshën 12-vjeçare, ndërsa ndoqi studimet me pianistin gjerman, kompozitorin dhe profesorin, Peter Feuchtwanger. Shkathtësitë e tij prej pianisti i avancoi edhe më shumë me studimet në Kolegjin Mbretëror të Muzikës dhe në Akademinë Mbretërore të Muzikës në Londër dhe në Berlin.

Me orkestër debutoi në vitin 1997, në Londër. Që atëherë, programi i tij i koncerteve e ka çuar në skenat kryesore të koncerteve në shtete të ndryshme të Evropës, Amerikës e Azisë, ndërsa ka luajtur koncerte me orkestrat më prestigjioze të muzikës klasike në botë.

“Florian Uhlig luan në mënyrë mjeshtërore. Interpretimet e tij janë të krahasueshme me nivelet më të larta”, do të shkruante për të prestigjiozja “Süddeutsche Zeitung”. Mjeshtërinë e ka vulosur edhe në Prishtinë.