Kulturë

Gjurmët e Therandës antike, 7 vjet midis projekteve dhe shkatërrimit

Descriptive Text

Në qendër të Prizrenit, më 2014, do të dilnin në pah ato që arkeologët i cilësuan si gjurmë të objektit romak të vilës “rustica-e apo urbana-e”, pjesë të një kompleksi më të madh, të ndërtuara në shekullin III-IV. U cilësua si lokalitet arkeologjik i periudhës klasike romake, dëshmi e Therandën antike. Mbijetuan gati dy mijë vjet, por nisën të shkatërrohen kur u nxorën në pah e u harruan prej institucioneve. U mbuluan, rizbuluan, u mbajtën debate e tryeza, u shpalosën ide e u shkëmbyen akuza midis autoriteteve, përderisa përditë konstatohet se lokaliteti arkeologjik në “Sheshin e Lidhjes” po shkatërrohet. Tash, kur gati është tjetërsuar, ka rifilluar projekti për prezantimin, interpretimin dhe promovimin e tij

Shtatë vjet e gjysmë pas zbulimit të lokalitetit arkeologjik në qendër të Prizrenit, ka rifilluar projekti për prezantimin, interpretimin dhe promovimin e tij. Në proces janë përfshirë disa institucione. Këtë herë bartëse e projektit është Ministria e Kulturës, e cila paraprakisht ishte marrë vesh për bashkëpunim me UN-Habitat Kosovën. Një propozim fillestar është zhvilluar nga grupi punues, në të cilin janë të angazhuar punonjës nga Instituti Arkeologjik i Kosovës, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, Departamenti për Trashëgimi Kulturore i MKRS-së dhe Komuna e Prizrenit, i cili do të prezantohet edhe para publikut në javët e ardhshme.

Arkeologu Shafi Gashi nga Instituti Arkeologjik i Kosovës ka bërë të ditur se grupi punues ka mbajtur disa takime, në të cilat janë diskutuar historiku i lokalitetit, aspektet ligjore dhe përmbyllja e procesit, në mënyrë që lokaliteti të konservohet dhe të prezantohet bashkë me një strukturë mbrojtëse.

“Kemi ardhur deri te një draft, të cilin planifikojmë në dy takime të ardhshme ta diskutojmë me publikun, me bizneset, si dhe me komunitetin e profesionistëve dhe të gjithë të interesuarit e tjerë”, ka thënë Gashi. Sipas tij, hapësira që do të prezantohet nuk dallon nga variantet e prezantuara më parë, por se ndryshime të vogla mund të ketë vetëm sa i përket mbrojtjes, respektivisht strukturës rrethuese.

“Për lokalitetin përfundimisht vazhdon të jetë aktive ideja që ai duhet të jetë i qasshëm për vizitorët, përkatësisht të prezantohet për profesionistët dhe turizmin kulturor”, ka deklaruar Gashi.

MKRS e UN Habitati konfirmojnë fillimin e hartimit të projektit

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve gjatë kësaj jave ka njoftuar se ka filluar hartimi i projektit, që realizohet në bashkëpunim me UN-Habitat Kosovën, në bazë të marrëveshjes së nënshkruar gjatë vitit 2021, e cila ujdi synon integrimin e trashëgimisë kulturore në kuadër të planifikimit hapësinor, për zhvillim gjithëpërfshirës, të qëndrueshëm dhe të gjelbër.

“Në procesin e hartimit të projektit do të përfshihen banorët, komuniteti i biznesit dhe komuniteti profesionist, në mënyrë që prezantimi final i Lokalitetit Arkeologjik të jetë reflektim i një zgjidhjeje të përbashkët. Përmes prezantimit, interpretimit dhe promovimit të Lokalitetit Arkeologjik, si një lokalitet me rëndësi historike, shkencore, kulturore dhe edukative, synojmë që të ngrihet vetëdija për rëndësinë e këtij lokaliteti, si dhe të promovojmë vlerat kulturore përmes zhvillimit të turizmit kulturor”, thuhet në njoftimin e MKRS-së. Aty konfirmohet përbërja e grupit punues, derisa jepen hollësi edhe për angazhimet e deritanishme të këtij trupi.

“Në kuadër të inicimit të këtij projekti, grupi punues ka arritur të analizojë dhe diskutojë punën dhe propozimet paraprake, të hulumtojë kornizën ligjore dhe dokumentet përkatëse të nivelit qendror dhe lokal, të hulumtojë kornizën dhe parimet ndërkombëtare, të analizojë gjendjen ekzistuese të hapësirës, përparësitë, mangësitë, rreziqet dhe mundësitë, si dhe të përcaktojë zonën që do të konservohet dhe ekspozohet si pjesë e dizajnit të këtij lokaliteti”, thuhet në njoftimin e MKRS-së.

Njoftimi i njëjtë është publikuar në gjuhën angleze edhe nga UN Habitat Kosovë, me ç’rast theksohet se projekti financohet nga Ministria e Kulturës dhe se mbështetet nga UN Habitat Kosovë, nëpërmjet Programit për Zhvillim Gjithëpërfshirës, të financuar nga Qeveria e Suedisë.

Si MKRS, ashtu edhe UN Habitat Kosovë kanë publikuar edhe ftesën drejtuar qytetarëve të Prizrenit për pjesëmarrje në diskutimet publike në kuadër të projektit për hartimin dhe zbatimin e Planit të Prezantimit dhe Interpretimit për Lokalitetin Arkeologjik në Prizren.

Në takimin e caktuar për datën 31 maj 2022 janë ftuar banorët e lagjes dhe komuniteti i biznesit që operon në afërsi të lokalitetit arkeologjik, derisa në takimin e dytë me 2 qershor 2022 është ftuar komuniteti i profesionistëve të Prizrenit dhe më gjerë.

Image
Deri më tash është konfirmuar se ky lokalitet arkeologjik i takon periudhës klasike romake

Katër vjet ngecje

Në verën e vitit të shkuar, MKRS-ja kishte njoftuar edhe për mbajtjen e një tryeze për lokalitetin arkeologjik në “Sheshin e Lidhjes”, ku patën marrë pjesë institucionet e sipërpërmendura, por edhe përfaqësues nga KTK, RrOK, etj. “Lokaliteti Arkeologjik në ‘Sheshin e Lidhjes’ në Prizren është zbuluar në dhjetor të vitit 2014. Dy vjetët në vazhdim janë zhvilluar gërmimet arkeologjike dhe ndërhyrjet me karakter pastrimi. Në vitin 2018 u hartuan tre projekt-propozime, që u prezantuan para palëve të interesit dhe publikut, por duke qenë që kanë kaluar tri vjet nga ajo kohë, rrethanat kanë ndryshuar. Për këtë temë u organizua një tryezë diskutimi, ku u prezantuan propozimet për ndërhyrje konservuese/restauruese dhe prezantuese”, thuhej në njoftim, duke sqaruar më tej se ka pasur diskutime rreth propozimeve të paraqitura, qasjen që duhet të përdoret gjatë projektimit, sikurse edhe rëndësinë e prezantimit të lokaliteti arkeologjik dhe bashkërendimit të aktiviteteve për zhvillim të projektit.

Shafi Gashi nga IAK-ja ka theksuar se katër vjet ka pasur stagnim sa i përket lokalitetit arkeologjik.

“Nga viti 2017 kur janë shtjerrë procedurat e debateve e konsultave dhe projekti ka ardhur në Komunën e Prizrenit, ka qenë një neglizhencë e organeve komunale. Pastaj ndodhi edhe periudha e pandemisë dhe rrjedhimisht katër vjet nuk ka pas asnjë lëvizje nga pika zero, nga momenti që është mbyllur si gërmim arkeologjik dhe që është hedhur ideja që lokaliteti të konservohet dhe të prezantohet. Tani duket se të gjitha palët janë të interesuara që ky proces të përmbyllet, si MKRS-ja, ashtu edhe Komuna e Prizrenit, derisa vullneti i profesionistëve nuk ka munguar asnjëherë”, është shprehur Gashi.

Sipas tij, prolongimi i deritanishëm ka qenë i panevojshëm, por ka shtuar se është optimist për nisjen e përmbylljen e projektit, pasi ka parë vullnet të duhur tek të gjitha palët e përfshira në proces.

Gashi ka shpjeguar se parashikimet janë që projekti të nisë e të përmbyllet sivjet, ku në fazën e parë parashihet pastrimi dhe konservimi i strukturës arkeologjike, ndërkohë që faza e dytë përfshin ndërtimin e strukturës mbrojtëse të monumentit me tabelat informuese.

Dëmtimi e shkatërrimi si pasojë e neglizhencës

Në fillim të vitit 2020, Këshilli për Trashëgiminë Kulturore të Qendrës Historike të Prizrenit pati kërkuar nga organet qendrore dhe ato komunale mbrojtjen e lokalitetit arkeologjik në “Sheshin e Lidhjes”, me ndërmarrjen e masave adekuate drejt konservimit dhe prezantimit të tij. Sipas këtij Këshilli, mbetjet arkeologjike në këtë lokalitet janë dëmtuar e shkatërruar si pasojë e mospërkujdesjes adekuate.

Në shkresën dërguar IAK-së, që funksionon në kuadër të MKRS-së dhe organeve komunale, pati përkujtuar se në fund të vitit 2014, gjatë gërmimeve të dheut për ndërtimin e një fontane si pjesë të “Sheshit të Lidhjes”, është zbuluar lokaliteti arkeologjik. Sipas KTK-së, zvarritja disavjeçare lidhur me këtë projekt ka bërë që si rezultat i temperaturave të larta në verë dhe të ulëta në dimër mbetjet arkeologjike të shkatërrohen deri në masë të mosnjohjes.

“Efektet negative atmosferike, veçanërisht dielli i fortë, ka rezultuar me tharje dhe plasaritje të tullave, llacit gëlqeror dhe higroskopik (horasan), që kanë qenë lidhës të muratimit dhe tani më janë jofunksionale. Lagështia e mbledhur në pjesën e themeleve ka ndikuar në formimin e mykut dhe kripërave që kanë shpejtuar shkatërrimin e objektit. E gjithë kjo situatë gjatë viteve është shoqëruar me rritjen e pakontrolluar të vegjetacionit që më tej dekompozon mbetjet e llacit dhe shtresave të lokalitetit”, thuhej në shkresë, teksa më tej shtohej se lokaliteti ngadalë, por sigurt, është shndërruar në një deponi mbeturinash.

“Duke pasur parasysh situatën e krijuar, ku mbetjet e zbuluara tani më zhduken, sikur që është rasti me gypa prej argjilës, mund të themi se vetëm dokumentacioni arkeologjik mund të dëshmojë për atë që është zbuluar. Ne si KTK konsiderojmë që projekti i mbrojtjes së lokalitetit duhet të riemërtohet në projekt të rikonstruimit të mbetjeve të zbuluara, duke pranuar në mënyrë indirekte neglizhencën e institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, që është kompetente për ruajtjen e trashëgimisë dhe dëshmive të para të një lokacioni të mundshëm të Therandës antike në qytetin e Prizrenit”, kishte bërë të ditur KTK-ja. Ky Këshill, duke konsideruar situatën e krijuar në këtë lokalitet, kishte kërkuar nga institucionet qendrore dhe lokale që në mënyrë urgjente të ndërmarrin masa konkrete drejt konservimit dhe prezantimit të këtij lokaliteti.

Pak muaj më parë, arkeologu Gashi kishte konfirmuar se procesi për konservimin e lokalitetit arkeologjik ka ecur ngadalë dhe se gjetja pas pastrimit është mbuluar e zbuluar disa herë dhe se me kalimin e kohës ka degraduar nga faktori natyrë, por edhe mosmenaxhimi i duhur i faktorit njeri.

Dëshmi të periudhës klasike romake

Sipas shkresës së KTK-së, bazuar në mbetjet arkitektonike-arkeologjike, supozohet se ato përbëjnë pjesë të objektit romak të vilës “rustica-e apo urbana-e”. Aty thuhej se mund të supozohet se objekti i përket një kompleksi më të madh, të ndërtuar në shekullin III-IV, pjesët e të cilit janë në mbetjet e fragmentuara të zbuluara në oborrin e xhamisë “Arasta”.

“Në hapësirat e hotelit ‘Theranda’ kanë qenë të zbuluar mbetjet e objektit më të madh sakral, i cili fatkeqësisht arkeologjikisht nuk është ekzaminuar, por është shkatërruar gjatë kohës së gërmimeve të themeleve të hotelit, pra është e mundur që lokaliteti arkeologjik të ketë përfundimin e tij historik në periudhën e hershme bizantine-paleokrishtere”, thuhej në shkresën e KTK-së.

Ndërkaq arkeologu Gashi pak muaj më parë kishte theksuar se bëhet fjalë për një gjurmë arkeologjike të periudhës klasike romake, respektivisht Therandës antike.

“Dihet se kemi të bëjmë me një lokalitet arkeologjik të periudhës klasike romake dhe lirisht mund të themi se kemi të bëjmë me Therandën antike, të cilën e përmendin autorët e kohës, sepse kjo gjetje është in-site, ndërsa në periudhat e mëhershme kemi pasur gjetje sporadike të artefakteve të ndryshme në pjesët e qytetit, qoftë në lagjen e Nënkalasë, në Kala, në zonën ku tani është objekti i Komunës dhe gjetje të tjera që pak a shumë e plotësojnë tablonë që mund të themi se kemi edhe një gjurmë in-site në qytetin e Prizrenit të periudhës klasike romake”, ka thënë Gashi.