Përderisa kontrabandimin e artefakteve nga Kalaja e Novobërdës ia ka konfirmuar edhe Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore, Ministria e Kulturës tash gati një muaj nuk ka bërë të ditur nëse ka marrë ndonjë veprim, përderisa në Raport i jepen disa rekomandime konkrete. Për ata që merren me trashëgimi kulturore, mosveprimi i MKRS-së është i pakuptueshëm
Ministria e Kulturës numëron 22 ditë prej kur edhe institucionet e veta ia kanë konfirmuar se nga Kalaja e Novobërdës materiali arkeologjik është kontrabanduar për në Beograd. Por institucioni më i lartë kulturor në vend nuk ka bërë asnjë hap zyrtar për të trajtuar këtë çështje. MKRS-ja nuk ka vepruar madje as në raport me revistën ku është publikuar studimi i autorëve serbë, që ka nxjerrë në pah trafikimin e materialit arkeologjik. Për ata që merren me trashëgimi kulturore mosveprimi i MKRS-së është i pakuptueshëm.
Pas raportimit të KOHËS në ditën e 28-të të marsit se revista “Journal of Archaeological Science” ka publikuar studimin “Mummified animal skin with tar content from the castle of the late medieval toën of Novo Brdo (Central Balkans)” të pesë autorëve nga Serbia, ku shpërfaqeshin rezultate të artefakteve të Novobërdës të marra gjatë viteve 2015 dhe 2016, MKRS-ja kishte kërkuar nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore që ta trajtojë këtë çështje. Por tash mungojnë veprimet.
Më 2015, kompania “KOTO”, e përzgjedhur nga UNESCO, kishte nisur punimet për restaurimin e Kalasë së Novobërdës. Projekti qe financuar me një milion euro nga BE-ja, kurse implementimi dhe mbikëqyrja janë bërë nga UNESCO. Puna ka rezultuar me shumë defekte, të cilat ende nuk janë riparuar. Gjatë kësaj kohe edhe është bërë bartja ilegale e materialit arkeologjik për në Beograd.
Drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Enver Rexha, ka thënë se nuk ka ndonjë lëvizje të re pas Raportit të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore.
“Unë kam propozuar që të formohet një komision profesional, pasi në rastin e Kështjellës kemi disa lëmi profesionale dhe pastaj ai komision të vendosë si të veprohet tutje”, ka thënë Rexha.
Në Raportin prej 16 faqesh të Inspektoratit jepen edhe rekomandime se si duhet të veprojë MKRS-ja. Ndër to i rekomandohet të iniciojë procedurën penale në organet e ndjekjes.
“Meqenëse përmbushen elementet e veprave penale, MKRS-ja duhet të iniciojë procedurën penale në organet e ndjekjes ndaj përgjegjësve të dëmeve të shkaktuara gjatë punimeve dhe gërmimeve arkeologjike”, shkruhet në Raport. Po aty, te pjesa e rekomandimeve shkruhet se “pas evidentimit të hollësishëm të dëmeve, përfshirë edhe të gjetjeve arkeologjike të nxjerra jashtë vendit, përmes UNESCO-s të kërkohet kthimi i tyre në vendin e origjinës”.
Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore në Raport shkruan se institucionet e Serbisë, Instituti Arkeologjik i Serbisë, Muzeu Kombëtar në Beograd, Fakulteti i Teknologjisë në Beograd dhe Universiteti i Novi-Sadit kanë bërë analizën e një mostre arkeologjike të periudhës së mesjetës së vonë, lëkurë e mumifikuar e kafshëve me përmbajtje katrani.
“Kjo mostër arkeologjike nga vendi i origjinës është nxjerrë dhe bartur jashtë vendit në mënyrë ilegale nga lokaliteti arkeologjik shumështresorë, pa dijeninë dhe lejen e institucioneve kompetente të Republikës së Kosovës”, shkruhet në Raport. Aty shkruhet se më pas në dhjetor të vitit 2021 punimi është botuar në revistën prestigjioze ndërkombëtare. Në Raport konstatohet se gjatë punimeve për konservimin dhe restaurimin e Kalasë, “gërmimet arkeologjike janë ndërmarrë pa leje të institucioneve kompetente apo ndonjë ndalesë eventuale nga përgjegjësit e mbikëqyrjes së punimeve”. Po ashtu, konstatohet se gërmimet në hapësirën shumështresore arkeologjike kanë lënë mundësinë e marrjes dhe bartjes së gjetjeve arkeologjike pa autorizim nga institucionet kompetente.
Treshja i ka rekomanduar Ministrisë së Kulturës që të themelohet një grup i punës me ekspertë edhe ndërkombëtarë për evidentimin e të gjitha dëmtimeve që kanë ndodhur në këtë lokalitet arkeologjik, përfshirë edhe gjetjet arkeologjike të nxjerra jashtë vendit. Se cilët do të jenë hapat e MKRS-së pas raportit të Inspektoratit të MKRS-së nuk i është përgjigjur KOHËS tash e dy javë. Madje MKRS-ja ende nuk ka përgjigje as për stafin e revistës që ka publikuar studimin e artefakteve të Kosovës që është financuar nga Qeveria serbe.
Sali Shoshi, i cili udhëheq fondacionin kosovar “Trashëgimi kulturore pa kufij” (CHwB Kosova), ka thënë se MKRS-ja në këtë rast është dashur që të dërgonte nota verbale dhe të kërkonte përgjegjësi.
“Në rastin konkret mendoj se revista duhet ta tërheqë artikullin. Kanë publikuar materiale të kontrabanduara. Në rastin e dytë, MKRS-ja do të duhej që ta dërgonte një notë proteste dhe t’u thoshte UNESCO-s dhe BE-së se në këtë projekt të tyre ka pasur kontrabandim dhe të kërkohet përgjegjësi”, ka thënë Shoshi. Sipas tij, në lokalitete arkeologjike që përfshin zona të mëdha shteti duhet të jetë prezent me ekipe menaxhimi multidisiplinare gjatë gjithë kohës. Sipas tij, aty duhet të ketë vazhdimisht njerëz që do të merreshin me menaxhim, studim e mirëmbajtje.
“Në mungesë të kësaj prezence, mundohet të zëvendësohet me mbikëqyrës, që në shumicën e rasteve nuk janë aty. Kjo i bën lokalitetet e qasshme nga persona që mund t’i rrezikojnë. Fati është që materiali është publikuar, por mund të ketë trafikime që nuk janë publikuar kurrë. Duhet të ketë ekipe mbikëqyrëse gjatë gjithë kohës”, ka thënë Shoshi.
Sipas asaj që ka marrë vesh gazeta, MKRS-ja planifikon që në fillim të javës që vjen t’i përgjigjet stafit të revistës “Journal of Archaeological Science”. Stafi i revistës menjëherë pas raportimit të KOHËS i është drejtuar redaksisë e më pas edhe institucioneve.
Redaktori i artikullit, biologu Chris Hunt, profesor në universitetin “John Moores” në Liverpool, ka treguar gatishmëri që nëse institucionet kosovare deklarojnë se materiali arkeologjik është dërguar jashtëligjshëm në Beograd, stafi i revistës do të reagojë.
Sipas tij, institucionet kanë bërë të ditur se kanë pranuar shkresat, por ende nuk u janë përgjigjur.
“Kështu që ne duhet të vijmë në përfundim se autoritetet e Kosovës nuk ishin në gjendje të vërtetonin veprimin e keq”, kishte thënë ai në fund të prillit. Hunt kishte bërë të ditur se kanë kontaktuar autorët e punimit shkencor.
Nemanja Markoviq, punonjës i Institutit Arkeologjik në Beograd, bashkë me kolegen Vesna Bikiq, punonjëse e Muzeut Kombëtar në Beograd, Zheljka Temerinski e dy ligjërueset në Universitetin e Novi-Sadit, Snezhana Vuçetiq e Jonjaua Ranogajec, janë autorë të punimit që është financuar nga Ministria e Arsimit dhe ajo e Kulturës në Serbi.
“Kam kontaktuar edhe me autorët, të cilët janë mërzitur shumë nga akuza. Duket se konsulenti përgjegjës për restaurimin në Novobërdë (i cili ishte ish-koleg i njërit prej autorëve) ua ka dhënë atyre materialet arkeologjike për analizë. Ata i analizuan dhe i publikuan materialet, duke besuar se transferimi nga Kosova në Serbi ishte legjitim dhe me shpresën që materialet të ktheheshin në Muzeun e Kosovës pas përfundimit të analizave”, kishte thënë Hunt. Në punim, autorët falënderojnë arkeologun e Institutit Arkeologjik të Serbisë, Marko Popoviq, për krijimin e qasjes dhe mbështetjen në analizimin dhe publikimin e materialit. Popoviq, i cili vdiq në vitin 2020, ishte studiues i arkeologjisë mesjetare dhe ka qenë i ngarkuar si mbikëqyrës në punimet që janë zhvilluar në Kalanë e Novobërdës.
Pas insistimit të KOHËS, në emër të kompanisë “KOTO”, zyrtari ligjor, Darko Gligorijeviq, kishte thënë se UNESCO-ja ka qenë zbatuese e procedurës së prokurimit dhe se në përputhje me rolin e saj ka marrë të gjitha lejet e nevojshme për punime konservuese dhe restauruese. Kishte treguar se në disa raste shumë gjetje arkeologjike i janë dorëzuar Institutit Arkeologjik të Kosovës.
Sipas Gligorijeviqit, i cili Kosovës i referohet me fusnotë, në dy raste “kompania ka dorëzuar në Institutin Arkeologjik të Kosovës* disa gjetje të luajtshme të gjetura gjatë punimeve arkeologjike në projektin në fjalë”.
Por “KOTO” prapë nuk ka pasur përgjigje në pyetjet direke se me çfarë leje janë dërguar artefaktet në Beograd dhe po ashtu me çfarë leje bëhet studimi i tyre.
Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore në Raport e elaboron edhe punën joprofesionale në Kalanë e Novobërdës. Ngre dyshime se prej aty mund të jenë bartur për në Serbi më shumë gjetje arkeologjike sesa ato që kompania nga Beogradi ia ka dorëzuar Institutit Arkeologjik të Kosovës.
Zyra e BE-së ka sqaruar se gjatë punimeve janë zbuluar mbetje të rëndësishme arkeologjike; si dy objekte banimi, një ndërtesë për komandantin e asaj hapësire, një kishë, më pas një hamam i vogël me oxhak e po ashtu edhe sistemi i ngrohjes prej hipokausti.
E Zyra Rajonale e UNESCO-s në Sarajevë nuk është përgjigjur asnjëherë rreth kësaj çështjeje.