Kulturë

Luftimi i dhunës gjinore nëpërmjet aktivizmit

Mirishahe Syla

Mirishahe Syla sot punon si këshilltare për përfshirje gjinore. Rruga e saj me aktivizmin nis qysh në bankat e shkollës. Rolet gjinore brenda një komuniteti të vogël e bënë Sylën që t’i rrekej studimit të një fenomeni të madh. Aktivizmi për të mori përmasa reale kur u bë pjesë e organizimeve vullnetare në shkollën e mesme. “Është diçka që mendoj që shumicës së njerëzve i vjen natyrshëm dhe më vonë gjatë jetës vendosin se çfarë duan të bëjnë me ato ndjenja”, thotë ajo

Mirishahe Syla, e lindur në fshatin Banullë të Komunës së Lipjanit, si fëmijë dhe e re, realitetit i qasej me vigjilencë. Shumë gjëra i dukeshin të padrejta. Për Sylën jeta në fshat, që më vonë, sipas saj, nuk dallonte shumë nga qyteti, e bënte ta shihte pozicionimin e grave brenda një komuniteti të vogël.

Struktura e familjes në fshatin ku ajo jetonte për të ishte goxha tradicionale-patriarkale. Kjo më vonë do ta bënte Sylën zë aktiv dhe do të ndikonte në pozicionimin e saj në familje e shoqëri.

Mirishahe Syla sot punon si këshilltare për përfshirje gjinore. Rruga e saj me aktivizmin nis qysh në bankat e shkollës. Rolet gjinore brenda një komuniteti të vogël e bënë Sylën që t’i rrekej studimit të një fenomeni të madh.

Image
“Shkollimi për mua ka filluar si një rrugëtim jo vetëm edukativ-arsimor, por edhe si një revolucion personal, sepse kam arritur t’i kuptoj shumë gjëra dhe t’u përgjigjem shumë pyetjeve, por në të njëjtën kohë edhe që të kem më shumë pyetje”, thotë Syla

Shkollimi si armë kundër diskriminimit të grave

“Është diçka që mendoj që shumicës së njerëzve i vjen natyrshëm dhe më vonë gjatë jetës vendosin se çfarë duan të bëjnë me ato ndjenja”, ka thënë ajo gjatë rrëfimit të saj kur i kthehet rinisë së hershme. Për Sylën fryma e aktivizmit nisi qysh si nxënëse, por tek më vonë nisi të thellohej në fenomene që nuk i perceptonte si të drejta. Rezistenca si fëmijë kundër pozicionimit të grave në shoqëri për Sylën erdhi e u zhvillua natyrshëm. Gjithë përvoja e akumuluar iu kthye në vizion nga i cili nuk zmbrapsej.

“Duke u rritur e kam vërejtur që ka diçka që nuk shkon, ka një fshirje të qëllimshme të ekzistencës së grave brenda komunitetit dhe është një rol më shumë shërbyes e shumë pak vendimmarrës”, tregon Syla, e cila thotë se asokohe veç i perceptonte si të tilla e duke u zhvilluar ka arritur t’i vërë emër gjithë asaj që përjetonte. Syla cakun kryesor në jetë e kishte shkollimin, pasi që shkollimi në familje nuk iu pasua si një traditë.

Pikërisht kjo e bëri që të besonte se shkollimi ishte arma me të cilën luftohet diskriminimi i grave. Ajo ishte përherë në eksplorim të vetes gjatë shkollimit, çdo hap në këtë rrugë ishte shtyllë më e fortë kur ngrihej aktivizmi i saj. Shkollimi në shkollën e fshatit, pastaj në gjimnazin e qytetit të Lipjanit, më vonë studimet në kryeqytet, e pastaj në Amerikë ishin pika që e lidhën rrugën e saj me aktivizmin. Për të shkollimi ishte një revolucion personal ndaj asaj që prodhonte shoqëria.

“Shkolla e mesme ka qenë kthesa e parë, kalimi nga fshati në qytet, edhe pse tani më duken shumë të afërta edhe gjeografikisht”, ka thënë ajo. “Shkollimi për mua ka filluar si një rrugëtim jo vetëm edukativ-arsimor, por edhe si një revolucion personal, sepse kam arritur t’i kuptoj shumë gjëra dhe t’u përgjigjem shumë pyetjeve, por në të njëjtën kohë edhe që të kem më shumë pyetje, mandej përgjatë rritjes”, ka treguar ajo.

Image
Gjatë studimeve në ShBA, Syla thotë se koncepti i ndërthurjes i ka ndihmuar më së shumti në analizën feministe. Kjo e çoi në përfundimin se njerëzit nuk shtypen vetëm për shkak të një identiteti, por për shkak të një kombinimi të identiteteve

Synimi i parë dhe kthesa e madhe në jetë

Aktivizmi për të mori përmasa reale kur u bë pjesë e organizimeve vullnetare në shkollën e mesme. Synimi primar ishte ngjallja e rinisë së Lipjanit. Kjo do ta bënte të hiqte dorë nga fusha e letërsisë dhe psikologjia, të cilat i ëndërronte prej kohësh, dhe zgjodhi studimin e shkencave politike. Gjatë studimeve u bë edhe pjesë e protestave me të cilën kërkonin dorëheqjen e ish-rektorit Ibrahim Gashi.

“Këtu filloi problemi logjistik i udhëtimit, sepse unë jetoja në Banullë dhe nuk mund të merrja pjesë”, tregon ajo, e cila në atë kohë këtë e shihte si sinjal që aktivizmi ishte i vështirë jashtë hapësirave urbane. Një krizë me identitetin akademik edhe kësaj radhe e shtyu Sylën drejt pyetjeve të reja që edhe ia dhanë përgjigjen për rrugën që donte të ndiqte. Ajo vazhdoi studimet master për studimet gjinore të grave në Universitetin Verior të Iowas në SHBA. Pas studimeve, ia kishte vënë vetes mision fuqizimin e feminizmit në diskursin publik nga niveli akademik.

“Kjo ishte një kthesë e madhe në jetë. Ajo në vetë ka qenë ndërrim shumë i madh. Amerikën e kam menduar si ajo çfarë shohim në filma dhe unë kam shkuar në një vend goxha rural. Krejt çka shihja ishte fusha dhe gjelbërim, por edhe kjo ishte e mirëseardhur tek unë. Në universitet atje, së pari kampusi ishte krejtësisht ndryshe nga ai që kemi në Kosovë. Biblioteka ishte ambient që të ftonte ta studiosh dhe hulumtosh”, tregon tutje Syla. Përkundër përfitimeve, sfidat megjithatë ishin të mëdha. Mënyra e studimit të lëvizjeve feministe ishte larg asaj me të cilën Syla ishte përballur në Kosovë. Megjithatë, ajo arriti ta bënte lidhjen me përvojat e saj në Kosovë.

“Një pjesë të madhe ka qenë e fokusuar te feminizmi i grave të zeza atje. Mënyra se si gratë e zeza e kanë luftuar shtypjen gjinore atje dhe për shkak të racizmit lidhet kaq shumë me kontestin e grave në Kosovë, të cilat një kohë të gjatë nuk e kanë luftuar vetëm shtypjen gjinore, por edhe për shkak të etnitetit, sidomos gratë që i janë bashkuar luftës për çlirim kombëtar”, tregon tutje ajo. Gjatë studimeve në Amerikë, thotë se koncepti i ndërthurjes i ka ndihmuar më së shumti në analizën feministe. Kjo e çoi në përfundimin se njerëzit nuk shtypen vetëm për shkak të një identiteti, por për shkak të një kombinimi të identiteteve.

“Aty e kuptova që përvojat e mia kanë qenë vetëm si vajzë, por të ndikuara nga shumë identitete si një vajzë e re, si vajzë prej një zone rurale që ka tentuar të funksionojë në një zonë tjetër, si një vajzë shqiptare në Kosovë - gjë që ka qenë i padukshëm, pasi që për kohën në të cilën jam rritur unë ka qenë identitet i privilegjuar, kurse për gjeneratat para meje ka qenë identitet që i ka shtypur si shqiptarë”, rrëfen ajo.

Image
Si studente u bë edhe pjesë e protestave ku kërkohej dorëheqja e ish-rektorit Ibrahim Gashi

Rikthimi në Kosovë dhe beteja e radhës

Mirishahe Syla pas studimeve në Amerikë u kthye me një perspektivë më të gjerë dhe më të qartë për feminizmin. Ajo këtu vendosi të fokusohej në parandalimin e dhunës gjinore. Sa më shumë i afrohej luftës në këtë fushë, realiteti i vinte më i dhimbshëm. Sipas saj, në vendin ku qe rritur dhuna në perspektivë historike manifestohej në shumë forma.

“Prej jetës shumë personale, prej jetës në familje arrija të kuptoja se cilat lloje të dhunës janë ushtruar te ne, prej kujt dhe në çfarë mënyre, por edhe të shoh se sa e padukshme ka mbetur dhuna në shoqërinë tonë, për shkak se dhunën e kemi parë vetëm në terma etnikë dhe armikun e kemi parë si diçka të jashtëm, pa dashur ta diskutojmë atë që ka ndodhur në familjet tona, në atë që ne e kemi konsideruar private e që ka qenë pjesa më e madhe e popullsisë që ka përjetuar dhunë sistematike në vendet ku ato është dashur të ndihen të sigurta”, shprehet Syla bindshëm teksa flet. Ajo për një kohë ka qenë e angazhuar si konsulente te Qendra Kosovare për Studime Gjinore, ku aktivisht filloi kontributin e saj. Ajo tash beson që çështjet gjinore kanë filluar të adresohen. Sipas saj, problemet akoma janë të mëdha dhe adresimi duhet të vazhdojë.

Mirishahe Syla çdo vit është një zë më shumë në kauzën e çdo 8 Marsi në kuadër të organizmit “Marshojmë, s’festojmë”. Vrasjet e grave janë alarmi me të cilin ato po marshojnë vjetët e fundit. Sipas Sylës, korniza ligjore është e drejtë, por që nuk gjejnë zbatim në realitet. Një prej arsyeve kryesore është se ekziston një hendek i madh mes tyre dhe institucioneve që i zbatojnë ato. “Njerëzit që janë të thirrur për t’i zbatuar këto ligje nuk janë të vetëdijshëm se çfarë përmbajnë këto ligje prandaj problemi i vrasjes së grave e tejkalon nivelin individual të disa burrave të dhunshëm, por është problem shtetëror, mbi të gjitha politik pasi që është një sistem i tërë që e lejon vrasjen e grave që të ndodhë. Kemi parë plot raste ku vrasja e grave ka pasur mundësi të parandalohet por që nuk ka ndodhur”, thotë Syla teksa zëri i ashpërsohet. Shkrimi është mënyra më e mirë ku i përmbledh konceptet e saj Mirishahja. “Përmes shkrimit e kam kuptuar veten më mirë dhe e kam arsyetuar veten për mënyrën se si mendoja”, rrëfen ajo teksa bëhet gati për të lexuar poezinë “Të mbijetuara”. Në vargun e saj, çdo vrasje është kërcënim për një vrasje tjetër të grave.

Ky shkrim është realizuar në kuadër të projektit “Human Rightivism”, që implementohet nga Integra dhe mbështetet nga CDF dhe Ambasada e Suedisë në Kosovë.