Të nisur nga parimi se roli i shkrimtarëve në kohë krizash e luftërash bëhet edhe më i dukshëm se në një gjendje normale, festivali ndërkombëtar i letërsisë “Polip” shënoi rikthimin fizik në edicionin e 12-të mbrëmjen e së premtes në teatrin “Oda” dhe me pjesëmarrje të shkrimtarëve nga vendi e bota. “Shkrimtari është i pranishëm” është tema e sivjetme e “Polipit”, që vjen në këtë format pas dy edicioneve virtuale. Për tri ditë sa zgjat, festivali pos leximeve letrare, trajton edhe tema aktuale në ditët e trazuara
Edicioni i 12-të e ka konfirmuar moton e sivjetme që në hapje.
Në ceremoni shkrimtari ishte i pranishëm, jo veç me prezencë tashmë fizike pas dy vjetësh organizimi virtual, por edhe me domosdoshmërinë e reagimit dhe revoltës në kohë krizash e luftërash.
Shkrimtarë nga Ballkani e Evropa u bënë bashkë mbrëmjen e së premtes në teatrin “Oda”, si solidarizim me Ukrainën e si ripohim i nevojës së tematizimit të çështjeve, pavarësisht ndikimit jo të drejtpërdrejtë.
“Shkrimtari është i pranishëm”, si temë e këtij edicioni është frymëzim nga artistja Marina Abramoviq, performanca e së cilës ‘Artisti është i pranishëm’ i theu kufijtë e distancës ndërmjet artistit dhe audiencës së artit të vet duke qëndruar për 736 orë ulur në një karrige gjatë tre muajve dhe duke shikuar sy më sy 1.675 vizitorë të performancës së saj.
Njëra nga themelueset e “Polipit”, Alida Bremer, në ceremoninë e hapjes ka paralajmëruar se ky edicion do të jetë interesant, i bukur dhe me diskutime të mrekullueshme.
“Kemi luftën në Ukrainë dhe situata të ndryshme nëpër botë”, ka thënë ajo. “Ne do të diskutojmë për relacionet mes artit, letërsisë e shoqërisë. Njëra nga idetë tona ka qenë të flasim se çka mund të bëjmë për botën si shkrimtarë, letrarë e përkthyes”.
Pohoi se janë në dijeni që s’kanë ndikim të drejtpërdrejtë, porse është e drejtë e tyre të bashkëveprojnë me idetë, ndikimi i të cilave mund të dallohet pas një periudhe më të gjatë.
“E dimë se të shkruajmë e të diskutojmë nuk është e mjaftueshme, por ne shkrimtarët jemi armiqtë e parë për raste krizash”, ka theksuar Bremer, shkrimtare e përkthyese e shquar, njëra prej promotorëve kryesore të letërsisë kroate në hapësirat gjermanfolëse. “Si është e mundur që në gjendje normale s’jemi të rëndësishëm, por në Rusi nuk është e lejuar të flitet (nga shkrimtarët)”.
{gallery}
Shkrimtarë nga Ballkani e Evropa u bënë bashkë mbrëmjen e së premtes në teatrin “Oda”, si solidarizim me Ukrainën e si ripohim i nevojës së tematizimit të çështjeve, pavarësisht ndikimit jo të drejtpërdrejtë (Foto: Driton Paçarada)
Dramaturgu e themeluesi i “Polipit”, Jeton Neziraj, ka thënë se për 12 edicione kanë ndërruar shumëçka.
“Jepim gjak figurativisht, mund e djersë në mënyrë që organizimi i ‘Polip’ të jetë i mundur”, ka thënë Neziraj. Ka pasur një kritikë të drejtpërdrejtë. “Sipër nesh janë ndërkombëtarët e ‘Manifestas’, të cilëve shteti u ka dhënë rreth 5 milionë euro. E ne këtu rropatemi sa mundemi me ba teatër e letërsi mes mureve që pikojnë lagështi, të ftohtit e dyshemesë së betonit”.
Sipas tij. edhe në objektin paraprak kushtet ambientale kanë qenë të njëjta, e që sipas tij do të vazhdojnë të mos përmirësohen për shumë vjet. “Polipi” në edicionet e mëhershme u mbajt në objektin e qendrës “Multimedia”, në lagjen “Dardania”, në Prishtinë. Pas gati një dekade funksionimi aty, kjo organizatë kulturore mbeti pa strehë, në korrikun e vitit 2020. Pak muaj më vonë, zgjidhja qe zhvendosja në teatrin “Oda”, ku vepron edhe tash.
Sasa Iliq, shkrimtar nga Serbia, ka thënë se “Polip” ka lindur si ide e ndërtimit të paqes.
“Një teoricien i mirë thotë se qendra e metaforës në letërsi ka ndikim të madh në të ardhmen e politikës. Liria, legalja e solidariteti nuk janë të dhëna nga lindja, por fitohen duke luftuar për to. Letërsia është pjesë e këtij procesi. Ne besojmë që ajo mund ta ndryshojë botën”, ka thënë Iliqi.
Përpara se skena e teatrit “Oda” të kumbonte me poezi në disa gjuhë të ndryshme, Edona Reshitaj performoi “Kur të jesh mërzitur shumë” të Dritëro Agollit, duke thënë se në një festival të letërsisë, duhej patjetër ta këndonte një këngë e cila ka lindur nga poezia.
Shkrimtarja e parë që e hapi pjesën e leximeve ishte turkja Şebnem İşigüzel, e cila është autore e “Will Tell My Story?”, “My Old Buddy Lizard”, “Goodness”, “Istanbuliate” e disa vepra të tjera. Pas tij në skenë erdhi poeti e shkrimtari i njohur, akademik Eqrem Basha, i cili para publikut lexoi poezitë “Njeriu që nuk e njihte bota”, “Balada e zezë e një dite të bardhë”, “Udhëtar i natës së kësaj bote”, “Oda e të mesit” dhe “Kumrija”.
Nga Kroacia u paraqit Ivana Bodrozhiq, si autore e cila është përkthyer në 12 gjuhë të botës. Ajo i ka thënë KOHËS se “Polipi” është festival i rëndësishëm për shkrimtarët dhe vetë publikun.
“Është shumë e rëndësishme të jemi të vetëdijshëm të reagojmë sidomos ne shkrimtarët duke pasur prezencën mediale, e kemi obligim të themi diçka, varësisht nga shoqëritë prej nga vijmë”, ka thënë ajo.
Ndër vite, sipas saj, po kuptohet rëndësia e organizimit dhe po shtohet edhe interesimi i autorëve për të marrë pjesë. “E kujtoj kur kam qenë në ‘Polip’ diku para dhjetë ose njëmbëdhjetë vjetësh. E di sa i vështirë ka qenë fillimi. Shumë njerëz kanë dyshuar për të, por tashmë mendoj që kemi gjenerata të reja që po vijnë në festival dhe janë të gatshëm të dëgjojnë autorë nga ish – Jugosllavia, gjë që pa ‘Polipin’ s’ka qenë diçka normale”.
Nga Danimarka u prezantua autori Carsten Jensen, i cili është autor i “I Have Seen the World Begin” , “We, the Drowned” dhe “The First Stone”. Ai ka qenë edhe reporter i luftërave në Ballkan dhe në Afganistan. Jovica Ivanovski nga Maqedonia e Veriut solli përvojën e tij letrare duke qenë i përkthyer në gjuhën sllovene, serbe, kroate, angleze, maqedonase. Lexoi poezitë “Bed”, “Investigation”, “I do not paint, I make love with canvas”, “No measure at all” e “Life in flip flops”.
Dromca franceze solli Jowl Vernet, i cili vitin e kaluar fitoi çmimin “Heredia” të Akademisë së Francës, e që në Kosovë u paraqit me “Fragments of the night never dims our dreams”.
Në nderim të shkrimtarit të fundit që lexoi, Edona Reshitaj filloi performancën e saj muzikore me një nga këngët më të famshme franceze “Je Veux”, për të vazhduar edhe me vepra vendore, si “Kur kërcen sorkadhja” e shumë të tjera.
Dita e dytë e festivalit ndërkombëtar të letërsisë “Polip” do të vazhdojë me panelet e diskutimit “Jeta vs. Letërsia / Kush i tregon rrëfimet dhe kush i ndan ato?” dhe “Lufta në Ukrainë – Çfarë mund të bëjnë shkrimtarët dhe përkthyesit tani?”, për të vazhduar me leximet letrare në mbrëmje.
“Polip” është festival që synon të bashkojë në Prishtinë shkrimtarë të rinj nga rajoni dhe Evropa. Është themeluar dhe drejtohet nga qendra “Multimedia” dhe shkon përtej kornizës së një festivali letrar dhe të një lidhjeje të thjeshtë letrare, pasi përfshin një kuptim më të gjerë të koncepteve të ndërtimit të paqes dhe besimit në rajon, veçmas ato ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.