“Nuk jam në gjendje t’i them Shkëlqesisë Suaj se deri ku shtrihet Qeveria e Prishtinës. Këdo që e pyes, shmanget të më japë përgjigje të qartë dhe, nëse më thotë diçka më konkretisht, del ndonjë tjetër që e përgënjeshtron...”, i shkruante diplomati Anton Vas ministrit të Punëve të Jashtme të Francës, Hugues-Bernard Maret, më 1912
Në ditën e 29 të gushtit, më 1812, diplomatit entuziast francez, Anton Vas, pasi kishte pritur jo shkurt për një takim me udhëheqësin e Prishtinës të asaj kohe, i jepet drita jeshile se Maliq Pasha e priste në orën 15:00. Vas i ngarkuar me misionin për të hapur një nënkonsullatë në qytezën e atëhershme të Vilajetit të Kosovës nën Perandorinë Osmane, duhet të ketë veshur kostumin më të mirë që posedonte e këpucët më të lustruara para se t’i dalë përpara pashait. Ishin takuar në rrethana të tjera, por pa mundësinë e një bashkëbisedimi pikërisht për çështjen përse diplomati mori rrugën nga Travniku për në Vilajetin ku dominojnë shqiptarët. Maliq Pasha pa fije ndjesie për një diplomat perëndimor e pretë atë i shtrirë në divan me këpucët e zbathura. Muhabeti bëhet bash sikurse mënyra e pritjes, pa kurrfarë interesi për të pasur një seli diplomatike të Francës së Napoleonit në qytet. Ky rast bashkë me marrëdhënien e Anton Vas me Prishtinën shpjegohen gjerë e gjatë në letrat e tij drejtuar eprorëve në Francë. E kjo përvojë, gjithnjë e përshkruar nga vetë Vas tash vjen në botimin më të ri të nismës “Prishtina në histori”, “Letrat nga Prishtina në vjeshtën e vitit 1892”.
Me përkthim të Yll Rugovës, botimi i “Varg” është promovuar të premten në ambientet e Institutit Francez në Prishtinë. Letrat e botuara në librin me pak më shumë se 100 faqe janë një pasqyrim politik, social, ekonomik e kulturor për Prishtinën, në sytë e perceptimet e një diplomati francez të asaj kohe. Franca napoleane synonte që marrëdhëniet ekonomike e tregtare të shkonin në tjetër nivel. Dhe, pikat diplomatike do të kontribuonin në këtë drejtim. Por udhëheqësi i Prishtinës në atë kohë, Maliq Pasha, sipas Vasit i shikonte fitimet e veta dhe mendonte veç për konakun e tij.
Yll Rugova, i cili udhëheq me platformën “Prishtina në histori”, ka thënë se tash e dy vjet janë duke punuar për të gjetur dokumente që tregojnë për zhvillimin e Prishtinës dhe botimi i ri është i treti me radhë.
“Tash kemi botimin e tretë që fokusohet vetëm në dokumente të arkivit diplomatik francez. Ishte tentativë për të hapur një nënkonsullatë në Prishtinë më 1812. Ishte epoka e Napoleonit kur ai po tentonte të vinte një sistem në kontinentin evropian dhe në punë e sipër për të pasur njëfarë kontrolli mbi tregtinë në disa vende, Prishtina u pa si një prej tyre”, ka thënë ai. Në atë kohë Napoleon Bonaparte kishte marrëdhënie deri diku miqësore me Perandorinë Osmane. Porta e Lartë në parim miratoi një ferman për lejimin e nënkonsullatës në Prishtinë. Por ende pa e marrë atë diplomati Vas ia mësyu kasabasë së Prishtinës.
“Eksperienca e tij nuk është aq e pëlqyeshme sa do të donte një diplomat. Në letra shohim përplasjen e dy botëve: Perandorinë Osmane që nuk po e përqafonte ende modernitetin dhe anën tjetër, moderniteti. Janë dhjetë letra që tregojnë shumë gjëra interesante”, ka thënë ai.
Në parathënien e librit ai ka shkruar se personazh tjetër i botimit është Maliq Pashë Gjinolli i dinastisë së sunduesve të Prishtinës, që nga perspektiva e Vasit, “mbase me ca ekzagjerime tipike të kohës, na del si despot gjakpirës që s’interesohet për asgjë tjetër pos për pasurim personal”.
“Ky, si edhe banorët e tjerë të Kosovës, janë krejtësisht indiferentë ndaj ngjarjeve të mëdha botërore dhe përveç pasurimit e kanë hallin vetëm te serbët”, ka shkruar ai. Rugova shkruan se pikëpamjet e diplomatit, ani pse patjetër bazohen në përvojë autentike, megjithatë duhen marrë me rezervë, duke i parë ato si perceptime të njëanshme të një personazhi me shumë paragjykime për vendin dhe njerëzit “e orientit” që nuk i njeh.
Vas në letrat e tij tregon se s’po i ofrohej ndonjë hapësirë e denjë për një diplomat dhe se Prishtina nuk është në gjendje të ofrojë ndonjë ndërtesë të tillë. Ngjajnë me ankesa prej njeriu që e kishte zor të hiqte dorë nga luksi perëndimor i kohës.
Ambasadori i parë i shtetit të Kosovës në Francë, Muhamedin Kullashi, ka thënë se bëhet fjalë për një botim interesant për disa arsye.
“Në thelb janë të gjitha problemet që një diplomat i ka në Prishtinë. Është mungesa e mirëkuptimit nga pashallarët. S’kanë fort mirëkuptim për ta mbështetur një diplomat francez”, ka thënë ai. Ka treguar se nëpërmjet letrave, Vas flet për vështirësitë që i dalin të krijojë lidhje diplomatike nga Prishtina me zonat e tjera. Më pas akademik Muhamedin Kullahi, i cili ka ligjëruar në universitetin “Paris 8” për ta kotekstualizuar kohën e letrave ka thënë se ajo qe periudha kur Napoleoni synonte njëfarë bashkimi të vendeve evropiane.
Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guérot, ka thënë se bëhet fjalë për gjeografi të njëjtë, por për kohë të ndryshme.
“Prishtina asokohe ishte nën perandorinë që qeverisej nga Stambolli. Kurse tash Kosova bën atë që pritet nga partnerët e saj dhe synon Bashkimin Evropian. Kjo tregon se gjërat varen shumë nga vullneti politik”, ka thënë ai. Ka treguar se e sheh interesante pasi midis librit dhe përditshmërisë së diplomatëve të sotshëm ka lidhje, meqenëse në botim përmendet se Vas ka lënë gruan e familjen prapa në Paris. Ka treguar se diplomatët e kanë këtë hall, megjithëse tash distancat e komunikimi janë krejtësisht më ndryshe se asokohe.
“Është një kontrast i madh nga ajo që ka qenë Kosova e që është tash dhe shihet se është në dorë të qeverive dhe liderëve se çfarë rruge duan të marrin. Kosova tash nga ana jonë është e mirëpritur në arkitekturën evropiane”, ka thënë ai.
Rrëfimet e përshkrimet e Vasit për Prishtinën janë të shumta. Gjatë gjithë kohës i raportonte ministrit të Punëve të Jashtme të Francës, Hugues-Bernard Maret. Njëfarë tollovie ballkanike që e përshkruan Anton Vas asokohe, në të tjera rrethana këto anë i ka përshkruar deri vonë.
“Nuk jam në gjendje t’i them Shkëlqesisë Suaj se deri ku shtrihet Qeveria e Prishtinës. Këdo që e pyes, shmanget të më japë përgjigje të qartë dhe, nëse më thotë diçka më konkretisht, del ndonjë tjetër që e përgënjeshtron...”, shkruante Vas.