Kulturë

“Komploti i Tiranës” rikthen mashtrimin artistik, provokon sistemin

Zanafillën e ka te një skandal midis artistit dhe publikut. Ardian Isufi, mbi dy dekada pas kësaj ngjarjeje reale, provokon sërish, por me një ekspozitë të vërtetë e shumështresore, e cila shtron shumësi pyetjesh. “Komploti i Tiranës” – ekspozita e tij e parë në Kosovë – është alarm. “Dhe gjithë ky mashtrim i madh risillet për t’i dhënë publikut mundësi për ta analizuar, sepse në vitin 2001 për publikun ishte e pamundur që të jepte ndonjë mesazh, reagim apo një reflektim”, ka thënë Isufi

Disa objekte të vogla që duken si të ndërtuara prej çimentoje vijnë me forma të ndryshme – prej katrorit, gjysmërrethit, herë më të rrumbullakuara, ovale a në formë hinke. Këto objekte pengojnë ecjen tek mbajnë distancën me shikuesin. Por befasia ndodh kur ato nisin e lëvizin duke pamundësuar edhe më lëvizjen e publikut.

Image
“Concrete Bonbons” janë titulluar këto objekte lëvizëse në “Komplotin e Tiranës”

“Concrete Bonbons” janë titulluar këto objekte në “Komplotin e Tiranës” të Ardian Isufit, e hapur në Galerinë Kombëtare të Kosovës, në Prishtinë. Në përshkrimin që ai i bën vetë këtij objekti duke dashur që ta hedhë në udhë publikun, del se ato janë reflektimi i kryeqytetit shqiptar dhe qyteteve te tjera.

Bonbons’- hapësira publike shqiptare, në Tiranë dhe në të gjitha qytetet e Shqipërisë po përjeton një fenomen tejet të shëmtuar dhe uzurpues. Disa objekte në dukje të vogla, që kufizojnë apo rrethojnë territore të caktuara publike, ndërhyjnë dhunshëm në liritë dhe të drejtat e përbashkëta qytetare të komunitetit”, thuhet në përshkrim.

Të ngulur janë skulpturat që i ngjajnë njëbrirëshit. Briri i tij i mprehtë duket pafundësisht i gjatë veçmas në profil. Por, nga ky këndvështrim arrin të vërehet se ky “njëbrirësh” nuk e tregon fytyrën e kalit, por një maskë, e cila i ngjan kësaj kafshe me një tub të zgjatur pothuajse sa briri i tij. Vetëm se ky i lëshuar poshtë si një hundë elefanti. Pjesa e qafës së këtij “kali” dhe briri i tij janë punuar me një material të fortë ngjyrë të kuqe, ndërsa totalisht ndryshe duket maska e tij ngjyrë gjelbër prej gome.

Image
“Utopike” ka emrin kjo vepër artistike, që siç zbërthehet në shpjegim të parë është diçka e largët prej realitetit

“Utopike” ka emrin kjo vepër artistike, që siç zbërthehet në shpjegim të parë është diçka e largët prej realitetit. Diçka që mundohet të bashkojë dy botë që s’mund të bashkohen: atë të njëbrirëshit të përrallave me atë të realitetit të maskave.

Jo larg “Utopisë” brenda katër mureve prej xhami është një misër i zhveshur, por duket i çuditshëm në shikim të parë. Kokrrat ngjajnë me dhëmballët e njeriut. Është e vërtetë, me dhëmballa njeriu, artisti Ardian Isufi ka krijuar veprën e titulluar “Hibrid”, e cila vjen si një lojë me imazhin e paraqitur të ‘misrit’.

“Loja pamore reflekton dilemën humane të kafshim-uzurpimit dhe ironizon individin duke tjetërsuar rolet dhe funksionet kur ‘Kalliri’ kthehet në një qenie hibride kanosëse”, thuhet në tekstin kuratorial.

Image
“Komploti i Tiranës” ofron edhe objekte të ndryshme e të shumta, duke filluar nga vizatimet nëpër faqet e shkëputura të gazetave, piktura të bëra në satelitët e televizorëve, objekte të vogla të lëvizshme e të palëvizshme e deri tek ujku me çizme të kuqe

Ekspozita “Komploti i Tiranës” e hapur të enjten mbrëma shtrihet e shumëllojshme dhe shumëformëshe në të gjithë katin e parë të Galerisë dhe në gjysmën e katit të dytë të saj. Në të publiku mund të shohë imazhe të ndryshme të paraqitura përmes ekraneve të mëdha apo edhe të vogla, ku në secilën prej tyre vërehet qartë prania e dorës së artistit. Por, përveç kësaj ekspozita i Tiranës” ofron edhe objekte të ndryshme e të shumta, duke filluar nga vizatimet nëpër faqet e shkëputura të gazetave, piktura të bëra në satelitët e televizorëve, objekte të vogla të lëvizshme e të palëvizshme e deri tek ujku me çizme të kuqe. Të gjitha këto vijnë nga artisti bashkëkohor Ardian Isufi, i cili për këtë ekspozitë ka bashkëpunuar me tre kuratorë: italianin Gaetano Centrone, profesor Vladimir Myrtezai- Groshën dhe Elton Koritarin.

“Komploti i Tiranës” është ekspozita e parë personale e Ardian Isufit në Kosovë. Meqenëse Isufi është mjaft i njohur në Shqipëri, nëpërmjet kësaj ekspozite ai ka për qëllim që të njihet edhe nga artistët e artdashësit e Kosovës.

Në “Komplotin e Tiranës” ka sjellë disa nga veprat e tij të ekspozitave të tij të mëhershme, të cilat i ka ndarë në disa pavijone. Përmes kësaj ekspozite synon që ta kthejë edhe një herë në debat për publikun, duke ia dhënë atij një mundësi të dytë, për mashtrimet që artistët e rremë ia kishin bërë publikut gjatë Bienales së parë në Tiranë.

“Titulli ‘Komploti i Tiranës’ lidhet me një nga pavijonet në ekspozitën time personale që flet për një ngjarje të disa viteve më parë, ‘Bienalja e parë e Tiranës’, që u mbajt më 2001. Gjatë kësaj bienaleje kishte një çështje që lidhej me abuzimin apo mashtrimin që i bëhet sistemit të artit, ku një kurator imagjinar, i rremë prezanton disa artistë që kishin vepra jo thjesht aktiviste, por që dëmtonin imazhin e publikut, dëmtonin në njëfarë mënyre komunikimin me publikun, artistë që vinin me mesazhe terroriste, raciste, mesazhe të cilat ishin po ashtu nga artistë imagjinarë dhe të rremë”, ka shpjeguar Isufi.

Sipas tij, ky mashtrim rikthehet edhe një herë para publikut, sepse tash, pas më shumë se njëzet vjetësh nga Bienalja e parë e Tiranës, ky publik e ka më të qartë të vërtetën e asaj bienaleje dhe rrezikun që, në atë kohë, i kanosej artit shqiptar në përgjithësi.

“Dhe gjithë ky mashtrim i madh risillet për t’i dhënë publikut mundësi për ta analizuar, sepse në vitin 2001 për publikun ishte e pamundur që të jepte ndonjë mesazh, reagim apo një reflektim dhe unë e risjell edhe një herë për të sjellë në debat publik analizën e asaj se çfarë ndodh me sistemin e artit, çfarë janë pikat që ky sistem mund të besohet, pika që ky sistem krijon validitetin e tij”, ka shpjeguar Isufi.

Njëri nga tre kuratorët, Elton Koritari, u shpreh i gëzuar për hapjen e kësaj ekspozite pas eksplodimit të pandemisë së koronavirusit. Ai uroi që “Komploti i Tiranës” të jetë një ogur i bardhë për të gjithë artistët, që siç u shpreh ai “kanë kaluar një situatë vërtetë të vështirë.

Lidhur me punën e tij me një artist siç është Ardian Isufi, Koritari ka shpjeguar se puna me artistët e mëdhenj aq sa është sfiduese dhe e frikshme, aq është edhe e bukur dhe domethënëse.

“Kjo është hera e parë që unë kam kuruar një ekspozitë të Ardianit. Preciziteti i tij për një kurator është një lloj makthi, por që në të vërtetë është edhe ajo që një kurator e ëndërron. Ne duam një brumë për të cilin duam të punojmë dhe Ardiani ka brumë të mjaftueshëm”, ka thënë ai për KOHËN.

Ka edhe për arsyet e përzgjedhjes që u ka bërë veprave të Isufit, si dhe punën e tij në atë që i quan “Projekte të pamundura”.

“Ka disa momente që më nuk e kupton se kush është kuratori e kush artisti, sepse gjërat shkojnë në një simbiozë të thellë. Niveli im, shtresëzimi im për këtë ekspozitë është mjaft i qartë. Unë e kam quajtur ‘Projekte të pamundura’. Pra, ato punë që unë i kam zgjedhur nga Ardiani, janë punë të cilat hetojnë anatominë e artistit, mendjen e tij dhe mbi të gjitha stimulojnë artistët. Herë pas here këto bëhen projekte të pamundura, sepse janë shumë më të mëdha se vendi ku jetojmë, fatkeqësisht”, ka shpjeguar Koritari.

I pranishëm në hapje ishte edhe profesori nga Tirana dhe njëherësh kuratori i ekspozitës “Komploti i Tiranës”, Vladimir Myrtezai – Grosha. Në hapjen solemne ai ka thënë se ekspozita i thotë vetë të gjitha dhe se publiku duhet ta shohë vetë atë, që ta kuptoj punën e palodhshme artistike të Isufit. Lidhur me këtë ai ka përmendur edhe intervistën e cila jepet nëpërmjet tre televizorëve të vendosur në pjesën e fundit të ekspozitës, duke theksuar se Ardian Isufi ka një hapësirë të plotë për t’u shprehur dhe për të na serviruar atë parehatinë e tij, parehatinë e artistit”.

Nga Italia për kurimin e kësaj ekspozite ka ardhur edhe artisti Gaetano Centrone, i cili ka shprehur mirënjohjen që ka pasur mundësinë të punojë me Ardian Isufin. Autorin e “Komplotit të Tiranës”, Centrone e ka cilësuar si njeri të besueshëm dhe koherent, i cili përmes veprës së tij i flet publikut.

një artist që e mbron të gjithë skenën si në koncept ashtu edhe në tradicionalen e artit. Ajo që është më e rëndësishme është se ai i flet komunitetit, ai flet për komunitetin, më shumë sesa flet për vetveten, nëpërmes artit të tij”, ka thënë Centrone, para publikut.

Sipas tij, krijimtaria e Isufit realizohet nëpërmjet dy sintezave, ku realizon “shkëlqyeshëm marrëdhënien me publikun duke u bërë edhe pjesë e tyre”.

“Sinteza e parë është se Ardian Isufi është një artist i cili e realizon në mënyrë të shkëlqyeshme marrëdhënien sociale me publikun. Sinteza e dytë është që Isufi e njeh shumë mirë dhe i përzien kufijtë nëpërmjet politikës dhe publikut dhe bëhet pjesë e atij grupi social, duke mos pretenduar të japë ndonjë përgjigje, por duke shtuar shumë pyetje”, ka thënë ai.

Ekspozita “Komploti i Tiranës” do të qëndrojë e hapur deri më 12 qershor.