Kulturë

Kosova e Shqipëria në këngë e valle për ikonën Nexhmije Pagarusha

Këngët e saj janë testamenti që ia ka lënë kulturës shqiptare, e kujtimi për të përherë rikthen magjinë e zërit të saj. Në këtë format qe edhe koncerti i përbashkët i ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota” dhe Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore të Republikës së Shqipërisë, të enjten mbrëma në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Këngët e kënduara prej saj kaherë janë thesar i trashëgimisë së muzikës shqipe, e ndonëse vitet kalojnë, rizbulimi i tyre nuk soset dot. Zëri i Bilbilit të Kosovës vazhdon të jehojë nëpërmjet kujtimit për të, që më së miri bëhet nëpërmjet muzikës. Në këtë format qe edhe koncerti i përbashkët i ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota” dhe Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore të Republikës së Shqipërisë, të enjten mbrëma në Teatrin Kombëtar të Kosovës. E vogël ka qenë skena, njashtu sikurse edhe salla e mbushur plot në ngjarjen për emrin e madh të kulturës shqiptare. Nexhmije Pagarusha vdiq më 7 shkurt të vitit 2020. Në ditën e shtatë të këtij muaji do të mbushte 89 vjet.

“E di që mungesën e Nexhmijes nuk e ndiej vetëm unë, e ndieni edhe ju. Me të kam një jetë artistike së bashku, gjysmë shekulli kaluan. Kemi ndarë shumë batuta, shumë gëzime, hidhërime dhe natyrisht se e ndiej mungesën e saj shumë, sikurse edhe ju. Na mungon, por ajo është në zemrat tona, në radiot dhe televizionet tona”, ka kujtuar këngëtarja Shpresa Gashi, mikja e Pagarushës, në skenën që në sfond e ka pasur të projektuar portretin e mbretëreshës së këngës. Gashi ka kënduar pjesë nga kënga “Hopa Nina”.

Secila pikë muzikore është përcjellë me duartrokitje, ndërsa fytyrat e publikut ishin veshur me buzëqeshje mallëngjimi. Koncerti u hap me valltarët e ansamblit “Shota”, të cilët mbushën skenën e Teatrit me “Fluturojmë me shpirtin tënd” të koreografit Artan Ibershimi, dhe muzikë të Ylber Asllanaj, njëherësh udhëheqës artistik i “Shotës”. Energjia e valltarëve e ka zbërthyer hijshëm titullin e valles që vjen si lloj kujtimi. Më pas, vallja e tyre u përcoll nga instrtumentali i këngës ikonike të Pagarushës, “Baresha”.

Seria e këngëve të pavdekshme të këngëtares nisi me një nga këngët qendrore të repertorit të saj “Një lule që m’ka çel tash” në interpretim të këngëtares Zana Abazi-Ramadani. Përveç Pagarushës, koncerti riktheu edhe kujtimin për këngëtaren e mirënjohur të këngës qytetare, Fitnete Rexha.

Image
“Na mungon, por ajo është në zemrat tona, në radiot dhe televizionet tona”, ka kujtuar këngëtarja Shpresa Gashi, mikja e Pagarushës

“Mu aty ke shtatë zymbyla” ishte kënga e saj që u interpretua nga këngëtarja nga Shqipëria, Iris Bega.

“Për mua ishte kënaqësi të performoja për skenën dhe publikun e Kosovës. Unë kisha përzgjedhur një këngë të vjetër të Shqipërisë së Mesme nga Fitnete Rexha”, ka thënë ajo derisa ka shtuar se këngët e vjetra, sikurse nga dy këngëtaret ikonë, përcillen me shumë dashuri nga i gjithë populli shqiptar.

Publiku ka mundur të dëgjojë edhe këngët e Pagarushës “Ani mori nuse” në interpretim të Violetë Kukajt, “Për ty vuaj, për ty këndoj” nga Mirvete Bajrami-Haziri, “Kur me del në derë” nga Saranda Alija, “O zambaku i Prizrenit” nga Malvina Likaj. Edhe më shumë u pasurua nga repertori i pasur i këngëve të vjetra shqipe: “Mori gocë me shumë naze” e Fitnete Rexhës, në interpretim të Adela Bezhanit dhe “Kaba me klarinetë” e klarinetistit shqiptar, Laver Bariu, që e interpretoi Artan Shabani.

Nga të gjitha këngët e dëgjuara më parë, befasi për publikun ishte kënga e kompozitorit Fahri Beqiri “Mbushni gotat”, që me emocion të veçantë u interpretua nga këngëtarja Edona Reshitaj, shoqëruar nga kori i dy ansambleve. Është kënga, e cila më 2018 e riktheu Pagarushën para publikut në duet me Violetë Kukajn.

Në koncert u kujtuan gjithashtu doajeni i ansamblit “Shota”, Ismet Bogujevci, dhe legjenda e sportit kosovar, boksieri Xhevdet Peci, i cili vdiq këtë javë.

Koncerti qe pjesë e asaj që është quajtur “Gjerdani i Artë”, që vjen në kuadër të Kalendarit të përbashkët kulturor midis Kosovës e Shqipërisë, i cili u ripërtëri në nëntorin e vjetëm.

“Ne menduam të organizojmë këtë aktivitet, i cili ka qenë i paraparë të organizohej para tre muajve dhe besoj se ia arritëm të bëjmë diçka për të kujtuar Nexhin, Bilbilin e këngës popullore. Është një kalendar që do të vazhdojë me aktivitete të tjera, sidomos në kuadër të festës së Pavarësisë së Kosovës, por ne mendojmë ta zgjerojmë edhe në vendet e tjera shqiptare, të mos e kufizojmë vetëm në Kosovë dhe Shqipëri, por të jetë edhe më gjerë”, ka thënë ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhozi, teksa ka thënë se nuk ka gjë më të bukur sesa të kujtohet ikona e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha.

Image
“Mbushni gotat” u interpretua nga këngëtarja Edona Reshitaj

Nexhmije Pagarusha ka lindur më 7 maj 1933 në fshatin Pagarushë të Malishevës. Filloi të këndonte që në fëmijëri, por karrierën e vërtetë e nisi më 1948, si këngëtare e Radio Prishtinës. Gjatë karrierës së saj, me saktësi e bukuri i këndoi këngët e përpunuara dhe të kompozuara nga bashkëshorti i saj, kompozitori Rexho Mulliqi, teksa përveç muzikës ka ushtruar edhe aktivitet prej aktoreje, duke u paraqitur në disa vepra skenike e filma, si: “Tre vetë kapërcejnë malin”, “E kafshoja terrin”, “Fluturimi i Micakut”. Vlerësimi i lartë dhe dashuria e madhe që kishte publiku ndaj saj bënë që ajo të gëzonte titullin “Bilbili i Kosovës” Karrierën prej këngëtareje e përmbylli në vitin 1984 me një koncert të madh në Sarajevë. Për të fundit herë ngjiti shkallët e skenës, që e shoqëroi gjithë jetën në koncertin që u organizua për nder të Ditës së Flamurit Kombëtar më 28 nëntor 2018, zëri i së cilës jehoi edhe një herë tjetër para publikut, pa ditur se kjo ishte e fundit herë.