Kulturë

Qen të egër, art i egër

Manifesta 2022, Prishtinë

Gazeta gjermane DIE ZEIT shkruan për Festivalin Manifesta në Prishtinë, një qytet me ajrin më të ndotur në Europë, me mëkatet më të tmerrshme ndërtimore, qentë më agresivë dhe bërllokun e madh. Megjithatë, shkruan gazeta, dashuria për këtë qytet zbulohet tek në shikim të dytë.

Ndërsa bota shikon drejt Bienales së Venedikut, në Prishtinë më 22 korrik do të hapet festivali Manifesta, bienalja nomade europiane. Kuratore e Festivalit është zgjedhur Catherine Nichols, një australiane që nga Berlini do të punojë në Prishtinë. Ajo përmend menjëherë vuajtjet e njerëzve në Kosovë për të marrë një vizë, problemin me bërllok në kryeqytetin më të ri të shtetit më të ri të Europës, qentë endacakë që kafshojnë dhe ajrin më të ndotur në Europë. Në shikim të parë është zor ta duash Prishtinën, në shikim të dytë kjo është më lehtë.

Arkitekti nga Torino i Italisë Carlo Ritti me ekipin e tij ka identifikuar 22 vende në Prishtinë ku do të mbahen lexime, Workshope, podkastë dhe një program radioje në një bibliotekë të braktisur, në bibliotekën Hivzi Sylejmani. Një “korridor i gjelbër” do të çojë nga qendra e qytetit te një fabrikë e vjetër tullash, në oborrin e së cilës do të hapet një pishinë.

Nichols thotë se rrëfimet më të bukura në Prishtinë i tregojnë taksistët. Njëri prej tyre quhet Tonibler, një kujtim falënderues për Tony Blairin, i cili si kryeministër britanik dha kontribut në bombardimin e Serbisë dhe çlirimin e Kosovës. “Tonibleri jep shenjë dhe kthehet nga Bulevardi Xhorxh Bush në Bulevardin Bill Klinton, në të cilin, pranë një butiku me emrin Hillary, gjendet statuja e Bill Clintonit”, shkruan DIE ZEIT.

Mes bërllokut, trafikut dhe mëkateve më të tmerrshme ndërtimore eleganca e Prishtinës vërehet tek në shikim të dytë, nënvizon gazeta. Në kulmin e hotelit Grand, ku dikur ka fjetur autokrati jugosllav Josip Brozi Tito, në korrik pritet të hapet një bar ku njerëzit do të ngrenë dolli për ngjarjen më të madhe kulturore të vendit dhe për një të ardhme në një Europë të bashkuar. Brutaliste nuk është vetëm arkitektura e hotelit Grand, por edhe Pallati i Rinisë, një relikt i socializmit jugosllav.

Në “Dit e Nat” jep koncert elektro-bendi “Sytë”. Këngëtarja Nita rrëfen për anët e errëta të jetës në Prishtinë. Ajo tregon se sa e lodhshme është të jesh përherë e informuar se çfarë po ngjet në politikë. Se si separatizmi katalans ndikon që Spanja të mos pranojë shtetin e Kosovës, të shpallur më 2008. Pse Turqia në Serbi hap fabrika, ndërsa në Prishtinë ndërton një xhami gjigante.

Bienalja Manifesta do të kushtojë gati 6 milionë euro, 40 për qind të shpenzimeve i bart Manifesta, e cila mjetet i ka siguruar nga sponsorët. Pjesën tjetër prej 3,6 milionë euro i paguan Ministria e Kulturës e Kosovës.

Në Kosovë, shkruan DIE ZEIT, është lehtë të takosh politikanët, por zor t’i interpretosh informatat e tyre. Kryetari i Prishtinës Përparim Rama thotë se do të ndërtohet një muze i artit bashkëkohor në oborrin e fabrikës së tullave. Konkursi, sipas tij, do të bëhet publik sivjet. Rama ëndërron Tate Modernin e famshëm të Londrës dhe shanset që ofrojnë syzet 3-D dhe Augmented Reality, një medium për zgjerimin virtual të realitetit. Ministri i Kulturës Hajrulla Çeku është pak më i kujdesshëm. Muzeu te fabrika e tullave? Një nga opsionet, thotë ai. Çka i duhet Prishtinës? Diçka të përhershme në këtë qytet të gjërave të përkohshme. Ky është bilanci i DIE ZEIT pas qëndrimit në Prishtinë.