Kulturë

Parkingjet në Qendrën Historike ndikim negativ në vlerat e zonës së mbrojtur

Aktivistët e shoqërisë civile në Prizren kanë shtruar nevojën për hartimin e një Plani të Mobilitetit për Qendrën Historike, me qëllim të zvogëlimit të numrit të automjeteve brenda kësaj zone, si dhe lirimit të hapësirave të uzurpuara për lëvizjen e lirë të këmbësorëve. Ata pohojnë se shtimi i qarkullimit të automjeteve ka pasur ndikim negativ në këtë zonë që mbrohet me ligj si trashëgimi kulturore

Qarkullimi në rritje i automjeteve brenda Qendrës Historike të Prizrenit sipas një hulumtimi të OJQ-së “EC Ma Ndryshe” po ndikon negativisht në këtë zonë të mbrojtur, ngase krahas degradimit po ngarkohen rrugicat dhe hapësirat. Bashkë me këtë, sipas monitoruesve të shoqërisë civile, po shtohet edhe kërkesa për parkingje, që në vitet e shkuara ka rezultuar me rrënimin e ndërtesave tradicionale, duke dëmtuar kështu përpjekjet për ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore në zonën e mbrojtur me ligj. Ndërkaq pushteti lokal ka nisur hartimin e një rregulloreje për Qendrën Historike, me të cilën synon që t’i zgjidhë problemet ekzistuese në këtë zonë.

Veron Tara nga OJQ “EC Ma Ndryshe” duke prezantuar hartën e parkingjeve brenda Qendrës Historike ka bërë të ditur se deri në vitin 2016 kanë qenë 25 parkingje private dhe 2 parkingje institucionale, derisa në vitin 2022 janë 30 parkingje private dhe 13 parkingje institucionale.

“Duke e parë shtimin e veturave brenda Qendrës apo në të gjithë qytetin është shtuar edhe shumë nevoja që të krijohen parkingjet e reja. Duke krahasuar me vitin 2016 kemi një rritje shumë më të madhe sesa që është dashur të jetë. Por kjo rritje ka ndodhur shumë më shumë në hapësirat publike sesa në parkingjet private”, ka thënë Tara.

Sipas tij, këto zhvillime kanë dëmtuar vlerat brenda zonës së mbrojtur.

“Deri në vitin 2016 janë rrënuar rreth 25 shtëpi tradicionale për t’u shndërruar në parkingje, dhe nga viti 2016 deri në 2022 janë shkatërruar 7 shtëpi që janë shndërruar në parkingje. Kjo ndikon direkt në degradimin e Qendrës Historike pasi që humb vlerat, që nuk mund të kthehen prapa”, është shprehur Tara.

Ai ka sqaruar se zona brenda sheshit të Shatërvanit është zonë e qarkullimit me leje të veçantë, me të cilat mund të pajisen vetëm banorët, bizneset dhe punëtorët publikë që punojnë brenda sheshit. “Por në gjendjen ekzistuese, në Shatërvan qarkullimi më i madh i veturave është pa leje të veçantë, të cilët edhe po e ngarkojnë më shumë sheshin. Po ashtu nëse referohemi te Plani i Konservimit i QHP-së tregohen qartë kategoria e rrugëve dhe mënyra e qarkullimit, ku specifikisht tregohet se në sheshin Shatërvani ndalohet plotësisht qarkullimi i mjeteve motorike. Duke u referuar në Planin e Konservimit mund të jetë baza ndaj të së cilës mund të hartohet Plani i Mobilitetit. Ky Plan qëllim kryesor ka menaxhimin e Qendrës në aspekt motoristik, në të cilën kategorizohen shtresat rrugore, mënyra e lëvizjes së veturave dhe kufizimet e lëvizjeve”, ka bërë të ditur ai.

Në të njëjtën kohë ka shtuar se një qytet me më pak vetura do të kishte ndikim në krijimin e një ambienti më të pastër dhe më cilësor, pasi do të lironte hapësirat e bllokuara, do të ishte më i qasshëm dhe më gjithëpërfshirës për të gjithë qytetarët, si dhe do të ofronte vizura më të bukura të qytetit. “Andaj rekomandohet që sa më parë të hartohet Plani i Mobilitetit dhe të fillojë implementimi i tij në mënyrë që të ulet degradimi i Qendrës Historike të Prizrenit”, ka deklaruar Tara.

Në anën tjetër, zyrtarja për marrëdhënie me publikun në Komunën e Prizrenit, Jona Hoxhaj, ka pohuar se për trajtimin e një numri të konsiderueshëm të sfidave në Qendrën Historike, ekzekutivi ka iniciuar procesin e hartimit të rregullores për këtë zonë, ku janë të përfshirë edhe hisedarë të tjerë. “Një rregullore për Zonën Historike është jashtëzakonisht shumë e rëndësishme që të bëhet nga Komuna, sepse Komuna edhe ka në menaxhim këtë zonë historike”, ka thënë Hoxhaj.

Dispozitat e Ligjit të Qendrës Historike të Prizrenit përkufizojnë se organet komunale duhet të hartojnë planin e transportit automobilistik për këtë zonë me qëllim të sigurimit të lëvizjes së lehtë dhe të vazhdueshme, duke promovuar mjetet jomotorike të transportit.