Duke e pranuar zyrtarisht islamin, ata ua hoqën turqve mundësinë që të trajtoheshin prej tyre në atë mënyrë që ata i kishin trajtuar fiset fitimtare, por që në të njëjtën kohë shqiptarët ia kishin dalë ta ruanin mënyrën e tyre të jetesës, institucionet e tyre zakonore, sado të huaja ishin ato për Islamin. Turqia e çmonte Shqipërinë, kishte frikë se mos e humbiste atë prandaj, ajo edhe ishte e kënaqur me nënshtrimin fiktiv të Shqipërisë
Pesë shekuj më parë Shqipëria e përqafoi islamin, por në të njëjtën kohë shqiptarët i mbetën besnikë traditës së vjetër (së drejtës zakonore). Ata e pranuan myslimanizmin si një besim fetar sundues, pasi edhe turqit siç dihet, u vendosën në Evropë për një kohë të gjatë, por jo përgjithmonë! Shqiptarët vetëm duke u fshehur pas flamurit të profetit Muhamed, ia dolën që ta ruanin pavarësinë sociale dhe origjinalitetin familjar të shtëpisë, që njëkohësisht, ishin kaq të huaja për islamin!
Ideja e shtetit kurrë nuk ka qenë në themel të pushtimit turk në Evropë. Tek instinktet e hordhive pushtuese, turqit kishin ushqyer principin e trashëguar nga Bizanti “përçaj e sundo” (divide et impera) prandaj nga kjo madhështi e fuqi, që i karakterizonte turqit, ata megjithatë, nuk ia dolën që t´i shkonin asgjëje deri në fund. Në historinë e mesjetës, Turqia është një farë konglomerati i pashallëqeve gjysmë të pavarura. Qeveria qëndronte larg nga jeta e popujve që u gjetën nën drejtimin e saj. Shkurt e qartë, popujt e ndryshëm nevojiteshin vetëm si forca luftarake, si forca për mbledhjen e haraçit për Portën e Lartë, e cila në fakt duket se nuk kishte punë tjetër.
“Lufto për islamin, por beso çfarë të duash”
Nga ana tjetër, feja myslimane ishte më e huaja se gjithë fetë e tjera për frymën e prozelitizmit, për të cilën këta popuj drejtoheshin me forcë, por megjithatë, propaganda fetare praktikohej pak. ”Lufto për islamin, por beso çfarë të duash” – ky është principi i myslimanizmit, sipas një shprehjeje të përshtatshme që unë e kam vendosur te shënimet e mia, ku në fakt jam duke e sistemuar këtë material me shumë vlerë. Prandaj, shqiptarët e kishin të lehtë ta ruanin gjysmëpavarësinë e tyre dhe të izoloheshin nga pikëpamja e traditave por edhe nga ballafaqimi me sfidat e jetës së përditshme.
Por, koha kalonte me ritmin e vet të ngadaltë dhe gjërat ndryshuan këtu në mënyrë graduale.
Disfatat e armëve turke dhe triumfi i krishtërizmit e minuan pushtimin e vendeve të reja, por rivaliteti në mes të shteteve të ndryshme me diversitete kulturore e shtynë Turqinë, që si model ta pranojë zbatimin e konceptit të pushteteve evropiane. Dashje pa dashje, Turqia u desh që ta përpunonte idenë e shtetit dhe në të njëjtën kohë të fillonte luftën kundër provincializmit (pavarësisë apo autonomisë të krahinave të dikurshme të Perandorisë Osmane) luftë kjo që po zhvillohej nën hije, por njëkohësisht, Turqia tani duhej të luftonte edhe kundër fiseve që kishin mbijetuar e ishin forcuar, dhe tashmë e synonin pavarësimin e tyre në rrënojat e Perandorisë Osmane në shpërbërje e sipër.
Edhe në këto raporte, shqiptarët u gjetën në situatë më të favorshme. Duke e pranuar zyrtarisht Islamin, ata ua hoqën turqve mundësinë që të trajtoheshin prej tyre në atë mënyrë që ata i kishin trajtuar fiset fitimtare, por që në të njëjtën kohë shqiptarët ia kishin dalë ta ruanin mënyrën e tyre të jetesës, institucionet e tyre zakonore, sado të huaja ishin ato për islamin. Turqia e çmonte Shqipërinë, kishte frikë se mos e humbiste atë, prandaj ajo edhe ishte e kënaqur me nënshtrimin fiktiv të Shqipërisë.
Turqia donte që Shqipëria të bëhej Turqi!
Territore të Shqipërisë bënin pjesë në përbërjen e provincave të ndryshme të Turqisë, megjithëse udhëheqësit këtu emëroheshin kryesisht nga burokracia turke, por brenda territoreve shqiptare nuk kishte luftëtarë turq. Shqiptarët i përgatitnin vetë luftëtarët e tyre dhe këmbëngulnin t’i shmangeshin shërbimit të përgjithshëm ushtarak. Nganjëherë, Turqia donte që Shqipëria të bëhej Turqi! Ajo tërhiqte në Stamboll familje shqiptare aristokrate të vendit, që më vonë ato t’u shërbenin interesave të pastra të turqve dhe kur këto familje ktheheshin mbrapa në vendet nga kishin ardhur, ato ngjallnin mosbesim tek popullata vendore shqiptare, që tani leje sa nuk i donte ato, por madje fillonte që në mënyrë të hapur ta nënçmonte pushtetin turk. Në të vërtetë, populli shqiptar nuk i do këto familje aristokrate, sepse kuptohej motoja e veprimit të pushtetit turk në këtë drejtim: dorëzohu te turqit për t’i nënshtruar provincat e tjera dhe në këtë nënshtrim do t´i vinte fundi edhe pavarësisë së shqiptarëve!
Shqiptarët i besojnë shumë pak pavendosmërisë
Të gjithë që këtu i njohin shqiptarët, janë të bindur që ata nuk do të ndalen me kaq. Në qoftë se lufta vazhdon deri në pranverë (viti 1878) – ata patjetër që do të përfshihen në të. Ata janë tepër luftarakë, tepër të zgjuar dhe e kuptojnë se epoka e sotme është jashtëzakonisht e rëndësishme për ata. Tani ata duke parë dhe duke pritur, janë shndërruar në besnikë të parimit të tyre politik për të mos rënë në anën e më të dobëtit e më të pavendosurit! Shqiptarët i besojnë shumë pak pavendosmërisë...Ne duhet ta parashikojmë këtë dhe kur lëvizja fillon (lufta e shqiptarëve), duhet ta drejtojmë atë në mënyrë të tillë që ajo të jetë në interesin tonë (rus) për ne dhe jo kundër nesh! Ne nuk duhet t´i anashkalojmë zonat periferike të Shqipërisë që tanimë janë të islamizuar si Prizreni, Tetova etj. Më pastaj, islami ka lëshuar rrënjë në brigjet e liqenit të Ohrit si dhe në qytete të tjera. Prej këtyre viseve e kanë origjinën bandat që kanë kryer grabitje në Maqedoni, Thesali, Epir dhe në “Serbinë e Vjetër” bile këto banda kanë vepruar me dije dhe me miratimin e qeverisë turke, dhe në këtë mënyrë qeveria turke ka mbjellë grindje në mes të myslimanëve dhe të krishterëve. Madje duke tentuar që këtu ta vendosë administratën e përgjithshme, qeveria turke është përpjekur të dëshmojë që ajo e merr këtë masë kinse për t´i mbrojtur të krishterët nga sulmet e shqiptarëve, prandaj ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve (në zonat periferike) ekziston një antagonizëm i vërtetë.
Mbrojtja e të krishterëve nga “shqiptarët e lirë”
Me shumë mundësi, duke dashur që kinse t’i qetësojë shqiptarët, qeveria turke në rast të vazhdimit të luftës (dhe ajo parashikohet) do të ndalojë që më tej t´i mbrojë të krishterët nga “shqiptarët e lirë” bile edhe në këtë drejtim qeveria turke do të dalë hapur dhe do t´ua lërë duart e lira grabitësve të armatosur!
Në kohët e rrezikshme për vendin, Shqipëria gjithmonë është shndërruar në një trup dhe një shpirt, pra si një trup i vetëm, pavarësisht përçarjeve të brendshme e të përditshme, ku në fakt lidhjet e përgjithshme të “fisit” nuk vërehen askund në sipërfaqe dhe asnjë ligj i bashkëveprimit nuk është i shkruar, por ligjet e Skënderbeut ishin të njohura qysh prej shekujve më të hershëm. Ruajtës të këtyre ligjeve janë priftërinjtë, të cilët jetojnë në qendër të Shqipërisë së Veriut, dhe ata e kanë origjinën prej familjeve që jetojnë në Malësi, Mat dhe Krujë. Sikur zonat periferike të Shqipërisë të ishin islamizuar, sa shumë fretër italianë e agjentë austriakë do të punonin në ambientet e shqiptarëve të krishterë, bile edhe Shqipëria e Jugut do të shkonte si një trup i vetëm pas popullsisë së Malësisë, Matit dhe Krujës. Por, duket qartë se Shqipëria njihet pak. Duke gjykuar për të mbi bazën e marrëdhënieve me grekët, me malazezët dhe me serbët, që shqiptarët i kanë tradhtuar ata në mënyrë të vazhdueshme, në anën tjetër as grekët, as serbët e as malazezët, kurrë nuk kanë pasur punë me gjithë “fisin” shqiptar, por vetëm me familje të veçanta dhe agjentët e shteteve fqinje kurrë nuk kanë depërtuar në thellësi të Shqipërisë! Së dyti, shqiptarët në mënyrë të shkëlqyeshme e kanë kuptuar se as grekët, as serbët dhe as malazezët me forcat vetanake kurrë nuk do t’ia dalin që ta mposhtnin Turqinë, e cila gjithmonë do të vazhdojë të ekzistojë...Por, në anën tjetër, kurrë nuk do të shfaqet ndonjë fuqi që do të arrijë të krijojë ndjenjën e mirësisë në sytë e shqiptarëve!
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë
Përgatiti: Skënder Latifi