Ahmet Brahimaj – maestro në balet e shembull në jetë
Familjarë, miq, kolegë e ish-nxënës të tij, janë bërë bashkë të shtunën në Teatrin Kombëtar të Kosovës në takimin në kujtim të Ahmet Brahimajt
Në të gjallë e si udhëheqës i Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj i çmonte fort ata që e ndihmonin dhe e përkrahnin baletin e artin në përgjithësi. Dhe kujtimi për të, në dyvjetorin e vdekjes është dëshmi se virtytet e tij i ka trashëguar te familja, ish-nxënësit e miqtë e tij. Të shtunën në Teatrin Kombëtar të Kosovës është rikthyer shëmbëlltyra e fisnikut në balet e në jetë, shembullit që duhet ndjekur
Është një fotografi ikonike që e portretizon maestron e baletit: ulur në rendin e dytë të ulëseve të kuqe të sallës boshe të Teatrit Kombëtar të Kosovës, me syze me kornizë rrethore, buzëqeshje të lehtë. Ai rëndom nuk ulej aty. Ishte krejt kohën në këmbë tek u bënte vend miqve e adhuruesve të baletit. Dhe kur niste shfaqja, zhvendosej në prapaskenë.
Po kjo fotografi – por bardhezi e me mbishkrimin “Në kujtim të Ahmet Brahimajt” – e projektuar në sfondin e skenës, ka qenë e para që ka rënë në sy të shtunën në mesditë në TKK në takimin përkujtimor në dyvjetorin e vdekjes së atij që kaherë e ka marrë epitetin fisnik i baletit.
Profesionalizmin që e la si trashëgimi të skenës së artit të baletit në Kosovë e vlerat prej njeriu u panë, edhe pse ai nuk ishte fizikisht aty. Katër balerina e dy balerinë përshkuan gjithë skenën e Teatrit Kombëtar, teksa kanë performuar një pjesë nga ”Exil” me koreografi të Eno Peçit.
Nën tingujt e lehtë të violonçelit interpretuar nga Fjolla Asllanaj dhimbja nuk qe krejt ajo çka u përmend. Ajo mbetet nën hije, prej veprës, krijimtarisë dhe vlerat prej njeriu.
“Të flas për mungesën e Ahmetit është diçka që duhet të flas shumë gjatë, por për vlerat e tij edhe më gjatë. Ajo që në çdo moment më forcon është që Ahmeti kishte duar të çelikta, të mbështjella me gëzof të kadifesë me të cilin mbante miqtë, familjen, dhe sidomos Baletin e Kosovës, të gjithë balerinët të cilët me përkushtimin më të madh dhe bindjen ndaj tij, i mposhtën të gjitha pengesat dhe përfaqësuan në të gjitha vendet në mënyrë të denjë”, ka thënë bashkëshortja e tij, Zogëza Brahimaj.
Balerini i gjeneratës së parë të baletit në Kosovë u përshkrua si njeri fisnik në jetë e profesion dhe si personi më i rëndësishëm i baletit në vend.
“Kur jeta të takon me njerëz të tillë është bekim, të gjithë ne pa dallim jemi të nderuar dhe të bekuar të mësojmë virtytet e një njeriu që çdo orë e minutë ishte shembull dinjitoz në aspektin njerëzor e profesional, e sidomos për ne ish-nxënësit e tij që patëm fatin ta kemi udhërrëfyes”, ka thënë drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi, njëherësh ish-nxënës i gjeneratës së parë të shkollës së baletit paslufte, të cilën Brahimaj e kishte rithemeluar kur hapi degën e baletit në kuadër të shkollës së muzikës “Prenk Jakova”, pasi kishte ndaluar së funksionuari në vitin 1991.
“Ajo që në çdo moment më forcon është që Ahmeti kishte duar të çelikta, të mbështjella me gëzof të kadifesë me të cilin mbante miqtë, familjen, dhe sidomos Baletin e Kosovës, të gjithë balerinët të cilët me përkushtimin më të madh dhe bindjen ndaj tij, i mposhtën të gjitha pengesat dhe përfaqësuan në të gjitha vendet në mënyrë të denjë”, ka thënë Zogëza Brahimaj, bashkëshortja mjeshtrit të baletit
Qëllimi dhe vizioni i tij për baletin ishin të qartë. Vlerësonte se duhej punë dhe kualitet për të dalë faqebardhë në këtë art.
Kajtazi ka kujtuar kur profesori i tij i baletit i shtynte ata të vazhdonin ushtrimet, pavarësisht rrethanave e faktorëve që ndikonin.
“Salla e Baletit në Teatrin Kombëtar ku i mbanim ushtrimet e shkollës së baletit, nga viti 2001 deri 2005 nuk kishte dritare. Ndodhte shpesh kur ndalej rryma dhe për të vazhduar me ushtrimet normalisht, profesori Ahmet ndizte qirinj dhe i vendoste në qoshet e sallës dhe kështu vazhdonim”, ka kujtuar Kajtazi.
Arti e kultura kanë humbur një artist të përmasave të mëdha e shoqëria e tij një mik të vërtetë.
“Jam i emocionuar këtë ditë, të gjithë jemi. Për tërë këto vite, kemi filluar bashkë dhe kështu kemi qenë deri në fund. Të flasësh për shëmbëlltyrën e tij nuk mjaftojnë fjalët, kam tërë jetën të flas për të”, ka thënë Rrustem Bajrami, koleg e mik i afërt i Ahmet Brahimajt.
Kujtimet për të janë rikthyer edhe nëpërmjet transmetimit të një video-materiali që bën bashkë copëza materialesh arkivore.
“Ahmet Brahimaj ka qenë së pari shumë shok i mirë, ka dashur shumë t’u ndihmojë njerëzve para vetes”, shihet tek thotë aty ish- balerini Jonuz Beqiri.
Ahmet Brahimaj me balet kishte filluar të merret qysh herët, por karriera e tij po avancohej kur disa lëvizje të tij si nxënës i vitit të parë të shkollës normale i kishin bërë përshtypje jurisë që do të përzgjidhte disa të rinj që do të përbënin gjeneratën e parë të balerinëve kosovarë, në atë që ishte Krahina Socialiste e Kosovës në vitin 1968. Atë periudhë Brahimaj e përshkruante si një kohë kur po shkonin në Shkup për të përfunduar një shkollë baleti, por që nuk ia kishin idenë se çfarë do të bënin.
“Na dërguan në një internat, por ne as gjuhën nuk e dinim mirë”, do të rrëfente ai për ngjarjen të cilën e kishte përmendur edhe në një intervistë për Kohavision, në të cilën po ashtu do të shpaloste rrugëtimin e tij skenik, duke përmendur edhe rolet që i kanë ngelur merak për t’i luajtur. “Kam pasur qejf ta luaj rolin e Konstandinit, por nuk më është dhënë. Më ka mbetur zhig”, kishte rrëfyer Brahimaj.
Pas katër vjetësh, së bashku me kolegët e tij, në Prishtinë formuan Ansamblin e Baletit në atë që ishte Teatri Popullor Krahinor. Në këtë ansambël, Ahmet Brahimaj ishte bërë solist duke luajtur në të gjitha shfaqjet e inskenuara. Janë gjithsej 38 premiera baleti si “Karmen” ku luante Don Hosen, Romeon në “Romeo e Xhulieta”, komandantin në “Era dhe Kolona” e princin në “E Bukura More”.
Të rënda ishin vitet e 90-a për Brahimajn, kur më 1991, Ansambli i Baletit ishte ndër të parët që braktisi jetën institucionale, për shkak se u rrit presioni serb mbi shqiptarët e Kosovës që më pas, kjo ndikoi edhe në gjendjen e tij ekonomike, pasi nuk punonte asgjë dhe iu rëndua gjendja ekonomike. I ishte ofruar pozita për të punuar në stafin e ish-presidentit Ibrahim Rugova, mirëpo kishte refuzuar, duke thënë se ai i takonte baletit. Në luftën e viteve 98’-99’ humbi nënën dhe vëllanë, ndërsa vetë kishte përfunduar në Kanada si refugjat.
Katër balerina e dy balerinë përshkuan gjithë skenën e Teatrit Kombëtar, teksa kanë performuar një pjesë nga ”Exil” me koreografi të Eno Peçit
Sfidoi gjithë mundësitë dhe pas disa vjetësh hap degën e baletit në kuadër të shkollës së muzikës “Prenk Jakova”, nga ku filluan të dilnin gjeneratat e balerinëve të rinj të pasluftës. Baleti Kombëtar i Kosovës ka bashkëpunuar me shumë koreografë të shquar, si turkun Mehmet Balkan, rusen Natalia Osipova, bullgaren Silvia Tomova, austriakun Darrel Toulon e kubanin Israel Rodriguez. Për punën e tij, Brahimaj më 2010 do të dekorohej me urdhrin “Artist i Merituar” për kontributin e dhënë në zhvillimin e artit të baletit në Republikën e Kosovës. Parisi, Hamburgu, Gjeneva, Napoli, Grazi e qytete të tjera evropiane janë bërë nikoqire të shfaqjeve të BKK-së nën udhëheqjen e Brahimajt.
Më 14 mars 2014, Baleti Kombëtar i Kosovës do të udhëtonte drejt Shqipërisë për t’u kthyer në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë pas 34 vjetësh. Dy shfaqje ishin dhënë në këtë teatër: “Dasma” dhe “Ballo e diplomës”. Si balerin, në këtë teatër bashkë me kolegët e tij kishin dhënë shfaqjen “Halili e Hajria” në vitin 1980.
Për gati dy dekada ishte drejtor i Baletit Kombëtar të Kosovës, e nga fundi i vitit 2018, kryetar i Këshillit Drejtues të këtij institucioni. Karrierën e tij prej më shumë se pesë dekadash e përmbylli më 7 maj 2020. Vdiq pas një sëmundjeje në Novosellë të Pejës në moshën 66-vjeçare. Por trashëgimia që ka lënë ai gjëllin te secili i hap i baletit në Kosovë dhe siç është dëshmuar deri më tash, përherë do të ketë takime, si ai në dyvjetorin e vdekjes, i titulluar “Në kujtim të Ahmet Brahimajt”.