Kulturë

“Në garë për Qeveri” rikthen “Jerichon”, godet luftën për para e pushtet

“Është më tepër një këngë që flet sidomos për natyrën e botës moderne dhe të materializmit në përgjithësi, e cila na nxit të gjithë ne që me çdo kusht të përfitojmë pushtet, apo edhe në rastin e skenës politike që nëpërmjet pushtetit të vijmë tek të mirat materiale, një fenomen radikalisht më i pranishëm në tërë botën, sidomos në kohën tonë”, ka thënë për KOHËN, vokalisti i grupit, Petrit Çarkaxhiu

Natyra e botës moderne dhe e materializmit që nxit përfitimin e pushtetit apo edhe në politikë që nëpërmjet pushtetit të fitohen të mirat materiale, është tema që ka kthyer në skenë rock-grupin “Jericho”.

“Në garë për Qeveri”, titullohet kënga e parë pas tre vjetësh që nga lansimi i këngës së fundit “Ëndërr e prerë”.

Në paralajmërimin për këngën e re, “Jericho” kishte shkruar në Facebook se “e kishte marrë malli për do rock’n’roll pa kerefekte”. E vokalisti i grupit, Petrit Çarkaxhiu, ka thënë se kënga kishte nisur të realizohej para tre vjetësh, në një kohë kur grupi kuptoi se po i mungonte atë që e quan “bazë e rockut të gjeneratës”.

“Në atë kohë, akoma nuk ishim të vendosur me bendin se çfarë do të vazhdonim të sillnim për publikun, meqenëse cikli i asaj që ne e patëm titulluar ‘Gegë Rock’ vetëm sa e kishte arritur përfundimin e vet me realizimin e nëntë këngëve në atë frymë. Gjithashtu, e pamë që të gjithë anëtarëve të bendit kishte filluar t’u mungojë ajo që e quajmë baza e rockut të gjeneratës sonë e që kryesisht është ndikimi i skenës së punk-rockut dhe grungeit të viteve ’90”, ka thënë Çarkaxhiu të shtunën për KOHËN, pak pasi kënga u publikua në platformën “YouTube”.

Kënga përfundimisht u realizua tash vonë, ka bërë të ditur ai.

Çarkaxhiu ka thënë se kënga s’është mesazh apo dedikim për dikë. Kënga është për një fenomen që Çarkaxhiu thotë se është më i pranishëm sidomos tash.

“Është më tepër një këngë që flet sidomos për natyrën e botës moderne dhe të materializmit në përgjithësi, e cila na nxit të gjithë ne që me çdo kusht të përfitojmë pushtet, apo edhe në rastin e skenës politike që nëpërmjet pushtetit të vijmë tek të mirat materiale, një fenomen radikalisht më i pranishëm në tërë botën, sidomos në kohën tonë”, ka thënë vokalisti i grupit.

Patjetër se do të ketë edhe këngë të tjera, ka thënë më tej ai, duke u shprehur po ashtu se “nuk e di” se a do të ketë këngë të re së shpejti.

Çarkaxhiu është tekstshkrues i këngës. Sipas njoftimit në “YouTube”, incizimi i këngës është kthyer në Stamboll të Turqisë me Leonard Canhasin në kitarë, Enver Muhamedi në bas dhe Ekin Cengizkan në bateri.

Petrit Çarkaxhiu deri më tani u ka dhënë zë këngëve të grupit “Jericho” si “Kanga Jonë”, “Kanga e Ashikëve”, “Nëntor i ftohtë”, “Tomli i nanës”, “Albanian Rhapsody”, teksa së fundmi ka publikuar një varg solo – këngësh si “Drenushë e Trembur”, “Dul behari”, “Vajza e tokave të diellit” e “Natë e Gatë”.

“Ëndërr e prerë” ishte kënga e fundit e publikuar nga “Jericho” në mars të 2019-s.