Kulturë

Instituti me restorant pret ta mirëmbajë e ta promovojë Kalanë në Vushtrri

Mosmirëmbajtja e monumentit nga ana e Komunës së Vushtrrisë, degradimi i objektit, pamundësia e institucioneve qendrore që të sigurojnë përkujdesje për pronën e trashëgimisë kulturore, janë ndër arsyet kryesore që jep Instituti i Kosovës për mbrojtjen e Monumenteve, për dhënien me qira të Kalasë së Vushtrrisë.

Sipas kontratës që ka siguruar gazeta, qiramarrësi në total do të paguajë 12 mijë euro për shfrytëzim pesëvjeçar të objektit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në dy vjetët e parë nuk do të paguajë qira, me arsyetimin se ajo shumë do të investohet në Kala, përderisa për tre vjetët e tjerë do të paguajë nga 200 euro në muaj. Jo më larg se para tre vjetësh në këtë monument janë investuar gjysmë milioni dollarë.

Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Vushtrrisë ka reaguar kundër dhënies me qira të objektit dhe procesin e ka cilësuar si krejtësisht joligjor e jotransparent. Rasti ka ngjallur pakënaqësi edhe tek qytetarët. Iniciativat nëpër rrjetet sociale kanë paralajmëruar edhe protesta kundër vendimit të IKMM-së.

Në bazë të kopjes së kontratës, që ka siguruar gazeta, qiramarrësi Mentor Salihu, i cili është djali i dajës së kryetarit të Vushtrrisë, Bajram Mulaku, do të sigurojë qasje për qytetarët në Kala. Në bazë të Kontratës, vetëm një pjesë e objektit do të shfrytëzohet si restorant, kurse pjesa tjetër - që është shfrytëzuar për ekspozita - do të vazhdojë të mbetet në shërbim qytetarëve... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.