Kulturë

Kosova me ngjyra vibrante afër zymtësisë së Ukrainës në Venecie

“Monumentaliteti i përditshmërisë” i Jakup Ferrit është gati për hapjen zyrtare në Pavijonin e Kosovës në edicionin e 59-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecie. Para hapjes e kanë vizituar edhe artistë të Pavijonit të Ukrainës, që sivjet pritet të jetë në fokus dhe është krejt afër atij të Kosovës. “Disa persona nga Pavijoni i Ukrainës ishin dhe na thanë: ‘Shpresojmë që edhe ne pas luftës të paraqitemi me ngjyra vibrante e me harmoni’”, ka thënë një ditë para hapjes Engjëll Berisha, koordinator dhe përgjegjës për marrëdhënie me publikun i Pavijonit të Kosovës në këtë edicion të Bienales së Venecias

Pavijoni i Kosovës në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecie është “stand by” për ta “prerë shiritin” sot në orën 16:00. “The Monumentality of the Everyday” (Monumentaliteti i përditshmërisë) i Jakup Ferrit do t’i sjellë audiencës tapiceritë e Ferrit që sodisin të përditshmen. Me ngjyra vibrante nën kurim të gjermanes Inke Arns në hapësirën ekspozuese, Arsenale Kosova do t’i flasë botës së artit me përditshmërinë e kaosin e saj.

Krejt afër ka një prej pavijoneve që sivjet me gjasë do ta ketë vëmendjen kryesore: atë të Ukrainës. Rrëfimi në këtë pavijon do të jetë krejt tjetër: fort i zymtë.

Ekipi i Kosovës tashmë ka punuar edhe detajet e fundit. Hapësira prej 120 metrash katrorë është veshur me tapiceritë e Jakup Ferrit. Është hera e pestë që Kosova përfaqësohet në Bienale, qëkur debutoi më 2013, me Petrit Halilajn.

“Punën e kemi përfunduar më 15 prill, pas një instalimi goxha të vështirë”, ka thënë për KOHËN, Engjëll Berisha, koordinator dhe përgjegjës për marrëdhënie me publikun i Pavijonit të Kosovës në këtë edicion të Bienales së Venecias. Nëpërmjet një komunikimi online ai ka treguar se tashmë Pavijoni është vizituar në kuadër të asaj që njihet si parahapja e Bienales, ku për tri ditë, nga data 20 hapësirat janë të qasshme për media e për njerëzit e botës së artit.

“Vetëm kemi një numër të konsiderueshëm të vizitorëve, të cilët po befasohen me punimet e Jakupit duke i konsideruar si ‘Good Feeling’”, ka treguar Berisha. Për dallim prej herëve të tjera, Kosova për herë të parë prezantohet me një pavijon i cili “flet” në secilin qoshe, pasi veprat e Ferrit mbulojnë krejt hapësirën.

Siç ka shpjeguar kuratorja Inke Arns në një tekst të saj kuratorial në edicionin e 59-të Bienales së Artit, Jakup Ferri i prezanton pikturat, qëndisjet dhe qilimat në një instalacion të madh specifik për lokacionin. Sipas saj, shumë prej vizatimeve të Ferrit, në të cilat janë të vendosura qëndisjet dhe pikturat, tregojnë skena të përditshmërisë që përfshijnë kafshë, fëmijë, akrobatë, muzikantë dhe aktivitete sportive, si noti, zhytja dhe çiklizmi.

Image

Jakup Ferri me të birin e tij Jip, në “Monumentalitetin e përditshmërisë”, të mërkurën, një ditë para hapjes zyrtare të Pavijonit të Kosovës në Venecie (Foto: Engjëll Berisha)


“Dhe pastaj është ky aspekt i gjuhës popullore që kthehet në surealitet, ose magji, si kafshët që flasin ose bëjnë muzikë, njerëzit që kthehen në zogj, njerëzit që bëjnë muzikë për kafshët apo edhe bëhen kafshë ose krijesa hibride. Shumë shpesh ka ndërlidhje poetike ndërmjet njerëzve, kafshëve dhe objekteve, të cilët e shikojnë̈ njëri-tjetrin dhe kështu krijojnë vija të shikimit – si dialogë të heshtur – duke sugjeruar mënyra të reja potenciale të bashkëpunimit dhe komunikimit”, ka shkruar kuratorja gjermane. Sipas saj, punimet e Ferrit janë frymëzuar nga vizatimet e fëmijëve, nga arti popullor dhe i ashtuquajturi art i jashtëm. Aty shfaqen skena intime nga përditshmëria, me protagonistë të lumtur, kryesisht me ngjyra të ndezura. Ajo tregon se tapiceritë e punuara me dorë nga seria e punimeve “Tintirinti” (2021) janë rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë midis artistit dhe djalit të tij Jipit.

“Shumë ndryshe nga pikturat e detajuara dhe qëndisjet, ato tregojnë modele grafike në shkallë të gjerë. Frymëzuar nga lojërat kompjuterike dhe estetika 8-bit, ato përbëhen nga fusha të gjera ngjyrash të kundërta”, ka shkruar Arns.

Nga fotografitë që shihen, veprat formojnë një mozaik kreativ ku përditshmëria është e paraqitur nga perspektiva të ndryshme.

“Pavijoni e ka një paraqitje me ngjyra vibrante”, ka thënë Berisha. Është hapësira e njëjtë “Sale d’armi” ku Kosova u paraqit më 2019 me “Family Album” të Alban Mujës. Asokohe shteti më i ri i Evropës çoi në ngjarjen më të madhe të artit bashkëkohor në botë rrëfime të luftës.

E sivjet Pavijoni i Kosovës është ngjitur me atë të vendit që prej shkurtit është në luftë. Ukraina është në kufi me Kosovën në Arsenale. Përfaqësohet nga artisti Pavlo Makov, i cili vjen nga një prej qyteteve më të goditura nga lufta, qyteti i dytë për nga madhësia në Ukrainë, Kharkiv.

Është titulluar “Fountain of Exhaustion. Acqua Alta” (Shatërvani i lodhjes. Ujë i lartë) nën kurim të Lizaveta German, Maria lanko e Borys Filonneko.

Image

Ukraina në Bienale përfaqësohet nga artisti Pavlo Makov, i cili vjen nga një prej qyteteve më të goditura nga lufta, qyteti i dytë për nga madhësia në Ukrainë, Kharkiv. Vepra titullohet “Fountain of Exhaustion. Acqua Alta” (Foto: NYT)


Historia e “Shatërvanit të lodhjes” ose rraskapitjes daton nga vitet ‘90 në Kharkiv. Infrastruktura e tij e rrënuar, tipike për qytetin post-sovjetik, ndërprerjet e vazhdueshme të furnizimit me ujë dhe hapësirat publike të neglizhuara kontribuuan në një atmosferë që ambienti të shndërrohej në rrëmujë. Asnjë nga shatërvanët publikë në Kharkiv nuk funksiononte. Sipas përshkrimit të pavijonit, njëherë një aksident shkaktoi një ndërprerje katërjavore të furnizimit me ujë dhe përmbytje të mëvonshme. Ato ngjarje u bënë mjediset e zhvillimit të artistit Makov. Ai u fokusua në temën e lumenjve, shatërvanëve e liqeneve. Rrëmuja që do të paraqitet nga artisti ukrainas tash mund të shërbejë veç si një siluetë të asaj që është shndërruar qyteti i tij prej fundit të shkurtit e deri tash si një prej qendrave më të goditura nga lufta midis Rusisë dhe Ukrainës.

Këto shtete kanë marrë vëmendje edhe në konferencën e Bienales të mbajtur të mërkurën nga presidenti i Bienales, Roberto Cicutto, dhe kuratorja e këtij edicioni Cecilia Alemani. Derisa kanë folur për temën qendrore për sivjet, “The milk of dreams” (Qumështi i ëndrrave), presidenti Roberto Cicutto ka thënë se pas problemeve e rrëmujës që ka shkaktuar pandemia, tash është një tjetër stuhi, ajo e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës.

“Kuratori dhe dy artistët pas agresionit kanë thënë se nuk mund të marrin përsipër përfaqësimin e Rusisë. Kështu na ka thënë komisioneri”, ka treguar Cicutto sa i përket faktit që pavijoni rus që gjendet në hapësirën ekspozuese Giardini do të mbetet bosh. Ai ka bërë të ditur se në Giardini sivjet është krijuar edhe një hapësirë e veçantë e quajtur “Piazza Ukraina”, ku do të paraqiten vepra të disa artistëve ukrainas.

Luftën e ka përmendur edhe kuratorja Cecilia Alemani, e cila ka thënë se arti duhet të lidhë individët dhe popujt. Ajo është fokusuar më shumë te ekspozita kolektive të cilën e ka përshkruar si një turne imagjinar me metamorfoza.

“Metamorfozat dhe lidhjet midis teknologjisë dhe trupave njerëzorë janë mjaft interesante”, ka thënë ajo. Sipas saj, artistët bashkëkohorë në këtë ekspozitë kanë imagjinuar një situatë post-njerëzore në tokë ku paraqiten krijesa hibride.

“Sot bota duket se është midis teknologjisë dhe besimit se trupat njerëzorë mund të zëvendësohen me makineri, gjë që është rritur gjatë pandemisë dhe anës që ka nevojë për emocione njerëzore. Pra, teknologia na ka bashkuar në komunikim nga distanca gjatë pandemisë, por në anën tjetër edhe na ka ndarë”, ka thënë Alemani.

Sa u përket ndarjeve tashmë bota është në dysh në lidhje me luftën midis Rusisë dhe Ukrainës. Sigurisht që hapësira e veçantë e artistëve ukrainas në Giardini do të rrëfejë edhe më shumë për luftën nëpërmjet artit. E Pavijoni i Kosovës duket sikur thërret për paqe nëpërmjet mozaikut, ku përditshmëria e jetesës është në plan të parë.

“Disa persona nga Pavijoni i Ukrainës ishin dhe na thanë: ‘Shpresojmë që edhe ne pas luftës të paraqitemi me ngjyra vibrante e me harmoni’”, ka treguar koordinatori i Pavijonit të Kosovës, Engjëll Berisha.

Image

Shtrirja e pavijoneve pjesëmarrëse në edicionin e 59-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecie, ku Kosova dhe Ukraina janë afër njëra-tjetrës