Kulturë

Institucionet heshtin e raportet për gërmime të paautorizuara në Novobërdë pa përgjigje

Profesionistët e arkeologjisë qysh më 2015 kishin raportuar në institucione se punimet në Kala ishin joprofesionale e po ashtu po bëheshin gërmime të paautorizuara arkeologjike. Por, raporti i një grupi arkeologësh nuk ishte marrë parasysh. Sa i përket punimit shkencor të botuar në dhjetor të vitit të kaluar në numrin e 40-të të revistës arkeologjike “Journal of Archaeological Science”, që nxjerr në dritë marrjen ilegale të artefakteve nga Kalaja e Novobërdës, institucionet qendrore të Kosovës kanë heshtur

Institucionet qendrore të shtetit kanë heshtur në raport me kontrabandën e artefakteve të Kalasë së Novobërdës në Serbi. Përderisa shteti serb ka financuar studimin e tyre, Qeveria e Kosovës nuk është marrë me këtë çështje, të paktën gjatë ditës së hënë.

E profesionistët e arkeologjisë qysh më 2015 kishin raportuar në institucione se punimet në Kala ishin joprofesionale e po ashtu po bëheshin gërmime të paautorizuara arkeologjike. Por raporti i një grupi arkeologësh nuk ishte marrë parasysh.

Të hënën KOHA i ka dërguar pyetje Ministrisë së Kulturës sa i përket një punimi shkencor të botuar në dhjetor të vitit të kaluar në numrin e 40-të të revistës arkeologjike “Journal of Archaeological Science”, që nxjerr në dritë marrjen ilegale të artefakteve nga Kalaja e Novobërdës. Por, ky institucion nuk është përgjigjur.

Më 2015 kompania beogradase “KOTO” e përzgjedhur nga UNESCO kishte nisur punimet për restaurimin e Kalasë së Novobërdës. Projekti qe financuar me një milion euro nga BE-ja, kurse implementimi dhe mbikëqyrja janë bërë nga UNESCO. Puna ka rezultuar me shumë defekte, të cilat ende nuk janë riparuar. Tash del se arkeologët serbë kanë marrë material arkeologjik, të cilin po e studiojnë me financim të Qeverisë së Serbisë. Puna joprofesionale në raport me gjetjet arkeologjike ishte raportuar edhe nga arkeologët e Institutit Arkeologjik të Kosovës.

Sipas raportit që ka siguruar KOHA, më 26 tetor 2015 arkeologët e Institutit Arkeologjik të Kosovës, Shafi Gashi, Premtim Alaj dhe Zana Rama kishin vizituar Kalanë e Novobërdës. Më pas, më 29 tetor të atij viti, punimet ishin vizituar edhe nga arkeologët Adem Bunguri e Skënder Muçaj. Me dyshen nga Shqipëria kishin qenë edhe Shafi Gashi, Premtim Alaj dhe dy punonjës të MKRS-së, Imer Hakaj dhe Feim Maliqaj. Hakaj tash është drejtor i Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore. Nëpërmjet një raporti ata kishin njoftuar Institutin Arkeologjik të Kosovës dhe MKRS-në se në Kala po zhvilloheshin gërmime me karakter pastrimi në hyrje të Citadelës dhe rreth murit të saj.

“Gërmimi arkeologjik është zhvilluar deri në tabanin gjeologjik në Citadelë. Gjatë këtyre punimeve ishte zbuluar një kishë e vogël, hamam, dy cisterna uji dhe disa kthina-ambiente”, shkruhet në raport. Konstatonin se “materiali i dalë nga gërmimet arkeologjike po hidhej në faqet jashtë Citadelës në mënyre shumë të parregullt dhe në të ardhmen është vështirë që ky material të largohej nga ai lokacion, kjo për arsye se terreni është i pjerrët”.

Kishin ngritur pesë shqetësime. Konstatonin se punimet restauruese që po zhvilloheshin aty kryheshin vetëm nga një palë, ajo serbe, dhe drejtoheshin vetëm nga një arkeolog në pension i ardhur nga Serbia. Fjala ishte për Marko Popoviqin, i cili vdiq më 2020.

“Me të vërtetë është shqetësuese se si ka mundësi që në një projekt aq madhor të kryhen punimet pa praninë e palëve vendore dhe pa një grup punonjësish të rinj po ashtu vendorë, të cilët do të përgatiteshin në fushën e konservimit-restaurimit”, shkruhet në raport. Kërkohet që në këtë projekt në minimum do të duhej të angazhoheshin dy arkeologë, dy a tre restaurues dhe pesë punonjës teknikë gjatë gjithë periudhës sa vazhdojnë punimet. “Në këtë projekt do të duhej të ishin përfshirë patjetër edhe arkeologët e Kosovës, si dhe të ndonjë vendi tjetër evropian”, shkruhet në raport.

Aty tregohej se Kalaja e Novobërdës prej kohësh ka vetëm një interpretim arkeologjik nga arkeologët serbë, të cilët mendojnë që Kalaja u ndërtua në shekujt 13 dhe 14. “Ky interpretim është i njëanshëm dhe gjatë të gjitha vizitave është cekur se aty ka edhe faza të tjera jete të mëhershme. Nuk është e lejueshme dhe as korrekte që një monument i tillë, për të cilin ka debate në historiografi, të kryhet vetëm nga njëra palë, ajo serbe”, shkruhet në raport.

Raportohej për dëmtim të materialit arkeologjik. Në raport shkruhet se gërmimet arkeologjike po kryheshin deri në tabanin gjeologjik shkëmbor të Kalasë, duke asgjësuar të gjitha depozitimet kulturore që ruhen aty. “Është e logjikshme që materiali-gurët e shembur nga muri të ripërdoren përsëri për konservim, por kurrsesi të gërmohej shtresa kulturore që ruhej mbi tabanin gjeologjik. Projekti nuk ka pozicion për gërmimet arkeologjike dhe gërmimi është jashtë këtij projekti. Të gjitha strukturat arkitektonike të zbuluara kishin edhe shtresë kulturore dhe kjo shtresë kulturore është gërmuar në shumë pjesë”, shkruhet në raport.

Por materiali arkeologjik ishte marrë në Beograd. Grupi i autorëve i përbërë nga Nemanja Markoviq, punonjës i Institutit Arkeologjik në Beograd, bashkë me kolegen Vesna Bikiq, punonjëse e Muzeut Kombëtar në Beograd, Zheljka Temerinskin, e dy ligjërueset në Universitetin e Novi-Sadit, Snezhana Vuçetiq e Jonjaua Ranogajec, kanë publikuar studimin “Mummified animal skin with tar content from the castle of the late medieval town of Novo Brdo (Central Balkans)” (Lëkura e mumifikuar e kafshëve me përmbajtje katrani nga Kalaja e mesjetës së vonë e Novobërdës (Ballkani Qendror). Punimi është publikuar në revistën “Journal of Archaeological Science”

Pesëshja në studimin prej nëntë faqesh ka shtjelluar krejt përfundimet shkencore të nxjerra nga ky material i rrallë. Qysh në abstrakt autorët vënë në pah se materialet organike janë të rralla në kontekstin e vendbanimeve arkeologjike të zonës qendrore të Ballkanit.

“Një përmbledhje unike e përbërë nga lëkura e mumifikuar e kafshëve me qime të ruajtura, e mbushur me rrëshirë e katran, u zbulua gjatë gërmimeve arkeologjike të Kalasë së Novobërdës më 2015”, shkruhet në abstrakt. Aty jepet një përshkrim i qytetit të Novobërdës duke e konsideruar si një qendër të rëndësishme minerare të Ballkanit dhe të gjithë Evropës.

Pos Ministrisë së Kulturës, e cila nuk ka pasur përgjigje të hënën, pyetjeve të KOHËS nuk u janë përgjigjur as Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë e as Zyra Rajonale e UNESCO-s në Sarajevë.

Studimi i pesëshes nga Serbia është përkrahur nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Zhvillimit Teknologjik dhe nga Ministria e Kulturës dhe Informacionit në Serbi.

“Dëshirojmë të falënderojmë gjurmuesin e Novobërdës, dr. Marko Popoviq, nga Instituti i Arkeologjisë, Beograd, për krijimin e qasjes dhe mbështetjen në analizimin dhe publikimin e materialit”, kanë shkruar autorët.

Arkeologu Marko Popoviq, i cili vdiq në vitin 2020, ishte studiues i arkeologjisë mesjetare. Ai ka qenë i ngarkuar si mbikëqyrës në punimet që janë zhvilluar në Kalanë e Novobërdës.

Instituti Arkeologjik i Kosovës ka mbikëqyrur procesin e restaurimit që është bërë. Drejtori i këtij institucioni, Enver Rexha, ka thënë se duke e shikuar përmbajtjen e artikullit del se studimi është bërë në bazë të materialit të marrë nga periudha e konservimit të Kështjellës në vitet 2015 dhe 2016. Sipas tij, nuk është korrekte të merret materiali nga punëkryerësit.

“Kodi etik, profesional, nuk e ‘parasheh, lejon’ një ndërmarrje të tillë. Gjithçka ishte dashur të jetë në marrëveshje apo bashkëveprime me institucione relevante ndërkombëtare e vendore. E dini që ky projekt për realizim iu ka dhënë nga UNESCO-ja kompanisë serbe nga Beogradi me miratimin e institucioneve vendore të MKRS-së dhe institucioneve të tjera shtetërore”, ka thënë Rexha.