Kulturë

Maxharraj: Kosova duhet të kërkojë përgjegjësi nga UNESCO për kontrabandimin e artefakteve në Serbi

Gazetari i KOHËS, Shaban Maxharraj, në emisionin “60 Minuta” në KTV ka folur në lidhje me kontrabandimin e artefakteve nga Kalaja e Novobërdës për në Serbi.

Kompania serbe “KOTO” ka marrë materiale arkeologjike nga Kalaja e Novobërdës dhe i ka kontrabanduar në Serbi.

Pos që janë marrë materiale, shteti serb është duke financuar edhe studimin e gjetjeve arkeologjike. Një punim shkencor i botuar në dhjetor të vitit të kaluar në numrin e 40-të të revistës arkeologjike “Journal of Archaeological Science” nxjerr në dritë marrjen ilegale të artefakteve.

Më 2015 kompania beogradase “KOTO” e përzgjedhur nga UNESCO-ja kishte nisur punimet për restaurimin e Kalasë së Novobërdës. Projekti qe financuar me një milion euro nga BE-ja, kurse implementimi dhe mbikëqyrja janë bërë nga UNESCO-ja. Puna ka rezultuar me shumë defekte, të cilat ende nuk janë riparuar. Por studimi i materialit arkeologjik del se po ecën me sukses.

Grupi i autorëve i përbërë nga Nemanja Markoviq, punonjës i Institutit Arkeologjik në Beograd, bashkë me kolegen Vesna Bikiq, punonjëse e Muzeut Kombëtar në Beograd, Zheljka Temerinskin, e dy ligjërueset në Universitetin e Novi-Sadit, Snezhana Vuçetiq e Jonjaua Ranogajec, kanë publikuar studimin “Mummified animal skin with tar content from the castle of the late medieval town of Novo Brdo (Central Balkans)” (Lëkura e mumifikuar e kafshëve me përmbajtje katrani nga Kalaja e Mesjetës së Vonë e Novobërdës (Ballkani Qendror).

Maxharraj ka thënë se arkeologët profesionistë në Kosovë po e vlerësojnë këtë skandal ndërkombëtar.

“Sipas disa arkeologëve profesionistë në Kosovë, është skandal i përmasave ndërkombëtare, kur e dimë se projekti është financuar nga BE-ja dhe është implementuar nga UNESCO, nga zyra rajonale e saj në Sarajevë. Shteti i Kosovës duhet të kërkojë përgjegjësi nga UNESCO-ja fillimisht si mbikëqyrëse e projektit e më pas edhe nga BE-ja si financuese”, ka thënë Maxharraj.

Maxharraj ka thënë se kontrabandimi i artefakteve në Serbi nga Kosova përbën vepër penale.

“Sipas legjislacionit tonë nuk mund të zhvendosim material arkeologjik as nga qyteti në qytet nëse nuk ka leje nga një institucion kompetent. Në rastin konkret kemi të bëjmë me zhvendosje të artefakteve nga Kosova në Serbi, e sipas legjislacionit është vepër penale”, ka thënë Maxharraj.

Maxharraj ka thënë se institucionet e Kosovës e kishin aksesin shumë të cunguar në punimet në Novobërdë. Ai ka thënë se kompania përgjegjëse ka dëmtuar edhe muret e Kalasë gjatë punimeve.

“Kam qenë disa herë gjatë punimeve atje dhe punonjësit e kompanisë ‘KOTO’ janë sjellë sikur po punonin në një shtet tjetër, sikur të ishte zonë neutrale”, ka thënë Maxharraj.