“Është lëmsh, edhe pse janë dy zero kanë shumë të hapura në dy drejtime. Si ‘0’ që ka anën plus-minus. Një pështjellim nga e ardhmja”, thotë artistja Lumturie Krasniqi, për ekspozitën e saj “0220”, e cila mjegullës së një periudhe i kundërpërgjigjet me vepra që përballin të kundërtat
Në një sistem krejtësisht të ri jetësor, ku ekzistenca vihet në pikëpyetje, shfaqen rregulla të reja. Sinonim i kësaj gjendjeje bëhet kufizimi, qoftë në aspektin fizik apo shpirtëror. Por ura që lidh kohën e mëhershme me atë aktuale bëhet rikthimi i gjithçkaje në vendin e vet. Jeta takohet me vdekjen, materia me jomaterien, marrëdhënia njerëzore me shkëputjen.
Gjendjen pandemike, Lumturie Krasniqi ka vendosur ta shprehë në pikturat e saj në të cilat ndihet guximi për nga mënyra e transformimit të elementeve vizuale. Në secilën pikturë të varur në muret e zbehta të “Hanit të dy Robertëve” mbizotëron minimalizmi. Një rreth përshkruan gjendjen konsistente emocionale në pesë vepra. Por gjithmonë ka diçka për të parë përtej. Syri, gjarpri, skeleti, eshtrat janë veç disa copëza të cilat shprehin një boshllëk në kaosin jetësor.
“Atomic Blue”, “In the swimming” dhe tri vepra të tjera pa titull kanë të përbashkët nuancën mes të kaltrës e të gjelbrës. Toni i tyre sa intensifikohet e sa mbetet në një tentativë më të zbehtë të shprehjes në ekspozitën e parë personale “0220”, e cila u hap mbrëmjen e së enjtes.
“0220’ ka ardhur si një titull pas fillimit të veprave si cikël në 2020. Filloi ajo koha e veprave që isha duke punuar në to, por nuk e kisha të qartë se si mund t’i përmbledh”, ka thënë Krasniqi, e cila po ndjek studimet master për pikturë në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës.
Viti 2020 si për shumë artistë nëpër botë, edhe për Krasniqin ka qenë një rrëmujë emocionesh në një hapësirë të kufizuar, që pastaj kanë ditur të jenë tejet të guximshme si krijime.
“Fillova me pa 2020 si një ‘shift’ në gjithçka që ndodhte si për mua edhe për rrethin. Atëherë filloi me marrë një lloj kllape, ato dy zero janë të tilla të asaj periudhe”, rrëfen tutje autorja e ekspozitës “0220”.
Artin e kësaj periudhe e cilëson si hamendësim për të ardhmen, por që si e tillë ka pasur dy polet e kundërta: negativen edhe pozitiven.
“Është lëmsh, edhe pse janë dy zero kanë shumë të hapura në dy drejtime. Si ‘0’ që ka anën plus-minus. Një pështjellim nga e ardhmja”, rrëfen Krasniqi.
Frymëzimet gjatë izolimit dhe dy të tjera nga viti 2018 e 2019 i përmblodhi në një vend, si ombrellë e krijimeve që i ngjajnë një lokomotive që ecën ndër vite.
“Kemi vendosur të marrim dy vepra parapandemike për ta treguar lidhjen e kohës prej më të hershme se si ka mundur të fillojë para disa vjetësh”, ka thënë ajo.
Kur flet për kohën kur bota u izolua, thotë se atëherë “ka filluar, por edhe ka mbaruar shumëçka”.
“Me një kohë ku ekzistencën e vinim në pikëpyetje, kjo doli si prodhim i saj se çka më ndodhte mua dhe rrethit. Është lojë, marrëdhënie dhe jo marrëdhënie e materies dhe asaj që shkon përtej saj”, ka thënë Krasniqi. “Në këtë rast për skeletet që njihen si diçka që ia lëmë tokës pas shkëputjes qoftë të energjisë, shpirtit apo sido që ta quajmë, ato janë si loja që ndodh, marrëdhënia kur dy gjëra bashkohen ose ndahen, ujë - tokë , materie apo jomaterie”.
Krejt këtë ekspozitë e cilëson si kthim prapa e ecje para, njësoj si cikli jetë - vdekje. Për të interpretimet janë të lira, por bashkëveprimi i publikut është esencial.
“Është e rëndësishme për mua kur ka bashkëveprim, interpretimi është i rëndësishëm, por është e dyta. Mesazhin e marrim sido që kemi nevojë”, ka thënë ajo duke aluduar për një liri në zbërthimin e mesazhit.
Për artistin Lulzim Zeqiri, i cili ka shkruar tekstin e katalogut, ndërlidhja e ngjyrave neutrale, emocioneve eklektike dhe strukturimi i prapavijës kanë bërë që pikturat të duken të peshuara mirë.
“Ky imazh me forma minimale, i frymëzuar nga tregime personale e të cilat përmes gjuhës së artit shpien drejt një kërkimi më të thellë për ekzistencën, na shfaqen si poezi vizuale të bëra me përkushtim”, ka thënë ai.
Piktura e vendosur në mes të Galerisë dallon për nga materiali i përdorur. Aty del në pah paraqitja e tokës nëpërmjet të çarave të cilat ia shtojnë origjinalitetin.
“Enigma e tillë artisten nuk e lë të qetë, me ngjyrat e dheut ajo portretizon botën e brendshme të kujtesës dhe të ardhmes…duke lënë një gjurmë sepse kështu e dëshmon të qenët”, e përshkruan atë Zeqiri.
Sipas tij, pikturat e Krasniqit “rrugëtojnë qëmoti, bashkë me qenien tonë” dhe këtë e bëjnë nëpërmjet “detajeve të vendosura në mënyrë gati se diskrete” të cilat “nxisin kureshtjen e artistes, që nga amebat, tek njeriu si vetëdija më e lartë e deri tek yjet e padukshëm miliona kilometërsh”.
Disenjatori dhe kuratori Zeni Ballazhi ka vlerësuar piktoren Krasniqi për “veprat e saj shumë konceptuale”.
“Edhe temat të cilat i paraqet, edhe stilin apo teknikën që përdor është mjaft e veçantë po të shihet nga afër. Duhet të shihet vepra nga afër dhe jo nga rrjetet sociale për shkak që mund të shihet qartë përdorimi i teknikës, si e veçantë dhe jo e krijuar nga industria e ngjyrave apo të blera siç i kemi të gatshme”, thotë ai, teksa vlerëson relievin si karakteristikë të pikturave të saj.
Ballazhi ka vlerësuar edhe ambientin e “Hani i 2 Robertëve” si vend që jep energjinë e galerive të huaja.
“Një ambient i lezetshëm, interesant që zakonisht jemi mësuar t’i shohim sidomos në vendet evropiane, qofshin private apo të qytetit”, i tha ai KOHËS.
Kolegu i studimeve në nivelin master, Donat Krasniqi, thotë t’i pëlqejë dominimi i ngjyrës së kaltër në pikturat, pavarësisht dimensioneve.
“Është një artiste tamam aktuale sa u përket tematikave, stilit të punës, një ndërthurjeje mes abstraktes dhe botës spirituale, ku ndërthurja mes spirituales, tokësores, materiales shfaqet në pah menjëherë posa e sheh një punë të saj”, ka thënë Krasniqi gjatë hapjes së ekspozitës.
Ndërkaq për vetë themeluesin e “Hanit të dy Robertëve”, Fadil Dragajn, autorja e ekspozitës “0220” i përket një gjenerate të guximshme.
“Kemi ardhur në një bashkëpunim spontan. Jam i befasuar nga gjenerata e re, e cila është plot vetëbesim”, ka thënë Dragaj i galerisë së njohur edhe në vitet e okupimit të Kosovës, qe një dritare për prezantimin e artit dhe jo vetëm, përderisa “adresa” e “Hanit…” ka ndërruar disa herë, por pa ndryshuar emrin dhe misionin.
Kjo ekspozitë vjen pas një periudhe gati njëvjeçare të pauzës, atëherë edhe kur në qershor të vitit të kaluar ishte promovuar monografia “Hani i 2 Robertëve 1989-2019, Arti i Rezistencës - Rezistenca e Artit”. Me lokacion te “Santea”, drejtuesit premtojnë të vazhdojnë traditën e gjallërimit kulturor.
“Ky është një lloj pasioni ynë. Tavernë a kafe a restorant qysh do që e thirrni, pa piktura më duket që jam bosh”, thotë ai, teksa përmend edhe ekspozita të reja, synimi i të cilave është përditësimi i laramanive krijuese çdo pesëmbëdhjetë apo njëzet ditë. “Në një periudhë njëvjeçare do të shkojmë me artistë të rinj, jo për t’i promovuar se këta kanë pasur ekspozita, por ne nuk po ndalemi, në vazhdim vijnë edhe ekspozita të tjera”.
“Jam në ndonjë podrum, qoshe a qorrsokak si tash. Edhe hapësirat ndryshojnë. Jam bërë si dallëndyshe, po i ndërroj vendet derisa të rehatohem. Vendi edhe pse është i vogël besoj që emrin e ka pak më të madh sesa vetë”, shprehet Dragaj për vendin ku përtej një lokali që bashkonte komunitetin artistik, ishte bërë edhe qendër e ngjarjeve kulturore të Prishtinës në vitet ‘90 e më gjerë.
Ekspozita personale “0220” e Lumturie Krasniqit vjen pas debutimeve në ekspozita kolektive me “Breathe” në edicionin e 9-të të “FemArt”, “Given” të “Fondacionit 17”, “The Green Line” në galerinë “Qahili” e shumë të tjera vendore. Ajo ka arritur t’i dërgojë veprat e saj edhe jashtë vendit si ekspozita “Turnings: Sparking Light” në Poloni.