Një vepër arti nga Kosova që flet pikërisht për refugjatët do të “zbarkojë” në shtetin që po ju bën nikoqirllëk ukrainasve. Shfaqja “a.y.l.a.n” e Teatrit të Gjilanit do të jepet në shtetin polak. Shfaqja me tekst të Jeton Nezirajt e regji të Blerta Rrustemi-Nezirajt është pjesëmarrje në festivalin “Kontrapunkt” që mbahet në Szczecin në veri-perëndim të Polonisë. Është prej festivaleve më të vjetra në ato anë. Sivjet ka për qëllim që ta bëjë një lloj proteste artistike kundër luftës
Në kohën kur Evropa po përballet me valën e re të refugjatëve shkaku i luftës në Ukrainë, shumica e të cilëve vendin e parë për ikje nga lufta e kanë Poloninë, një vepër arti nga Kosova që flet pikërisht për refugjatët do të “zbarkojë” në shtetin që po ju bën nikoqirllëk ukrainasve. Shfaqja “a.y.l.a.n” e Teatrit të Gjilanit do të jepet në shtetin polak.
Shfaqja me tekst të Jeton Nezirajt e regji të Blerta Rrustemi-Nezirajt është pjesëmarrëse në festivalin “Kontrapunkt” që mbahet në Szczecin në veriperëndim të Polonisë. Është prej festivaleve më të vjetra në ato anë. Sivjet ka për qëllim që ta bëjë një lloj proteste artistike kundër luftës.
E shfaqja “a.y.l.a.n” paraqet pikërisht tmerrin e luftës. Në produksionin ku luajnë Aurita Agushi, Ernest Zymberi, Kushtrim Qerimi, Tringa Hasani, Gani Rrahmani dhe Alban Shahiqi rrëfimi zhvillohet në Roccalumera, një qytet i vogël në Sicili, ku nuk ndodh asgjë dhe ku mërzia e dëshpërimi i kanë kapluar të gjithë. Aty banorët shpresojnë në ardhjen e refugjatëve, me shpresë që kështu qyteti i tyre do të marrë vëmendje dhe do të përfitojë nga ndihmat ndërkombëtare. Por refugjatët që kalojnë andej me anije nuk ndalen në Roccalumera, por vazhdojnë tutje në qytete më të mëdha. “Megjithatë, gjithçka ndryshon një ditë kur dallgët e detit e sjellin në stom kufomën e një burri… ‘a.y.l.a.n’ është një shfaqje teatrore që në mënyrë ironike shpërfaq dramën aktuale të refugjatëve në Evropë dhe përpjekjen e paskrupullt të shumë njerëzve për të përfituar nga tragjedia e tyre”, shkruhet në shpjegimin për shfaqjen që është dhënë premierë në Gjilan në dhjetor të vitit 2019.
Titulli bashkë me fëmijën që vjen si pamje, asociojnë me trevjeçarin Aylan Kurdi, i fotografuar i pajetë në vitin 2015 në brigjet e Turqisë, pasi varka ku udhëtonin si emigrantë bashkë me prindërit u përmbyt. Ishte koha më e vështirë e refugjatëve të Sirisë.
Shfaqja “a.y.l.an” sipas shpjegimit të ekipit, konfronton me domosdoshmërinë për të parë dramën e tjetrit te vetja. “Tragjedia e tanishme e tjetrit ishte tragjedia jonë e djeshme dhe mund të jetë tragjedia jonë e nesërme”, shkruhet në përshkrimin e dramës që kur u inskenua zor se mund t’i ketë shkuar mendja kujt se këto ditë rreth 3 milionë njerëz do ta linin Ukrainën.
Drejtori i Teatrit të Gjilanit, Erson Zymberi, ka thënë se pjesëmarrja në këtë festival është shumë me rëndësi, jo vetëm për Teatrin e Gjilanit, por dhe për teatrot e Kosovës, që me prodhimet e tyre të dalin jashtë vendit.
“Provincialiteti mundësor e kulturor dhe trendi a cikli i reprizimit të shfaqjeve vetëm në teatrot që i prodhojnë shfaqjet e rrallëherë edhe në qytetet përkatëse të vendit ngulfat, ngushton, getoizon dhe mbyt vetë teatrin”, ka thënë ai. Sipas Zymberit, po ashtu, teatrot e Kosovës kanë filluar të ndihen rehat e komod në pozicionet e tyre duke mos dhënë llogari e as mbajtur përgjegjësi për repertorin e tyre, për numrin e vogël të reprizave dhe të shikueseve dhe po ashtu edhe për paraqitjen e tyre ndërkombëtare.
Autori i dramës, Jeton Neziraj, ka thënë se gëzohet shumë që "a.y.l.a.n" po e gjen më në fund rrugën edhe për publikun ndërkombëtar.
“Tematikisht, shfaqja, fatkeqësisht, korrespondon me aktualitetin evropian dhe me dramën e luftës dhe të refugjatëve. Dhe, po ashtu, gëzohem që, siç e kam kuptuar, Teatri i Gjilanit po prezantohet për herë të parë në historinë e tij në një festival evropian”, ka thënë ai. Sipas Nezirajt, Teatri i Gjilanit në vitet e fundit ka shënuar një progres të jashtëzakonshëm, në cilësi të shfaqjeve, në programim dhe në rritje të qëndrueshme të numrit të publikut. “Uroj që ky zhvillim të vazhdohet tutje”, ka thënë ai.
Festivali “Kontrapunkt” në këtë edicion do të prezantohet siç u ideua në thelb nga Zygmunt Duczyński, regjisor dhe themelues i teatrit “Kana”. Prej 21 deri me 29 prill aty do të jepen shfaqjet “Bibla. Prova” nga Teatri i Toruń-it, pastaj shfaqjet si “Wstyd” e “Grimm”.
Kurse ngjarjet shoqëruese do të përfshijnë jubileun e poetit Janusz Krzymiński, ekspozitën e autores së logos së Festivalit, Aleksandra Ziętala, performancën “Note” nga Rzeszóë e po ashtu edhe koncerte.