Kulturë

Shteti do të blejë vepra arti me mbi një milion euro

Fiks një milion e 50 mijë euro është buxheti që do ta vë në dispozicion Ministria e Kulturës për tre vjet për blerjen e veprave të artit. Vendimi është marrë të martën vonë dhe vjen dy muaj pas dështimit të debutimit të shtetit në blerje veprash, kur MKRS-ja u tërhoq pas një debati për mënyrën se si kishte përzgjedhur veprat me çerek milioni euro. Se ku do të vendosen veprat e blera, nuk ka ndonjë plan konkret, përderisa një muze arti i projektuar para më shumë se një dekade mbetet vetëm projekt

Në ditën kur Qeveria e Kosovës ka vendosur për themelimin e Fondit të Sigurisë duke kërkuar mbështetje financiare nga mërgata e qytetarët e vendit, ekzekutivi ka vendosur që me një milion e 50 mijë euro për tre vjetët e ardhshëm të blejë vepra të artit pamor.

Në mbledhjen e së martës mbrëma, Qeveria ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Kulturës për autorizimin e procedurave të veçanta që në periudhën trevjeçare – 2022, 2023 dhe 2024 – të administrojë procedurat për blerjen e veprave të artit. Do të blihen vepra nga artistë vendorë, përfshirë edhe të atyre që nuk jetojnë më.

Ky vendim vjen pa u bërë tre muaj qëkur Ministria e Kulturës dështoi që ta çojë deri në fund nismën për blerje të veprave të artit me 247 mijë euro.

“Shumat që parashihen për blerjen e veprave të artit sipas viteve janë: 300,000 € (treqind mijë euro) për vitin 2022; 350,000 € (treqindepesëdhjetë mijë euro) për vitin 2023; dhe 400,000 € (katërqind mijë euro) për vitin 2024. Obligohet Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit që të përfshijë shumat përbrenda kufijve buxhetorë për vitet përkatëse”, shkruhet në pikën e dytë të vendimit të Qeverisë.

Aty sqarohet se MKRS-ja realizon blerjen e veprave të artit në koordinim me institucionet publike kulturore të artit pamor, nëpërmjet thirrjeve periodike publike për blerjen e veprave të artit. Vendimi po ashtu përcakton që MKRS-ja është përgjegjëse për hartimin dhe miratimin e procedurave përkatëse, edhe për mënyrën, kushtet dhe kriteret për blerje direkt të veprave të artit.

“Për vlerësimin dhe përzgjedhjen e veprave të artit për blerje, MKRS-ja obligohet të emërojë juri ose komisione profesionale, me përbërje të personaliteteve të shquara të artit pamor nga vendi apo nga jashtë vendit, për blerje me thirrje publike, si dhe për blerje direkt të veprave të artit”, shkruhet në pikën e 5-të të vendimit. Vendimi përcakton që veprat e blera të artit do të bëhen pjesë e fondit publik të veprave të artit dhe menaxhohen nga institucionet publike kulturore të artit pamor në Republikën e Kosovës.

“Për institucionet publike kulturore të Republikës së Kosovës të cilat marrin përgjegjësi për menaxhim/ekspozim, vendos Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit”, shkruhet në vendim.

Artisti e profesori universitar, Adem Rusinovci, ka thënë se bëhet fjalë për një lajm shumë të mirë për artistët vizualë.

“Nëse ka tendencë të themelimit të një Muzeu të Artit, atëherë mund të merren veprat. Kjo është një ndihmë shumë e madhe për artistet pamorë. Secila vepër e artit kushton që të bëhet. Një muze është më se i domosdoshëm për Kosovën. Ato vepra duhet të ruhen”, ka thënë ai. Sipas tij, do të duhej që një komision profesionistësh të përzgjidhte vepra nëpër atelietë e artistëve në mënyrë që të krijohet një koleksion i cili e tregon historinë e artit pamor.

“Qëllimi i mbledhjes së veprave të artit si bazë e një muzeu është tregimi i historisë së artit të një vendi. Misioni i muzeut është të tregojë kronologjinë e artit pamor të një vendi”, ka thënë Rusinovci.

Piktorja e profesoresha universitare, Zake Prelvukaj, ka thënë se bëhet fjalë për një lajm të gëzueshëm. Sipas saj, kjo është një befasi e këndshme pas të gjitha moskuptimeve dhe peripecive që kishte në fund të vitit të kaluar në raport me blerjen e veprave të artit.

“Është mirë që të përcaktohet institucioni përgjegjës që është i nivelit më të lartë të prezantimit të kulturës, siç është GKK-ja, që të merret me procesin”, ka thënë ajo. Sipas Prelvukajt, pas këtij hapi duhet themeluar muzeu i artit bashkëkohor.

“Duhet të bëhet një përzgjedhje e qëndrueshme e veprave nga njerëz vendorë dhe të huaj që kanë dëshmuar vetën. Tash më duhet se njëherë e përgjithmonë u hapën portat që kaherë ishin mbyllura për artistët”, ka thënë ajo. Sipas Prelvukajt, artistët vendorë duhet të hulumtojnë brenda vetës dhe të japin maksimumin në krijimtarinë e tyre.

“Kemi pasur shumë rënie e ngritje nga vitet ’90 e këndej. Kemi qenë më të shtypurit gjatë viteve ’90 pa atelie, pa banesa, pa asgjë. Shpresoj që kjo punë të shkojë sa më mirë pasi pa art dhe kulturë nuk ka shtet”, ka thënë ajo.

Me shpresën që së shpejti do të themelohet një muze, Prelvukaj ka thënë se mund të institucionalizohet arti pamor e të vijë në pikën që shteti të paraqesë artistët e vet në mënyrë që vizitorët të mos shkojnë nga atelieja në atelie.

“Fatmirësisht besoj që më nuk do të kemi artistë që janë raste sociale”, ka thënë ajo.

Ministria e Kulturës hapin e parë për blerje të veprave të artit e kishte bërë në fund të vitit të kaluar. Por i kishte shkuar ters. Në ditën e 9 të dhjetorit, procesin e blerjes së veprave të artit pamor – të paralajmëruar me pompozitet e të përuruar si nismë në ndihmë të artistëve edhe nëpërmjet konferencave – Ministria e Kulturës e kishte zhvlerësuar. Për këtë nuk ishte menduar fort. S’i ishin dashur më shumë se 48 orë pasi e kishte marrë vendimin dhe ka publikuar listën e veprave që ka blerë për çerek milioni euro, që ta anulojë krejt procedurën. E kishte anuluar pas një proteste të vogël të nja 20 artistëve para MKRS-së, përderisa debati midis komunitetit artistik kishte marrë hov.

Mënyra se si ishin përzgjedhur 68 përfituesit qe njëra temë. Shuma me të cilën janë paguar disa prej veprave – që arrin edhe në 7 mijë euro – ishte tjetra. Buxheti prej 247 mijë eurosh i marrë nga Pakoja për Ringjallje Ekonomike kishte shkuar në suficit. Asokohe kundër procesit kishte dalë edhe profesori Adem Rusinovci pasi konsideronte se nuk mund të bëhej thirrje publike si ndihmë për artistët e veprat të paguheshin deri në 7 mijë euro.

KOHA ka raportuar disa herë se Galeria Kombëtare e Kosovës posedon mbi 900 vepra në fundus dhe ka mungesë hapësirash, si dhe mungesë kuadrosh që t’i mirëmbajë ato. Se nuk ka kushte, u konfirmua edhe në janarin e vitit të kaluar kur 125 vepra që dikur zinin vend në hotelin “Grand” u zhvendosen aty.

Në anën tjetër shteti tash e më shumë se një dekadë synon ndërtimin e një Muzeu të Artit Bashkëkohor, por ende nuk ka një lokacion për të. Se ku do të vendosen veprat që do të blihen dhe me çfarë strategjie do të pasurohet shteti me vepra të artit, ende nuk dihet.