Kulturë

Filharmonia përkrah Ukrainën dhe sfidon pandeminë me “To Breath Again”

Filharmonia e Kosovës të dielën mbrëma nuk e ka nisur koncertin e Orkestrës pa bërë thirrje për ndalje të luftës. Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, para të pranishmëve ka thënë se sikur mbarë bota artistike edhe Filharmonia e Kosovës me koncertin e së dielës i bashkohet përkrahjes së popullit ukrainas në luftën e tyre për liri që po zhvillohet këtyre ditëve. Por institucioni është kritikuar fort nga autori i veprës premierë

Prishtinë, 28 shkurt – Bota artistike u është bashkuar reagimeve të shumta duke kundërshtuar luftën në Ukrainë. Përkrahja për ukrainasit e thirrjet që Rusia të tërhiqet nga pushtimi i shtetit fqinj, janë kërkesa që shtrohen vazhdimisht nga institucione e kompani artistike të pavarura.

Filharmonia e Kosovës të dielën mbrëma nuk e ka nisur koncertin e Orkestrës pa bërë thirrje për ndalje të luftës.

Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, para të pranishmëve, përfshirë edhe ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier, ka thënë se sikur mbarë bota artistike edhe Filharmonia e Kosovës me koncertin e së dielës i bashkohet përkrahjes së popullit ukrainas në luftën e tyre për liri që po zhvillohet këtyre ditëve.

“Jemi thellësisht të prekur nga tragjedia e njerëzve të pafajshëm dhe lutemi që kjo luftë e padrejtë të ndalet sa më parë duke u solidarizuar me popullin liridashës të Ukrainës ashtu siç edhe populli i Kosovës gëzoi përkrahjen e mbarë botës demokratike në luftën e saj për liri mbi 20 vjet më parë”, ka thënë Jashari për t’i hapur rrugë koncertit.

Dirigjenti italian Giulio Arnofi ka dalë para Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës për ta nisur koncertin me veprën premierë të kompozitorit Mendi Mengjiqi, “To Breath Again”, (Të frymosh përsëri). Vepra është shkruar gjatë kohës së izolimit në ditët kur bota ishte mbyllur shkaku i pandemisë. Fillimisht kompozitori, i cili edhe është autor i himnit të Kosovës, veprës i kishte dhënë tjetër titull duke e lidhur atë direkt me pandeminë. Por më vonë kishte menduar ndryshe.

Orkestra i ka dhënë zë veprës së Mengjiqit, duke sjellë mjegullën e shkaktuar nga pandemia nëpërmjet notave muzikore. Mbyllja e botës së bashku me dhimbjen e vuajtjet e shkaktuara nga koronavirusi e deri te shpresa për ditë më të mira rrumbullakojnë veprën me tri kohë.

“Koha e parë i paraqet shqetësimin dhe vdekjen. Më kanë vdekur edhe miq. Pjesa e mesme është më dramatike, mallëngjyese e prekëse. Kurse koha e tretë është shpresëdhënëse”, ka thënë Mengjiqi, i cili është edhe profesor universitar.

Por ai nuk është ndarë i kënaqur me interpretimin e veprës. Ka qenë shumë kritik për nivelin e Orkestrës së Filharmonisë, jo veç për veprën e tij, por në përgjithësi.

“I vetmi popull në botë që s’ka Filharmoni janë shqiptarët”, ka thënë ai. Ka shkuar edhe më tej.

“Orkestër nuk ka. Më vinte marre nga ajo kakofoni. Më mirë luan një orkestër e shkollës së mesme në Krakov (Poloni) ku kam studiuar. Por duhet t’i përkrahim gjeneratat e reja”, ka thënë midis të tjerash Mengjiqi. Sipas tij, i ka ardhur keq edhe nga prania e ambasadorit amerikan në Prishtinë. Ka kritikuar në parim jo veç Filharmoninë, por krejt institucionet që merren me artin muzikor. Por Mengjiqi është shumë i rrallë në koncertet e Filharmonisë së Kosovës. Zakonisht është i ulur në publik vetëm kur i interpretohen veprat.

Më pas ka qenë radha e veprës së kompozitorit gjerman, një prej përfaqësuesve të romantizmit, Carl Maria von Weber. Uvertura “Der Freischütz” paraqet një ngjarje goxha tragjike, ku daullet ia shtojnë tensionin veprës, prapa së cilës kompozitori imagjinonte një luftë imagjinare.

E simfonia e tretë e gjermanit tjetër, po ashtu një prej përfaqësuesve të romantizmit, Johannes Brahms, i ka sjellë ngjyra të tjera koncertit të Orkestrës.

Dirigjenti italian, Giulio Arnofi, ka thënë se për një javë kanë punuar intensivisht për koncertin. Sipas tij, nuk ishte një program i lehtë.

“Por kjo është Filharmonia e Republikës dhe ky program është i mundshëm. Jam i lumtur për këtë dhe shpresoj të jem prapë këtu për të punuar me këtë orkestër të mrekullueshme”, ka thënë ai. Autori i veprës premierë, Mendi Mengjiqi, ka kritikuar fort edhe dirigjentin. Ka thënë se nuk është i nivelit të një orkestre filharmonike.

“Më mirë do të dirigjoja unë që nuk jam dirigjent”, ka ironizuar ai.

E drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, e ka përshkruar veprën e Mengjiqit si një prej atyre që janë shkruar gjatë pandemisë. Sipas tij, vepra sjell frymën e frikës dhe të humbjes së njerëzve në mbarë botën. Jashari ka thënë se edhe dy veprat e tjera ishin sfiduese për Orkestrën.

E sa i përket solidarizimit me Ukrainën ai ka treguar se filharmonitë në mbarë botën janë duke dalë në përkrahje të Ukrainës.

“Edhe ne bashkëndiejmë me popullin liridashës ukrainas dhe askush më mirë se ne nuk i përjeton ato që po ndodhin pasi vetë kemi qenë në të njëjtën pozitë para rreth 20 vjetëve”, ka thënë Jashari. Sipas tij, është obligim i mbarë shoqërive që të dënojnë pushtimin e një vendi e të përkrahin ata që duan të jetojnë të lirë.

Filharmonia e Kosovës vazhdimisht është azhure sa u përket ngjarjeve botërore e edhe atyre vendore. Thirrjet për kujdes ndaj ndryshimeve klimatike janë po ashtu pjesë e programeve të këtij institucioni. Kur bëhet fjalë për lirinë e popujve, Filharmonia më 2019 para një audience të madhe në Paris ka interpretuar veprën “Meshë për paqe” të Karl Jenkins duke shënuar 20-vjetorin e çlirimit dhe duke falënderuar botën demokratike për ndihmën e dhënë Kosovës.