“Kosova në Arkivin e Shtetit Shqiptar” është titulli i ekspozitës që u hap në Prizren nga dy institucionet arkivore homologe, të Prishtinës e Tiranës, në prag të 14-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave (DPA) kanë shpalosur një sërë dokumentesh në lidhje me historikun e vendit dhe figurat me kontribut të konsiderueshëm në çështjen kombëtare. Materialet që janë paraqitur në ekspozitë janë nga periudha e vitit 1912. Në të janë shfaqur edhe dokumente të pjesëmarrësve nga Kuvendi i Vlorës, të dhëna të personaliteteve të ndryshme shqiptare dhe të dhëna për Komitetin Kombëtar për mbrojtjen e Kosovës.
Kryeshefi ekzekutiv i AShAK-së, Bedri Zyberaj, në fjalën e tij me rastin e hapjes së ekspozitës ka theksuar se ekspozita “prezanton copëza të historisë së përbashkët shqiptare, të cilat ruhen në Arkivin e Shtetit Shqiptar”.
“Ekspozita është e përgatitur nga Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave e Shqipërisë, ku përmes kësaj ekspozite të dy institucionet tona shpalosën një sërë dokumentesh në lidhje me historikun e vendit dhe figurat kombëtare që dhanë kontribut në çështjen kombëtare”, citohet të ketë thënë ai, sipas njoftimit të AShAK-së. Sipas tij, dokumentet e prezantuara janë vetëm një pjesë e vogël e asaj që ruhet në dy arkivat shqiptare, Kosovë dhe Shqipëri. “Andaj, ftojmë qytetarët e Prizrenit me rrethinë që të vizitojnë dhe shikojnë copëra të historisë dhe kujtesës sonë”, ka thënë ai.
Ekspozita në oborrin e universitetit “Ukshin Hoti” do të jetë e hapur për publikun deri më 18 shkurt.