Çështja e menaxhimit të qytetit antik Bylis, është bërë temë diskutimesh edhe në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka thënë të enjten se “qyteti antik i Bylisit është një nga potencialet e fshehura të arkeologjisë, koha e ka ruajtur, e ka ruajtur besnikërisht edhe Ministria e Kulturës dhe Instituti i Arkeologjisë”.
Në fjalën e saj në Kuvend, duke replikuar me deputetin e Partisë Demokratike, Bujar Leskaj, për planin e menaxhimit të këtij parku arkeologjik, Margariti citohet të ketë thënë se “që në fillim të hartimit të termave për të gjithë vizionin, të cilin Delegacioni Evropian ka pasur mirësinë dhe besimin për të shpenzuar një shifër prej 6 milionë eurosh, ka qenë një grup ekspertësh i Ministrisë së Kulturës, Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, që përbëhet nga dy departamente ai i Arkeologjisë dhe i Trashëgimisë, së bashku me Institutin e Arkeologjisë kanë hartuar të gjithë termat për garën ndërkombëtare që është zhvilluar për agjencinë ekzekutuese”.
Akuza të shumta ndër vite janë bërë në adresë të institucioneve, për lënien në harresë të këtij lokaliteti arkeologjik shtrihen ku ruhen gjurmët e qytetit themeluar në vitet e para të shekullit IV para erës sonë, një prej dëshmive më me peshë të qytetërimit ilir. Qyteti dikur shtrihej në 30 hektarë, 35 kilometra larg Fierit në jug të Shqipërisë.
“Agjencia ekzekutuese në bazë të kësaj gare ndërkombëtare u shpall Bashkëpunimi Italian për Zhvillim, e cila aktualisht po harton planin e menaxhimit të Bylisit. Në planin e menaxhimit të integruar të Bylisit ka konsulentë, arkeologë shqiptarë që bëjnë pjesë në këtë grup. Si dhe janë 3 profesorë të nderuar që bëjnë pjesë në Këshillin Teknik, i cili bashkë me Bashkëpunimin Italian për Zhvillim çojnë përpara të gjithë termat për Muzeun e Bylisit”, ka thënë Margariti.
Sipas saj, vizioni i këtij plani është që Bylisi të mos jetë jo vetëm një lokalitet arkeologjik, që nuk ka nevojë vetëm të restaurohet e të konservohet, por të flasë edhe me gjuhën e kohës.
Margariti ka thënë se një nga komponentët që po merr jetë edhe në planin e menaxhimit është ai digjital.
“Duhet edhe fëmijët ta njohin më afër Bylisin, ashtu si sot teknologjia ua bën këtë të mundur dhe për këtë do të jetë një muze në qiell të hapur, i pari në llojin e tij, që do të flasë edhe në gjuhë digjitale”, ka thënë Margariti.