Kulturë

Piktori autodidakt i veprave që provojnë lirinë artistike

Autodidakt në pikturë, rrugëtimin e tij në pikturë e ndan në etapa jetësore, e që në secilën prej tyre ka mbizotëruar liria krijuese dhe imagjinata, e cila e ka bërë ta sfidojë realitetin. Mundin artistik, prej gati 10 vjetësh, Nazmi Heta e ka përmbledhur në ekspozitën e tij personale në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”, ku janë bërë bashkë peizazhet e portreteve të ndryshme

“Vetëm autodidaktët janë të lirë”, është një prej përkufizimeve që jep eseisti libanezo-amerikan, Nassim Nicholas Taleb, e që në rrafshin artistik nënkupton thyerje rregullash, thellësi imagjinare e vështrime përtej linjave. Historia ka qenë dëshmitare e artistëve të shumtë, të cilët pavarësisht mungesës së përgatitjes akademike, kanë arritur që me punë dhe përkushtim të lënë shenja në rrugëtimet e tyre.

Të tillë e sheh veten edhe piktori nga Drenasi, Nazmi Heta, në të cilin dëshira për penelin u rrit fuqishëm sa për ta zhvilluar vetvetiu talentin e tij. Kjo ndodhi në një formë krejt të rastësishme. Teksa flet për dashurinë ndaj pikturës, së cilës ia ka dhënë gati 10 vjet, këtë periudhë e ndan në etapa jetësore, të cilat ia kanë kushtëzuar edhe frymëzimet.

Mundin e tij artistik tashmë e ka përmbledhur në ekspozitën e tij personale, e hapur së fundmi në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”. Që në hyrje në katin e dytë të institucionit më të lartë, te bibliotekat në vend, bien në sy theksimet e pamjeve përmes ngjyrave dhe rrezatimeve që kanë.

Natyrën thotë ta ketë frymëzimin më të madh, andaj edhe ato që dominojnë veprat e tij janë pikërisht peizazhet. I realizon nëpërmjet dromcave të imagjinatës së tij, por që vija ndarëse mes realitetit është shumë e hollë. Format ujore nuk mungojnë në asnjë prej peizazheve, të cilat i sheh të domosdoshme që të kompletohet pamja finale e një pikture. Ujëvara, lumenj, mjegullnaja e plot rrjedha të tjera u japin tjetër frymë peizazheve të tij.

Por ai nuk ndalet me kaq. Në mesin e mbi 40 veprave, Heta ka edhe disa sosh që nxjerrin në pah teknika të veçanta. Ai përdor gjëra të pazakonta për pikturën dhe kështu sjell rezultate më ndryshe. Atëherë kur dëshiron të realizojë vepra abstrakte, tharësja e flokëve është mjeti i tij, me të cilin ai e pozicionon edhe tërë pikturën. Të njëjtën e bën edhe me litarë, të cilat i lyen me ngjyrë dhe pastaj krejtësisht lirshëm krijon lule në ngjyra e forma të ndryshme.

“Puna ime artistike ndahet në tri etapa: gjatë shkollës së mesme si lëndë të artit figurativ. Mandej në ‘98-ën u transferova në Norvegji për një vit. Mandej në Kosovë 6 vjet me rastin e ndërprerjes së luftës”, thotë për KOHËN piktori nga Drenasi, i cili me profesion është gurthyes.

Teksa pyetet për frymëzimet e tij, thotë se atë që s’mund ta thotë me fjalë, e shpreh me pikturë, duke treguar edhe faktin pse është fjalëpakë.

“Kjo periudha e fundit e 6-vjeçare më ka dhënë më tepër vullnet e energji. Jam duke u marrë me pikturën me kapacitet të plotë”, tregon ai, duke e cilësuar pikërisht ekspozitën fryt të kësaj periudhe. Koncepti është pikënisja e veprës.

“Unë aplikoj teknika të ndryshme te piktura, kohëve të fundit më duken interesante përdorimi i litarëve në të cilat i fus disa ngjyra. Kur i tërhoqi ata litarë i jep formën e lules”, rrëfen ai.

Përdor ngjyrat e vajit e akrilikut për të realizuar veprat e tij, teksa stinën e dimrit thotë ta ketë më në dëshirë për pikturim. Por, në krijimtarinë e tij nuk mungojnë as portretet e figurave të kombit e simbolikat historike. Adem Jashari, Skënderbeu e Ismail Qemaili janë disa prej personaliteteve, të cilat thotë që për shkak të vlerave që kanë, nuk ka mund të mos i pikturojë. Ka edhe pikturë me titullin “Molla e Kuqe” që për të zbërthen histori si “fshati ku kanë jetuar shqiptarët, mandej ishin ndjekur e persekutuar.

“Kanë mbetur vetëm gërmadhat. Andaj e kam paraqitur gjenocidin serb ndaj popullatës që ka jetuar te Molla e Kuqe”, rrëfen ai.

Ekspozita personale e Nazmi Hetës do të jetë e hapur deri më 30 janar.