I lindur më 1 mars të vitit 1952, pikënisja e karrierës artistike të Arben Shakës daton në vitin 1966, kur edhe interpretoi rolin e shoferit në pantomimën “Shoferi dhe Pasagjeri”- për të vijuar me një karrierë gati 30-vjeçare. Në moshën 17-vjeçare, në vitin 1968, nis karrierën profesioniste në skenën e Teatrit të Estradës së Tiranës. Aktori i humorit është vlerësuar lart pas vdekjes. Më moshën 70-vjeçare vdiq në Athinë. Ishte zhvendosur atje bashkë me familjen para më shumë se dy dekadash
Si një prej personazheve kryesore të Cirkut të Shqipërisë njihej gjithandej ku ky institucion jepte shfaqje gjatë periudhës moniste. Por me akrobacionet e batutat e tij do të njihej fund e krye Shqipërisë nëpërmjet filmit “Cirku në fshat”. Arben Shaka si personazhi kryesor i filmit e kishte etabluar portretin e tij prej humoristi. Adhurohej nga fëmijët e të rinjtë.
Aktori i humorit është vlerësuar lart pas vdekjes. Më moshën 70-vjeçare vdiq të dielën në Athinë. Ishte zhvendosur atje bashkë me familjen para më shumë se dy dekadash.
“Lamtumirë mik i vyer Arben Shaka. U rrita qysh fëmijë me humorin tënd të bukur dhe të shëndetshëm aty, në Cirkun e Tiranës. Si komshi, kaluam bashkë plot vite miqësie duke parë tek ty jo vetëm shpirtin e mirë të një artisti të jashtëzakonshëm, por mbi të gjitha pashë tek ty një njeri me zemër të madhe, bujare dhe fisnike”, ka shkruar në Facebook miku i tij, Ilir Çumani. Sipas tij, është e hidhur ikja e Shakës në mënyrë të beftë dhe të heshtur në një moshë relativisht ende të re.
“Do të mbaj mend gjithmonë Benin shakator, plot humor e ngazëllyes, i pafjalë dhe me pafajësinë e një fëmije, që edhe gjërat serioze i kaloje me shumë humor e sportivitet. Sa do më mungosh mik! Të qoftë dheu i lehtë Artist i mirë….. R.I.P“, ka shkruar Çumani në mesazhin e tij në rrjetet sociale.
I lindur më 1 mars të vitit 1952, pikënisja e karrierës artistike të Arben Shakës daton në vitin 1966, kur edhe interpretoi rolin e shoferit në pantomimën “Shoferi dhe Pasagjeri”- për të vijuar me një karrierë gati 30-vjeçare. Në moshën 17-vjeçare, në vitin 1968, nis karrierën profesioniste në skenën e Teatrit të Estradës së Tiranës.
Fillimisht Shaka ishte i fokusuar vetëm në skenën e Estradës, por këmbëngulja e Artistit të Popullit dhe njëherazi krijuesit të Cirkut shqiptar, Telat Agolli, që atë kohë ishte udhëheqës artistik i cirkut, e shtyu Shakën të përfshihej edhe në botën e cirkut.
Ka pasur fatin që të luante në skenën e Estradës dhe me artistë të njohur si Mihal Popi dhe më vonë me Melpomeni Çobanin, një aktore tejet e vlerësuar. Në cirk, partneri i tij kryesor ishte Met Selimi, mjeshtër i akrobacioneve. Për shumë vjet me radhë kanë qenë kolegë e partnerë në skenë.
Në Cirk, Shaka ka qenë klouni kryesor dhe bazament në elementet akrobatike, me një vokal të këndshëm, kishte krijuar një sukses të përhershëm. Ndër sukseset e tij më të spikatura ishte filmi “Cirku në fshat” (1977), ku luante në rolin e Agronit. Arben Shaka ka pasur shumë role të tjera të suksesshme si në varietete televizive dhe në estradë.
Për herë të parë merr pjesë në një film në vitin 1969 tek “Përse bie kjo daulle”. Më pas vazhdoi përsëri në filmin e dytë në vitin 1972 “Odiseja e tifozëve”. Në shtator të vitit 1998, ashtu si shumë shqiptarë edhe ai u largua së bashku me familjen për të emigruar në Greqi.
E Cirku Kombëtar nuk ka pasur ditë të mira kohëve të fundit. Ka mbetur edhe pa hapësirë. Në vitin 1959 një grup entuziast realizuan një shfaqje të plotë cirku të titulluar “Shkopi magjik”. Ky moment i rëndësishëm shënon krijimin e Cirkut Shqiptar, një pjesë e rëndësishme dhe me vlerë e kulturës dhe e artit tonë kombëtar.
Arti i cirkut në Shqipëri është i pëlqyeshëm nga të gjitha moshat. Nuk ka një skenë, stadium apo shesh në Shqipëri ku artistët akrobatë nuk kanë luajtur dhe nuk kanë shfaqur aftësitë e tyre të rralla artistike. Ata gjithmonë janë mirëpritur nga publiku. Sidomos kur aty ishte kryepersonazhi Arben Shaka.