Kulturë

Ministri Çeku: Problemet në kulturë janë kronike, zgjidhja te ligji unik

“Unë nuk u besoj zgjidhjeve të shpejta për këtë arsye i kemi hyrë këtij procesi afatgjatë, por jo shumë afatgjatë sepse problemet janë aq të mëdha andaj ky vit do të na gjejë me ligj të ri që do të përmbysë këto ekzistueset dhe një ambient sa më pak burokratik të funksionimit të institucioneve”, ka thënë ministri Hajrulla Çeku në “Desk” të KTV-së
 

Për ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku, problemet në kulturë janë të shtresëzuara kaherë dhe si zgjidhje të tyre e sheh ligjin unik të kulturës, i cili sipas tij do të miratohet sivjet ani pse nuk është gati as si koncept. Në një diskutim në “Desku” të KTV-së, ka thënë se skena kulturore është e fragmentarizuar, ka pranuar se ka burokraci edhe se nuk beson në zgjidhje të shpejta. Dramaturgu Jeton Neziraj, i ka quajtur të kota takimet e tij me komunitetin artistik, i ka kërkuar të mos përmendë teatër të ri kombëtar e ka folur edhe për skema korruptuese brenda MKRS-së

Për rreth 70 minuta ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, disa herë ka përsëritur se me një ligj unik të kulturës do të zgjidhen shumë probleme. I ka cilësuar si probleme shumështresore ato të institucioneve qendrore të kulturës e edhe të skenës së pavarur.

Në emisionin “Desku” të KTV-së, të enjten mbrëma, është diskutuar për kulturën e trashëgiminë kulturore. Në një përballje me dramaturgun Jeton Neziraj dhe gazetarin e Grupit KOHA, Shaban Maxharraj, ministri Hajrulla Çeku ka folur për veprimet e deritashme në Ministri e po ashtu edhe për disa objektiva.