Kulturë

“Në kërkim të Venerës” testohet edhe para audiencës vendore

Descriptive Text

Përderisa rrugëtimi nëpër festivale vazhdon dhe një vit pas premierës botërore e gjashtë muaj pas asaj vendore, “Në kërkim të Venerës” ka nisur të shfaqet në kinematë e vendit, në Prishtinë, Prizren e Gjakovë. Debutimi i Norika Sefës në metrazh të gjatë, sjell rrëfimin për kontrastet jetësore të tri gjeneratave. Për ekipin, shfaqja para audiencës vendore është testimi përderisa ka ecur mirë nëpër festivale

Filmi i gjatë debutues i regjisores Norika Sefa, “Në kërkim të Venerës”, që ndjek jetën e trazuar të një vajze fjalëpak, e cila jeton në një fshat të Kosovës, tani do të shfaqet edhe në kinematë e vendit. Filmi pati një shfaqje speciale të mërkurën mbrëma në “Cineplexx” si paralajmërim se tani është pjesë e repertorit të kinemave në Prishtinë, Prizren e Gjakovë.

Në një familje tradicionale shqiptare duket mision i zorshëm arritja e pavarësisë. Përplasjet midis gjeneratave janë të pashmangshme. Kështu regjisorja Norika Sefa, nëpërmjet filmit të saj “Në kërkim të Venerës”, vë në pikëpyetje sesi është të rritesh në një shtëpi ku jetojnë tri gjenerata, e që për shumë kultura tingëllon si diçka e pamundur. Sidoqoftë, nga kritikët ky film i metrazhit të gjatë shihet si rrëfim universal. Një reflektim se çfarë do të thotë adoleshenca, një përmbledhje e kërkimit drejt individualitetit.

Producenti Besnik Krapi ka thënë se pas suksesit të shënuar në festivale ndërkombëtare e kanë parë të nevojshme që rrëfimin ta shpalosin edhe para publikut vendas.

“Filmi ka ecur mirë në festivale, mirëpo vetëm publiku vendas mund të thotë se ‘ky jam unë’ ose edhe jo nuk po e gjej veten në film. Pra, sonte ka qenë një ndjenjë shumë e veçantë dhe po shpresoj që kanë për ta shikuar sa më shumë njerëz pasi që është një film interesant”, ka thënë ai. Ka treguar se filmi është i fokusuar te ndjenjat dhe te të shprehurit e tyre. Po ashtu, ka thënë se i kanë hyrë punës edhe për ta dërguar filmin edhe në vende të tjera të rajonit, por për momentin ka theksuar se vëmendjen e plotë e kanë që gjithçka të ecë mbarë në kinematë në vend.

“Në kërkim të Venerës” bëri që për herë të parë në historinë e Festivalit të njohur të filmit në Rotterdam të Holandës, një projekt kineast nga Kosova të përfshihet në garën zyrtare. Vulosi edhe një sukses tjetër, kur në shkurt të 2021-s u bë i pari që u shpërblye. Mori Çmimin special të jurisë për arritje të jashtëzakonshme artistike në kategorinë “Tiger Competition”.

Në qendër të filmit është Venera (Kosovare Krasniqi), një adoleshente në kërkim të individualitetit dhe Dorina (Rozafa Çelaj), e njohur me alkoolin, seksin dhe lirinë për të bredhur ku të dojë (të paktën derisa vëllai i saj ndërhyn).

Aktorja Çelaj ka thënë se roli ka qenë mjaft sfidues për të pasi që posa kishte kaluar vetë fazën e adoleshencës dhe i duhej që të rikthehej në të për ta portretizuar një 17-vjeçare.

“Mirëpo kemi arritur për të bërë një punë shumë të mirë me Norikën dhe normalisht edhe me Kosovaren, me të cilën ka qenë hera e parë që punoj. Unë kisha pasur eksperiencë në dy filma dhe ajo më ka besuar, mirëpo të dyja ishim të reja”, ka thënë Çelaj sa i përket procesit. Fill pas kësaj ka kaluar të nisë shfaqja e filmit në kinematë e vendit.

“Është shumë aktuale dhe mendoj se shumë njerëz të moshave të ndryshme mund ta gjejnë veten në këtë film. Po shpresoj që do të arrihet dhe të përçohet mesazhi i filmit dhe i njëjti të nxisë diskutime me çështjet që prek”, ka thënë ajo.

Shumicën e kohës dyshja do të nisë ta kalojë te klubi në qytet, ku Venera do të njihet me banakierin Genti (Tristan Halilaj). Fakti se ka një të dashur është veç nisje e rebelimit të Venerës. Një koncert që vjen më pas është një shtyje më shumë, martesa e Dorinës – goditja e radhës për kryengritje. Venera lodhet nga njerëzit të cilët për çdo gjë, sado të vogël, i tregojnë se si duhet të veprojë.

Regjisorja Norika Sefa pa dyshim që është pjesë e regjisorëve që po lënë shenja me atë që po konsiderohet si vala e re e kineastëve. Mirëpo, krahas regjisorëve në këtë film, veçohet edhe vala e re e aktorëve ku nuk mungojnë as Kosovare Krasniqi e Rozafa Çelaj.

Loja e Erjona Kakellit (nëna e Venerës, Nora ) dhe e Basri Lushtakut, (babai i Venerës, Luani) por edhe ajo e gjithë kastës kontribuon për të dhënë atë imazhin e një komuniteti të bllokuar në një shoqëri tradicionale që nuk pranon mënyrat e reja të jetesës.

Aktorja Kosovare Krasniqi ka thënë se pikërisht përvojat që kanë pasur aktorët e tjerë i kanë ndihmuar që të japë më të mirën për vete.

“Nuk është se kam qenë në festivalet kur është shfaqur për të parë reagimin e publikut, mirëpo si aktore mund të them se ne kemi nevojë për t’i parë reagimet e njerëzve vendas pasi që kritikat më të mirëfillta vijnë nga njerëzit që i njeh. Pastaj edhe vetë filmi flet për njerëzit në Kosovë. Prandaj, për mua është shumë e rëndësishme që të marrim përshtypjet e tyre”, ka thënë ajo,

Edhe për aktorin Basri Lushtaku, që emocioni është çdo herë më i veçantë kur filmi shihet nga publiku vendas.

“Është kënaqësi kur njerëzit flasin për filmin, por edhe kur i marrim kritikat pasi që na ndihmojnë që të përmirësohemi për filmat e ardhshëm”, ka thënë ai. Sipas tij, çdo rol është sfidues dhe i tillë ka qenë edhe ky për të.

“Çdo personazh, çdo karakter kur e përgatit është i vështirë, kërkon angazhim shumë të madh. Unë kam qëndruar 27 ditë në set-xhirimi edhe pse nuk kam pasur xhirim. Megjithatë, duke i parë shoqëritë tona patriarkale dhe duke jetuar në njëfarë formë aty, pasi që jam pjesë e vetë fshatit ndoshta pak a shumë kam parë edhe karakteret e shumë njerëzve dhe nga të gjithë kam marrë nga pak për ta përgatitur sa më mirë personazhin tim”, ka thënë ai.

Premiera kombëtare e “Në kërkim të Venerës” u dha në gusht, në kuadër të “PriFilm Fest”. Filmi po ashtu gjatë kësaj periudhe u nderua edhe me çmime. Mori dy çmime në Festivalin Ndërkombëtar të Hong-Kongut, për “Regjinë më të mirë” e për “Aktoren më të mirë”. Krasniqi rrëmbeu çmimin e “Aktores më të mirë” edhe në edicionin e 36-të të Festivalit prestigjioz të Filmit në Valencia. E në gusht të 2021-s, në edicionin e 27-të të Festivalit të Filmit në Sarajevë fitoi çmimin “Përmendje speciale për barazi gjinore”.

Sefa, me “Në kërkim të Venerës” veç ka nisur konsolidimin e individualizimit në artin e shtatë. Puna e saj, tani do të shihet edhe në ekranet e kinemave në vend, përveç në “Cineplexx” filmi do të shfaqet edhe në “DokuKino” në Prizren dhe në kinemanë “Hyrije Hana” në Gjakovë.