Kulturë

Edi King – avangardisti i papërsëritshëm i muzikës shqipe

Tiparet në muzikë e si njeri do t’ia jepnin Eduard Merakut edhe emrin skenik, Edi King
 

Nëse ndonjëherë dikush do të merret seriozisht me shkrimin e historisë së rockut në Kosovë, emri i tij do të jetë i pakapërcyeshëm dhe ndër të parët në listë. Eduard Meraku, i njohur si Edi King, qe pionier i rockut, frymëzues për gjenerata të tëra bashkë me grupin “Seleksioni 039”, zë i veçantë e figurë unike edhe kur kapërcente në zhanre. Avangardist jo vetëm në muzikë, mik e njeri i veçantë, siç e përshkruajnë miqtë e tij. Kingu vdiq të enjten pasdite, duke lënë prapa gjurmët e kujtimet e pashlyeshme për të

Nofkën “King” e kishte marrë pasi që ishte babaxhan në muzikë e po ashtu edhe në shoqëri. Me mbi katër dekada karrierë në muzikë, Eduard Meraku ishte prej pioniereve të rock 'n' rollit në Kosovë. Kishte shëtitur goxha nëpër zhanre, por gjithnjë duke e pasur bazë rockun. Me flokë të gjata e pak mjekër, Edi King – siç e thërrisnin e njihej – i takon gjeneratës që u bënë frymëzim për të rinjtë në vitet ’70 e ’80.

I tillë edhe është kujtuar të enjten mbrëma kur u dha lajmi për vdekjen e tij. Ai ishte 65 vjeç.