Kulturë

Ylli i Yllkës

Descriptive Text

Aktorja Yllka Gashi qesh kur pyetet nëse e ka menduar veten në ngjarjen prestigjioze të “Academy Awards”. Por rruga deri atje s’është veç ëndërr për të e për krejt ekipin e filmit “Zgjoi” të Blerta Bashollit. Me rolin e Fahrije Hotit, ajo tashmë është në mesin e emrave më të shquar botërorë. Ylli i Yllka Gashit tashmë po shndrit

Është një yll që shkëlqeu gjatë këtij viti. Është pa dyshim Yllka Gashi. Skena ndërkombëtare e filmit i ka kthyer sytë nga ajo dhe aktoret nga Kosova. Roli si Fahrije Hoti ka zbuluar një anë tjetër të Gashit. Një aktore mendjemprehtë që ka kaluar shumë sfida. Është gati edhe për të tjerat që do të vijnë. “Është në ADN-në tonë të shkëlqejmë”, do të thoshte Dua Lipa, e cila po përkrah “Zgjoin” në rrugëtimin e tyre drejt “Oscars”.

Rrëfimi inspirues drejt “Oscarit”

Yllka Gashi qesh kur pyetet nëse e ka menduar veten në ngjarjen prestigjioze të Akademisë Amerikane. “Nuk mendoj që ka ndonjë aktor, kudo në botë që nuk e ëndërron ‘Oscarin’ e veten në atë skenë”, thotë ajo. Ka goxha mundësi të mbajë trofeun që ka figurën e kalorësit që mban një shpatë në duar e që qëndron në një mbështjellës filmi me pesë spica rrote, që nënkuptojnë pesë degët e Akademisë (aktorë, regjisorë, producentë, teknikë dhe shkrimtarë). “Zgjoi” ka hyrë në listë të ngushtë të filmave në garën ndërkombëtare. Është rrugës drejt nominimeve, që mbahen më 8 shkurt.

Për performancën e Gashit do të shkruanin shumë media me nam. Sipas “Variety”, ka disa momente veçanërisht në performancën e fortë të Gashit, që lidhet me një fuqi emocionale të rrallë. E për “New York Times” performanca e saj është aq e fuqishme dhe ajo artikulon në mënyrë lirike funksionimin e brendshëm të personazhit të saj të heshtur.

“Së bashku, interpretuesja dhe regjisorja zbulojnë harkun e një jete përmes gjesteve të Fahrijes dhe në vijat e forta të nofullës së saj, në buzët e saj të pabuzëqeshura dhe në shikimin e saj të ulur shpejt. Dhe ndërsa stoicizmi i personazhit duket si një mur i pathyeshëm, këto dy gra e çmontojnë – dhe e rindërtojnë atë – me efekt nxitës”, do të shkruante “New York Times”.

Kur çmohet e shpërblehet puna, sipas Gashit, është një ndjenjë e jashtëzakonshme. Ani pse, sipas saj, kritika më e rëndësishme për të ishte mendimi i Fahrije Hotit.

“Ajo pasqyron shumë bukur krejt vuajtjet e mia”, do të thoshte Hoti. Për Gashin, ky ka qenë misioni e qëllimi të nderojë sakrificën e mundin e saj. Filmi ka komunikuar mirë edhe me botën. Është parë si një rrëfim inspirues. Gashi e konsideron fat që u bë pjesë e këtij momenti historik të kinematografisë së Kosovës.

Roli i një kapitulli të ri

Mes angazhimeve të shumta, aktorja 39-vjeçare bën më të mirën për t’iu përgjigjur të gjithë atyre që i shkruajnë. Shpeshherë mund të jetë ndier “jet lagged”, duke u gjendur në mes të dy zonave të ndryshme kohore. Ka disa vjet që jeton në ShBA. Më 31 janar do të bëhet 1 vit nga premiera e debutimit si Fahrije Hoti.

“Kur shikoj prapa, ky rol më ka dhënë shumëçka”, thotë ajo. Gjatë gjithë vitit, filmi pati suksese të njëpasnjëshme e që befasuan krejt ekipin.

“Unë kam dhënë nga vetja krejt çka kam pasur mundësi në ato rrethana, që të ndërtoj një rol të besueshëm e të ndjeshëm, sepse zonja Fahrije e ka merituar një portretizim të tillë, të sinqertë e të ndier”, thotë ajo. Thekson se edhe regjisorja Blerta Basholli ka merituar përkushtimin e saj maksimal për shkak të besimit e përgjegjësisë që i kishte dhënë.

Një kronikë televizive do të bëhej sebep që regjisorja Blerta Basholli të nisej drejt Krushës së Madhe për ta takuar Fahrije Hotin, gruan sinonim të vuajtjeve të pasojave të luftës, por mbi të gjitha, shembull të guximit e mosheqjes dorë. Që nga takimi e deri të realizimi i filmit u bë një dekadë. Kjo periudhë testoi edhe durimin e aktores Gashi.

“Ky rol më ka vërtetuar edhe njëherë që gratë e nënat shqiptare janë të mahnitshme dhe i meritojnë dashurinë, respektin e përulësinë tonë të përjetshme për sakrificat e mundin e tyre”, thotë ajo. Është e bindur që mrekullitë ndodhin kur gratë e duan dhe e përkrahin njëra-tjetrën pa xhelozi e me sinqeritet dhe kanë një qëllim të përbashkët.

“Ky rol më ka shtuar vullnetin e pasionin e plotë që kam për profesionin tim dhe më ka mundësuar ta ndërkombëtarizoj karrierën time. Më ka hapur dyer të cilat shpresoj që do të sjellin përvoja të reja”, ka thënë ajo.

Image
Yllka Gashi me trofeun e Çmimit për aktoren më të mirë në edicionin e 66-të të “Valladolid International Film Festival” në Spanjë, më 30 tetor të vitit 2021

Së pari dashuria, pastaj personazhi

Rruga deri tek elita e kinematografisë botërore pati shumë pikëndalesa. Gashi në shtator të vitit 1999, si nxënëse e vitit të dytë në gjimnaz, kishte pasur audicionin e parë profesional në Teatrin Kombëtar të Kosovës për shfaqjen “Hamleti”, me regji të David Gothard. Një vit më vonë – pa përfunduar shkollën e mesme – u regjistrua në Fakultetin e Arteve. Vitin e parë të aktrimit dhe atë të fundit në gjimnaz i përfundoi paralelisht. U diplomua në vitin 2004.

Atë vit me rolin e vajzës, në shfaqjen pa fjalë “Babai”, u shpërblye si aktroja më e mirë në festivalin ndërkombëtar të teatrit “Setkani/Encounter” në Brno të Çekisë. Ky ishte çmimi i saj i parë. Bëhet fjalë për një festival garues mes universiteteve.

Në teatër, gjurmë la me rolin si Paulina Escobar në shfaqjen “Vdekja dhe Vasha” (Teatri Kombëtar i Kosovës 2009-2010), e shkruar nga Ariel Dorfman, nën regji të Fatos Berishës. Ngjarja zhvillohet në një vend ku posa është vendosur demokracia. Gerardo Escobar (Shkumbin Istrefi) është emëruar që të hetojë krimet e regjimit të vjetër. Në një moment atij i prishet makina, në ndihmë i del doktori human Roberto Miranda (Luan Jaha). Gruas së tij, Paulinës, zëri i doktorit i ngjall kujtime për një burrë tjetër, atë që e përdhunoi dhe torturoi teksa ishte e shtrirë e me sy të lidhur në një qendër paraburgimi ushtarak vite më parë. Shfaqja fitoi çmimin e parë të jurisë “Apollon 2010” për aktoren më të mirë në edicionin e 9-të të festivalit ndërkombëtar të teatrit “Apollon” në Fier, Shqipëri. Në bagazhin e saj teatror, ndër të tjera, ka edhe “Daisyland” me tekst të Christopher Durang, nën regji të Agon Myftarit. Shfaqja ishte në repertor për dy sezone në Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe mblodhi audiencë të madhe gjatë sezonit 2009/2010.

Prej secilit rol ajo ka mësuar a zbuluar diçka të re. “Diçka edhe për veten e që ndoshta nuk e kam ditur më herët”, thotë Gashi.

Mes roleve të tjera është edhe ai i Zarifës te filmi i gjatë “Kukumi” (2005) me skenar të Mehmet Krajës, nën regji të Isa Qosjes, i cili ishte edhe bashkëskenarist. Gashi ka luajtur edhe në filmin e shkurtër “The weeding tape”, me skenar e regji të Ariel Shaban. Në sirtarin e roleve ka edhe Lenën, që i solli bashkëpunimi e parë me Bashollin. Te filmi i shkurtër “Lena dhe unë” (2010) janë dy imigrantë në Amerikë që pajtohen që të martohen me dëshirën e prindërve që insistojnë që fëmijët e tyre të mos asimilohet e të humbin traditat.

Kuptohet në seri televizive i preferuari i të gjithëve mbetet Zana e “Familjes Moderne” ani pse ajo pati rol edhe te “Kambinati” prodhuar nga produksioni “Isstra Factory”.

“Unë gjithmonë kam qenë selektive në rolet që i kam luajtur dhe me pëlqen që personazhet që i luaj t’i dua së pari, t’i kuptoj e ta ndiej një lloj lidhjeje e mishërimi me to, sepse ashtu pastaj interpretimi është më i sinqertë e organik”, potencon ajo.

Ka punuar me mjaft mjeshtëri dhe entuziazëm edhe në rolin e Lisa-Polanski në shfaqjen “Women on Fire- Stories from the frontlines” (2018-2020) me skenar e regji të Chris Henryt në “Royal Family Off Broadway” në New York. Ky ishte njëherësh edhe roli i saj i parë në skenën amerikane e në gjuhën angleze. Në këtë shfaqje Henry eksploron Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga perspektiva të ndryshme kulturore e socioekonomike.

Aktrimi që i përmbledh të gjitha

Aktorja nga Prishtina, që në fëmijërinë e hershme e kishte ditur se do të merrej me diçka që ka të bëjë me skenën e artin. Kishte provuar disa gjëra. Thotë se ishte në kërkim të asaj që di të bëjë me së miri e në rrugë për të krijuar një identitet.

Kishte shkruar tregime e poezi për fëmijë dhe të njëjtat i kishte botuar në revistat e asaj kohë si “Bujku”, “Pionieri” e “Zani i Rinisë”. Merrte pjesë në orë letrare, shpesh shkonte në “Dodonë”, kishte provuar veten edhe si fotomodele e si valltare ishte shfaqur në disa programe televizive.

Thotë të jetë me fat që prindërit e kanë lënë të lirë të zgjidhte rrugën e saj. “Dhe me ato pak mundësi që i kanë pasur na i kanë siguruar kushtet që ne t’i ushqejmë ëndrrat e talentin tonë”, thotë Gashi.

Edhe fakti që është rritur me tri motra më të mëdha ka bërë që t’i ketë ato si model e inspirim. Si për të dëshmuar këtë merr si shembull motrën e saj të madhe, Donikën – këngëtare dhe shkrimtare – që ia kishte ngjizur shprehinë dhe dëshirën për të shkruar.

Dashurinë për aktrim e kishte zbuluar në klasën e shtatë. Bashkë me disa shokë e shoqe ishte regjistruar në kurs aktrimi. Mësuese kishin Rebeka Qenën.

“Aty e kuptova se aktrimi është ajo që i përmbledh të gjitha ato që i kam provuar më herët dhe me ka dhënë një përmbushje të madhe shpirtërore dhe mundësinë për t’u transformuar në dikë e diçka të re, mundësinë e studimit të njerëzve, shprehive, dukurive. Ma ka rritur kureshtjen për ta kuptuar njeriun më mirë e më me pak gjykim”, thotë ajo.

Rolet që do t’i vijnë tash e tutje, do t’i mësojnë akoma gjera të reja. Gashi veç sa ka dalë ndërkombëtarisht në pah, është duke kaluar disa momente kthese në karrierën e saj, e përpara do të ketë mjaft zgjedhje. Me rëndësi që pas çdo roli, të madh a të vogël, të mbajë gjallë pasionin për aktrimin. Ylli i saj ka shndritur.

Çmimet me “Zgjoin”

Festivali i Filmit në Valladolid, Spanjë (edicioni i 66-të): Çmimi për aktoren më të mirë

Festivali i Filmit në Scottsdale të Arizonës, SHBA (edicioni i 20-të): Çmimi për aktoren më të mirë në rol kryesor, “Phoenix Film Critics Society Award”; Festivali i Filmit në Mal të Zi (edicioni i 34-t):

Çmimi për aktoren më të mirë.“Golden Mimosa”.