Kulturë

“Rrjetet e kulturës” – mundësi për dalje nga kriza e përbashkët

Descriptive Text

Sfidat e krijimit të rrjeteve kulturore nëpërmjet punës disavjeçare të skenës së pavarur artistike, vështirësitë me të cilat përballen brenda organizatave, stafi i cili avokon për ndryshime komunitare, mungesa e qëndrueshmërisë financiare dhe mirëbesimi institucional kanë qenë kryetemat e panelit të tretë, “Rrjetet e kulturës”, në kuadër të konferencës “Partneriteti Publiko-Civil për Reformën në Qeverisjen Kulturore në Kosovë” të martën në kinemanë “Jusuf Gërvalla” në Pejë. Telashet si këto janë të përbashkëtat e organizatave të kësaj natyre, e rrjetëzimi shihet si një lloj shansi për dalje nga kriza

Me folës nga organizata e platforma rajonale të kulturës në Ballkanin Perëndimor, paneli në kuadër të projektit “Partneriteti Publiko-Civil për Reformën në Qeverisjen Kulturore në Kosovë” ka hapur pyetje mbi rëndësinë e qëndrueshmërisë dhe vazhdimësisë së punës, si aset kryesor për mbështetje.

Nën moderimin e Luka Strikës, “Rrjetet e kulturës” bashkoi në një vend përvojën e Tihana Pupovacit nga “Kooperativa”, Lulzim Hotit nga “7 Arte”, Inga Remetas nga “Asociacija” dhe Aleksandar Popoviqit nga Asociacioni i Pavarur i Skenës Kulturore në Serbi.

Eksperiencën e veprimit kulturor në vendet e ish-Jugosllavisë, duke qenë përbashkues i 21 organizatave joqeveritare të Kosovës, Bosnjë Hercegovinës, Sllovenisë, Malit të Zi, Kroacisë e Serbisë e tregoi Pupovac nga “Kooperativa”.

“Arsyeja pse njerëzit bashkohen rreth ‘Kooperativës’ është ekzistenca e bashkëpunimit dhe rrjeti i avokimit”, ka thënë ai në panel.

Pupovac e cilësoi rrjetin kulturor si asetin më të madh që e posedojnë, si pjesë e platformës e cila qendrën e ka në Kroaci.

“Kemi marrë vendim që të shohim se nga vijnë fondet tona, me kë po bashkëpunojmë, a janë në kuadër të mekanizmave të projekteve të Evropës”, u shpreh ajo, duke ngritur edhe çështjen e verifikimit të fondeve si sfidë të dytë, pas fitimit të granteve.

E sfidues është funksionimi material edhe për organizatën “7 Arte”, e cila që nga viti 2006 po vazhdon rrugëtimin e ngjalljes kulturore të Qytetit të Minatorëve.

“Organizatat janë duke tentuar që të mbijetojnë. Nuk ka buxhet”, ka thënë Lulzim Hoti. “Pa rrjetëzim kulturor s’do të mund të kishim as strategji e as objekt”.

Tutje, organizatori i Festivalit “Green Fest” ka thënë se pavarësisht përpjekjes së vazhdueshme, ende e vlerësojnë veten si të pafuqishëm plotësisht, për shkak se mungon ende mbështetja.

“Gjëja elementare është se ne nuk kemi staf specifik për t’u përballur me probleme dhe se nuk jemi aktivë gjatë tërë kohës për nevojat e komunitetit”, ka përfunduar Hoti.

Një pikë tjetër e rëndësishme që u potencua gjatë panelit ishte fakti i ndërrimit të udhëheqësisë së organizatave. Kjo sipas Hotit, është sfidë në vete. Përderisa për katër vjet krijohet një lloj besimi te personi i cili është në krye, sapo të përfundojë mandati duhet angazhim tjetër për të krijuar relacion të njëjtë me publikun.

“Nëse s’ke njerëz shumë, ti përdor çkado që ke mundësi dhe kjo është sfiduese. Si qytet jemi të vegjël dhe kuptojmë nga miqtë tanë që i kemi në parti se çfarë po ndodh”, ka thënë ai, duke aluduar te proceset vendimmarrëse lidhur me kulturën. “Një nga anëtarët është i ngarkuar me monitorim të institucioneve dhe prania e tij është shumë e rëndësishme, për shkak që ne i japim detyra për të parë nëse po respektohen politikat e kulturës”.

Aleksandar Popoviq nga Asociacioni i Pavarur i Skenës Kulturore në Serbi, ka thënë gjendja te ta është e njëjtë si në Mitrovicën e Jugut.

“Njerëzit detyrohen të punojnë relativisht shpejt, po ashtu ne po mundohemi të formojmë grupe të reja të cilat do të ishin edhe motivim për njerëzit e tjerë për të punuar”, ka thënë ai.

Sipas tij, krijimi i rrjetit është i vështirë e kur arrihet është shumë i dobishëm. “Ju shihni hapësira dhe i ktheni ato te njerëzit, (duke ua ofruar edhe mënyrat) që si mund t'i përdorin”, ka thënë.

Por Inga Remeta nga “Asociacija” ka thënë se ky aktivizëm nuk vlerësohet edhe aq nga komuniteti.

“Njerëzit reagojnë vetëm kur gjërat janë të ndërlidhura direkt me ta”, ka thënë Remeta.

Gjithë procesin e punës e ka vlerësuar të lodhshëm. Kështu i arsyeton edhe reagimet “frustruese” që kanë marrë në kuadër të organizatës së tyre nga anëtarët, të cilët sipas saj, kanë dashur të jenë më të përfshirë.

“Pjesëmarrja dhe diskutimi demokratik duhet të ekzistojë, mirëpo jo në të gjitha nivelet. Nganjëherë duhet të vendosim dhe të bëjmë gjëra”, ka thënë ajo.

Konferenca “Partneriteti Publiko-Civil për Reformën në Qeverisjen Kulturore në Kosovë” ka nisur të hënën dhe organizohet në kuadër të projektit të financuar nga BE-ja “Hapësirat Kulturore të Kosovës”, e që avokon për forma të reja dhe efektive të partneritetit dhe bashkëpunimit publiko-civil, duke iniciuar një diskutim dhe duke vendosur një plan për përpjekjet e ardhshme të rrjeteve të organizatave kulturore, komuniteteve artistike dhe autoriteteve publike. U hap me panelin “Mbështetje e Qëndrueshme Publike për Skenën e Pavarur Kulturore”, për të pasur me atë në temën “Qeverisja e Infrastrukturës Publike”, dhe në fund, “Rrjetet e Kulturës”.