Kulturë

Petrit Halilaj merr çmimin që identifikon figurat qendrore të artit

Prishtinë, 7 korrik - Me arsyetimin se përvojat e jashtëzakonshme të jetës, me kujtime të ngjarjeve të rënda, ia mundësojnë artistit të trajtojë me ndjeshmëri të madhe rrëfimin e historisë e ngjarjeve, Petrit Halilaj, e ka shtuar në biografinë e tij edhe një çmim të rëndësishëm ndërkombëtar, shkruan sot Koha Ditore.

Artisti kosovar është vlerësuar nga juria e “Mario Merz”, një çmim i krijuar për të identifikuar e vlerësuar personalitete në fushën e artit vizual dhe atij muzikor. Halilaj, i cili kishte prezantuar Kosovën në pjesëmarrjen historike për herë të parë në Bienalen e Artit në Venecie - është përzgjedhur fitues i kategorisë së artit në edicionin e dytë “Mario Merz Prize” - i vetmi çmim ndërkombëtar për art dhe muzikë. Ai është përzgjedhur fitues nga juria dhe vota e publikut, nga lista e ngushtë me pesë artistë, përfshirë Francesco Arena, Gili Lavy, Shahryar Nashat e Suha Traboulsi. Në kategorinë e muzikës çmimin e ka marrë kompozitori amerikan Geoffrey Gordon.

“Mario Merz Prize”, organizohet çdo dy vjet nga “Fondazione Merz”.

Halilaj u lind në vitin 1986, në Kostërc të Skenderajt, dhe aktualisht punon në Berlin, Kosovë dhe Itali. Praktika artistike e tij - skulptura, instilacioni, vizatimi me stilolaps ose bojë shkrimi - është ndërtuar rreth biografisë së tij dhe kushteve të jetës (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

{gallery}