Tiranë, 7 korrik - Libri i shkrimtares e aktivistes angleze, Elizabeth Gowing, i cili nëpërmjet shpalosjes së historikut të filigranit vjen edhe si thirrje për ruajtjen e kësaj zeje, është përuruar në Tiranë.
Në prezantimin e librit të saj “Fija e argjendtë, një rrugëtim në zejtarinë ballkanike” (“The Silver Thread: A Journey Through Balkan Craftsmanship”) të mërkurën pasdite në qendrën “COD” (Center for Openness and Dialogue) në Tiranë morën pjesë artistë, mjeshtër të fushës së argjendarisë, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë.
“Fija e Argjendtë, një rrugëtim në zejtarinë ballkanike”, përshkruan njerëzit që nëpërmjet punës së filigranit, realizuan me mjeshtëri krijime të mahnitshme. Me një theks të veçantë në Kosovë, pas një kohe të gjatë pune aty, Gowing u shpreh e shqetësuar se zanati i argjendarit nuk po trashëgohet.
Gowing është autore e “Travels in Blood and Honey” , “Edith and I (Editi dhe unë) në gjurmët e Edith Durham, “The Rubbish-Picker’s Wife” (Gruaja e mbledhësit të plehrave); një miqësi e papritur në Kosovë. Ajo është gazetare e pavarur dhe kontribuuese e rregullt e BBC Radio 4. Gowing është përkthyese e disa librave nga shqipja në anglisht dhe bashkëthemeluese e shoqatës “The Ideas Partnership”, që punon në Kosovë për projekte të arsimit, mjedisit dhe të trashëgimisë kulturore (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).
Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.