Kulturë

Protestë artistike – thirrje për parandalim dhe dënim të dhunës ndaj gruas

Dhjetëra gra pasi që janë grimosur e kanë veshur nga një mantel të bardhë, të dielën, janë bërë bashkë të plateja e sheshit “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. Grimi ishte simbolikë e varrave e dhunës së ushtruar. Pa thënë asnjë fjalë, ato më pas marshuan shesheve të kryeqytetit në drejtim të Qeverisë së Kosovës. Në duar mbanin një parullë, në të cilën shkruante: “Boll ma! Asnjë grua e vajzë më pak, asnjë vdekje më shumë”. Ai ishte mesazhi i tyre i vetëm. Aty tregohej se ato janë të indinjuara nga abuzimi sistematik i vajzave dhe grave dhe nga vdekjet e tyre si pasojë e dhunës, mungesës së përgjigjes së duhur institucionale në parandalimin dhe ndarjen e dënimeve të merituara për kryerësit e këtyre veprave. Këto gra, për këtë protestë i kashte bërë bashkë “Artpolis” – Qendra për Art dhe Komunitet.

Vajza, gra, aktiviste e artiste, kërkonin që dhuna të ndalet dhe drejtësia të arrihet. Me çdo hap të tyre fuqizonin thirrjen për drejtësi për vajzat dhe gratë që abuzohen në familje dhe shoqëri. Serioze u shfaqën edhe në kërkesën për drejtësi për vajzat dhe gratë që humbën jetën si pasojë e dhunës në familje.

Drejtoresha e “Artpolis” ka thënë se ato kanë dalë që të jenë një zë për thirrje për drejtësi dhe raportim.

“Fakti që po e bëjmë këtë protestë kështu në heshtje, pa fjalë, vetëm me pamjen tonë, me prezencën tonë, është për shkak se shumica e grave ne Kosovë, e në veçanti ato që vijnë nga grupet e margjinalizuara, gra të varfra, gra të cilat janë të papuna që nuk kanë mundësi për zhvillim të potencialit të tyre, duhet të durojnë dhunën në heshtje dhe shpesh komuniteti, familja dhe institucionet e mbyllin derën dhe nuk duan t’i dëgjojnë, i mbyllin sytë dhe nuk duan t’i shohin”, ka thënë ajo.

Ka shtuar se kërkojnë edhe nga institucionet që të punojnë më shumë për parandalim dhe të merren raportimet e grave seriozisht, e të mos shkojë deri te vrasja e tyre nga mungesa e përgjigjes së duhur institucionale.

Aktivistja Sevdije Hoxha ka thënë se dhuna që po ndodh në vend çdo ditë e ka shtyrë që me gjithë zemër t’iu bashkohet aktiviteteve që mbrojnë gratë dhe janë kundër dhunës.

“E kanë mbështetjen tonë, por duhet ta kenë edhe mbështetjen institucionale, sepse edhe nëse e raportoni ju dhunën e nuk bëhet asgjë, atëherë gjykata i liron ata persona, vetvetiu i njëjti mund të ushtrojë dhunë në personin tjetër”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër Zyra për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, përmes një përgjigjeje me shkrim për KOHËN ka thënë se që nga themelimi i institucionit i kanë trajtuar me seriozitetin e duhur rastet e dhunës në familje.

“Ndër vite Policia ka realizuar edhe fushata vetëdijesuese për pasojat e dhunës në familje duke e potencuar në vazhdimësi se dhuna nuk ndalet pa u raportuar, pa u trajtuar nga organet kompetente. Rastet e dhunës në familje janë raste të ndjeshme, dhe qasja e Policisë karshi rasteve të dhunës në familje është si parandalimi për dhunën në njërën anë, si dhe trajtimi i rasteve më seriozitet , ka bërë që raste e tilla të vijnë duke u raportuar më shpesh, ndër vite”, shkruhet në përgjigje.

Sipas së njëjtës, rastet e dhunës në familje në secilin stacion policor trajtohen nga zyrtarë policorë që kanë kryer trajnime shtesë për raste të tilla, por rastet e tilla gjithashtu trajtohen në bashkëpunim të ngushtë me qendrat për punë sociale, me mbrojtësit e viktimave dhe natyrisht me organet e drejtësisë. Sidomos rastet kur janë të përfshirë fëmijët si viktimë prania e punëtorit të QPS-së është e domosdoshme.

“Policia e Kosovës në vazhdimësi ka bashkëpunuar me institucionet relevante për të parandaluar dhe nëse ndodhin për t’i trajtuar rastet e dhunës në familje. Policia ka përdorur forma të ndryshme për të arritur këtë qëllim, si: fushatat, shpërndarja e fletë-palosjeve me porosi konkrete, ligjërata në shkolla etj. Natyrisht se bashkëpunimi me media dhe përdorimi i rrjeteve sociale na kanë ndihmuar që porosia jonë të përhapet dhe të shkojë te sa më shumë persona, e ky është qëllim primar , sepse pas vetëdijesimit, vjen deri te shtimi i njoftimeve për raste të tilla”, vijon tutje përgjigjja.

Këtë vit nga janari deri në tetor janë raportuar 1988 raste për dhunë në familje, ku 6 mijë e 059 prej tyre janë viktima të gjinisë femërore. Ndërkaq nga viti 2018 deri në tetor të 2021-tës, sipas statistikave të Policisë, janë 7506 raste të raportuara ku gratë kanë qenë viktima të dhunës.

Aktiviteti i së dielës është organizuar nga “Artpolis” dhe është përkrahur nga Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), “EJA Kosovë”, dhe është bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).