Dhjetë rrëfime që emërues të përbashkët kanë dhunën seksuale janë përmbledhur në librin “Përtej dhimbjes drejt guximit”. Janë dëshmi që dokumentojnë tmerrin e luftës së fundit në Kosovë, tek i lidh trauma që përjetohet jo vetëm nga ajo që kanë përjetuar por edhe përplasje me stigmën. Përtej frakturës dokumentare, këta janë edhe dhjetë zëra që thyejnë heshtjen në përballje të vazhdueshme me frikën e përjetimet
“Pa e dhonë t’dhimshmen, t’kojshmen s’un e merr kurrë’’, “Unë s’menoj me jetu”, “Sa t’jep Zoti ymër ki me kon gruja jem”, “As motra që e kom n’shpi s’e din”, “Mesazhi jem: mos e mbani në veti”, “Brima e tij hala në vesh më rrin”, “Hala nuk guxoj me flejtë vetë”, “S’i kom pritë këto fjalë prej teje”... janë vetëm disa kryetituj të rrëfimeve të tyre. Por, ato s’kanë epilog. Dhimbja e tyre është e vazhdueshme, njësoj si frika nga përballja shoqërore për shkak të stigmatizimit që përjetojnë nga të qenit të mbijetuara të dhunës seksuale.
Janë 20.000 persona të cilët e kanë përjetuar tmerrin e njëjtë, duke qenë edhe kategoria më e madhe në numër për nga të dëmtuarit e luftës së fundit. Kur flasin për përjetimet e tyre, shumica gjithmonë u drejtohen me “ato”, duke bërë ndarje gjinish. Mirëpo, kjo nuk është një pasqyrë reale.
Nga lufta e fundit e Kosovës kanë mbetur të dhunuara seksualisht edhe burra e djem, krahas grave e vajzave të shumta. Por, sipas psikologëve, ata mendohet ta kenë edhe më të vështirë kalimin e traumës, për shkak të shoqërisë patriarkale dhe rolit dominues që ia dhënë. Disa e thyejnë heshtjen, rrëfejnë për atë çfarë u ka ndodhur dhe lënë gjurmë në histori.
Dhjetë rrëfime me sinonim dhunën seksuale, janë përmbledhur në librin “Përtej dhimbjes drejt guximit”, i përuruar mbrëmjen e së martës në librarinë “Dukagjini”. E përbashkëta e tyre është të qenit vetë të mbijetuara të dhunës seksuale ose familjarë të atyre që kanë qenë viktima. E veçanta e tyre është se në të janë dy rrëfime të drejtpërdrejta nga dy të mbijetuar meshkuj, duke pasur parasysh heshtjen e tyre për shkak të ndikimit gjinor. Me dromca historish që nga fëmijëria, shkollimi, martesa e deri te akti i dhunimit dhe jeta mes paragjykimesh, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) dhe Forumi ZDF kanë tentuar që përmes këtij libri të pasqyrojnë ndryshimet e rrjedhës jetësore që kanë pësuar këta persona, bashkë me partnerët, fëmijët e familjet e tyre.
Baca B., Besimi, Dardani, Hasija, Luli, Merita, Nita, NN, Pëllumbi, Refkiu, Shpejtimi e Skenderi, janë personat me emërtim fiktiv, por me përjetime reale të cilët janë protagonistët e kësaj vepre.
Promovimi i veprës u zhvillua në kuadër të 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës, të cilat përmes aktiviteteve ngrenë mesazhin e eliminimit të dhunës. Nuk kishte se si të mungonte ngjyra e portokalltë në shallet e anëtareve të korit “Lira”, të cilat edhe e hapën ceremoninë. Ishte vepra “Shtati” me tekst të sociologes Sibel Halimi dhe kompozim të Pranvera Badivukut, e cila dha pasqyrimin e identifikimit të gruas me trupin e saj dhe mesazhin e zhveshjes nga ky trajtim.
Selvi Izeti, psikologia nga QKRMT-ja, e cila në të njëjtën kohë ka qenë edhe intervistuese e protagonistëve të përfshirë në “Përtej dhimbjes drejt guximit”, ka thënë se trauma është kryefjala në vepër.
“Trauma nuk e prek vetëm individin, por fëmijët, partnerët, familjen por edhe komunitetin. Fokusi është se si ka qenë fëmijëria e personave, shkollimi, martesa, çfarë ngjarjeje kanë përjetuar para dhe pas luftës. Me këtë duke ua bërë me dije lexuesve se trauma ua ka ndërruar komplet jetën”, ka thënë Izeti, teksa ka përmendur që intervistat i takojnë historisë orale dhe e kanë ruajtur edhe origjinalitetin në libër.
Grumbullimi i intervistave nuk ka qenë sfidë për ta, për shkak të bashkëpunimit mbi 20 vjet të kësaj organizate me këtë kategori të shoqërisë.
MST: “Kontributi” i shoqërisë për shkatërrim jete
“Në aspektin psikologjik, e vërej që përjetimi i dhunës seksuale nganjëherë është edhe më i rëndë, sepse faji dhe turpi të cilën e përjetojnë është edhe më i skajshëm, për shkak që ata janë rritur me stereotipa që duhet ta ruajnë veten dhe pastaj kanë fajësinë e çburrnimit”, ka thënë Izati në panelin e organizuar në kuadër të përurimit të veprës.
Sipas psikologes Izeti, shoqëria kosovare “i ka kontribuar strategjisë së dhunuesve për shkatërrim jete”, duke e kthyer në tabu trajtimin dhe shprehjen e të mbijetuarve. Tutje, ajo ka shtuar se nuk janë të pakta rastet kur linçohen tërësisht nga familja.
“Neve në organizatë na flasin me dhjetëra, por numri konsiderohet të jetë shumë më i madh, për burrat është ende shumë më e vështirë të flasësh për dhunë seksuale”, ka përfunduar ajo.
Rrëfimi i cili arriti të përlotë të pranishmit, duke përfshirë edhe vetë Vasfije Krasniqi - Goodmanin, aktivistja e cila u bë shembull i thyerjes së heshtjes, ishte ai i një burri i cili ishte bërë shtysë e krah mbështetjeje për gruan e tij. Ende pa u martuar, me të kuptuar se ajo kishte qenë e dhunuar, kishte insistuar deri në fund që të lidhnin kurorë. Pa tone fajësimi dhe pa paragjykime, ai kishte arritur ta bindte këtë të fundit, pavarësisht që ajo kishte kundërshtuar disa herë, duke e cilësuar veten si të padenjë për martesë. Madje këtë e kishin bërë në ditën kur kishin filluar bombardimet e NATO-s në Kosovë, duke pasur dy gëzime përnjëherësh. Kjo ishte një pjesë pozitive e pranimit dhe ndërtimit familjar, pavarësisht së kaluarës. Por, jo të gjithë veprojnë njësoj.
MST: Dhuna seksuale si strategji lufte
Armë lufte e ka cilësuar dhunimin seksual edhe sociologia, Vjollca Krasniqi.
“Dhuna seksuale në luftë ndërlidhet me identitetin kombëtar dhe nacionalizmin, ndjenjën së cilës bashkësi e komb i takojmë. Dhuna është ndaj kolektivit e jo ndaj roleve gjinore të ndara”, ka thënë Krasniqi, ligjëruese në Universitetin e Prishtinës.
E ka cilësuar dhunën seksuale si pjesë të strategjisë për spastrim etnik dhe shkatërrim të kombit, ku mjet për këtë janë trupat njerëzorë.
“Ky libër është domethënës për shkak që na shpërfaq shumë perspektiva, u kontribuojnë pasojave të luftës dhe drejtësisë tranzicionale. Arritja e drejtësisë është e domosdoshme, njësoj si njohja e këtyre përvojave, duhet të kenë vend qendror në kujtesën kolektive”, ka thënë Krasniqi.
“Kosovë, të dua”, është titulli i shkrimit të Wiola Daviel, drejtoreshës të programit rezidencial HANAC, që është përfshirë në libër.
“Numrat janë të rëndësishëm, por edhe mund të jenë çnjerëzuese për personin për të cilin mëtojnë se flasim. Në vend që të njohim një njeri, ne shohim përmbledhje numrash e përqindjesh. Numrat nuk e përshkruajnë saktë dhimbjen me të cilën të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës vazhdojnë të jetojnë”, ka shkruar anëtarja e Shoqatës Ndërkombëtare Psikoanalitike, Qendrës se Terapisë të Institutit të Grave. “Pengesa më e madhe është se si të arrihet që opinioni publik të heq dorë nga komoditeti i vet dhe të mos keqinterpretojë ose mohojë përvojat e të mbijetuarve”.
“Përtej dhimbjes drejt guximit” është vepra e radhës që shpalos rrëfimet e të mbijetuarave të dhunës seksuale pas “Unë dua të dëgjohem”, si projekt i organizatës “Integra” dhe forum ZDF, i botuar në tri gjuhë në maj të vitit 2016 e që bëri goxha bujë tek u përurua edhe në Beograd në kuadër të festivalit “Mirëdita, Dobar Dan!”.