Kulturë

“Distanca” shkrin kufijtë me ikonat e kulturës dhe politikës

Personazhet eminente të popullit shqiptar e përtej tij rrumbullakohen në 16 portretet e Nagip Tashit
 

Që në hyrje të Galerisë, ku ekspozohen veprat e tij, sytë dhe vëmendja e atyre që kanë lidhje emocionale me emrat eminentë të artit dhe kulturës drejtohen te portretet e tyre. Ato bartin në vete kompleksitetin krijues të vetë autorit, copëza të karakterit të tyre dhe mbi të gjitha vlerësimin e rrugëtimit të tyre jetësor.

Personazhet eminente të popullit shqiptar e përtej tij rrumbullakohen në 16 portretet e Nagip Tashit. Të punuar me dru, bien në sy shikimi i mprehtë i Bekim Fehmiut, ngrohtësia prej artisteje e Leze Qenës e urtësia që shfaq portreti i Anton Çetës. Pos tyre, Ibrahim Kodra, Adem Mikullovci, Gjergj Kastrioti, Ukshin Hoti janë pjesë e mozaikut të portreteve. Zdrukthëtari Nagip Tashi nuk është ndalur me kaq. Si artist autodidakt ai ka gdhendur edhe portretet e Adem Demaçit, Ibrahim Rugovës, Arbën Xhaferit, Hadi Shehut, Muharrem Kadriut, Llukman Halilit, Abdurrahman Shalës e Ridvan Qazimi – Vajës, ka kaluar kufijtë duke paraqitur edhe presidentin amerikan, Barack Obama. Secila prej 16 veprave të ekspozitës personale “Distanca”, autorit i ka marrë më shumë se një muaj kohë. Duke qenë teknikë delikate, çdo krijim të thellon për mënyrën e përngjasimit të portretit me protagonistin. Ai e mbledh çdo karakteristikë emocionale të personazhit dhe e “rikrijon” në dru.