Kulturë

Kosova dhe Shqipëria edhe me një varg marrëveshjesh në kulturë

Kosova dhe Shqipëria janë marrë vesh për bashkëpunime të reja në kulturë e trashëgimi kulturore. Kalendari i përbashkët kulturor është përtërirë në mbledhjen e dy qeverive të mbajtur të premten në Elbasan. Është një protokoll bashkëpunimi që fillet i ka në shkurt të vitit 2014, kur dy ministritë e kulturës ishin marrë vesh për ngjarje të përbashkëta kulturore. Marrëveshjet në pjesën më të madhe të tyre vazhdimisht kanë ngecur pa u implementuar në praktikë. Sidomos pas bashkëpunimit në vitin e parë.

Por ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, dhe homologia e tij nga Shqipëria, Elva Margariti, janë zotur për bashkëpunime konkrete.

Sipas njoftimit të MKRS-së, pos kalendarit të përbashkët kulturor, Çeku e Margariti kanë nënshkruar Marrëveshje për bashkëpunim midis dy ministrive në fushën e trashëgimisë kulturore dhe muzeve, e cila parasheh zhvillimin dhe mbështetjen e bashkëpunimit kulturor mes dy vendeve në fushën e trashëgimisë kulturore dhe muzeve, shkëmbimin e përvojave dhe realizimin e aktiviteteve të përbashkëta në përputhje me standardet ndërkombëtare. Ndërsa sot (e shtunë) do të nënshkruhet Protokolli i bashkëpunimit midis Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor të Republikës së Shqipërisë dhe Operës, Filharmonisë, Baletit Kombëtar të Kosovës dhe ansamblit “Shota” të Kosovës. Po ashtu do të nënshkruhet Marrëveshja e Bashkëpunimit të Muzeut Kombëtar të Kosovës dhe Muzeut Historik Kombëtar, ajo midis bibliotekës kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, si dhe Marrëveshja e Bashkëpunimit midis parkut arkeologjik “Ulpiana” dhe parkut arkeologjik kombëtar “Apolonia”.

Sa i përket kalendarit të përbashkët kulturor parashihet Konferenca kombëtare e bibliotekonomisë, Konferenca shkencore për shënimin e 40–vjetorit të ndarjes nga jeta të Branko Merxhanit, 400–vjetorit të vdekjes së Pjetër Budit dhe 50-vjetorit të vdekjes së Krist Malokit.

“Në fushën e filmit parashihet pjesëmarrje e përbashkët në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin, në Festivalin e Kanës me shtand të përbashkët të Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe Qendrës Kinematografike Kombëtare, si dhe bashkëpunimi me festivalet e tjera ndërkombëtare të filmit”, shkruhet në komunikatë.

Aty sqarohet se në bashkëpunimin mes teatrove, ansambleve dhe baleteve parashihet realizimi i shfaqjeve “Carmina Burana”, në Tiranë, realizimi i shfaqjes “Monger” në Prishtinë, pastaj shfaqja e përbashkët “Gjerdani i Artë” midis Ansamblit Popullor dhe ansamblit “Shota” në nderim të artisteve Nexhmije Pagarusha dhe Fitnete Rexha.

“Po ashtu parashihen aktivitete në teatrin kombëtar eksperimental “Kujtim Spahivogli”, si dhe në Qendrën Kombëtare të Kulturës për Fëmijë në Tiranë. Baleti Kombëtar i Kosovës gjatë qershorit të vitit të ardhshëm do të paraqitet me shfaqje në Tiranë”, shkruhet në komunikatë.

Sipas këtij kalendari, bashkëpunimi do të vazhdojë edhe në fushën e trashëgimisë kulturore, ku Muzeu Kombëtar do të realizojë dy ekspozita në Muzeun Kombëtar të Kosovës, do të botohet një katalog i përbashkët i dy muzeve “Arkeologjia e Shqipërisë dhe e Kosovës”, si dhe do të realizohet punëtoria “Muzeu i komunitetit – Programet Edukative në Muzeun Historik Kombëtar dhe Muzeun Kombëtar të Kosovës”.

“Qendrat Rajonale të Trashëgimisë Kulturore të Prizrenit, Mitrovicës dhe Gjilanit do të realizojnë ekspozita në Vlorë, Korçë, Berat, Gjirokastër e Korçë. Edhe Muzeu Kombëtar i Kosovës do të ketë 4 aktivitete në Muzeun Kombëtar në Tiranë, me organizimin e ekspozitave dhe programeve edukative”, shkruhet në komunikatë.

Sh.M.