Nt: Një komision prej pesë anëtarësh ka vendosur që projekti “The Monumentality of the Everyday” (Monumentaliteti i përditshmërisë) i Jakup Ferrit, me kuratore gjermanen Inke Arns, të përfaqësojë Kosovën në edicionin e 59-të të Bienales, që do të hapë dyert në fundprill të vitit që vjen, për t’u mbyllur në fundnëntor. Vizatimet, pikturat e tapiceritë e artistit që jeton midis Kosovës dhe Holandës do të “veshin” Pavijonin e Kosovës në ngjarjen më të madhe të artit bashkëkohor në botë
Përditshmëria bashkë me dinamikën që merr kur shpërfaqet në punimet e Jakup Ferrit do të jetë “fytyra” e Kosovës në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecie më 2022. Vizatimet, pikturat e tapiceritë e artistit që jeton midis Kosovës dhe Holandës do të “veshin” Pavijonin e Kosovës në ngjarjen më të madhe të artit bashkëkohor në botë. Do të paraqiten si propozime të gjalla për bashkëjetesë dhe si vepra që ngjallin shpresë.
Një komision prej pesë anëtarësh ka vendosur që projekti “The Monumentality of the Everyday” (Monumentaliteti i përditshmërisë) i Jakup Ferrit, me kuratore gjermanen Inke Arns, të përfaqësojë Kosovën në edicionin e 59-të të Bienales, që do të hapë dyert në fundprill të vitit që vjen, për t’u mbyllur në fundnëntor.
Midis 12 projekteve, komisioni në përbërje të Sezgin Boynik, Flaka Halitit, Vincent Honorés, Alenka Gregoric e Adrian Pacit, është përcaktuar për atë të Ferrit.
Sipas arsyetimit, vendimi i komisionit u bazua në një projekt-propozim të hartuar mirë, i cili përfshin një metodë dhe afat kohor të mirëpërcaktuar të zbatimit. “Prezantimi gjithashtu pati një lidhje të qartë me temën kryesore të edicionit të ardhshëm të Bienales, si dhe një reflektim nga artisti mbi përvetësimin e mediumeve më tradicionale - si vizatimet, pikturat dhe thurjet – dhe integrimin e tyre në një qasje konceptuale të njohur në praktikat e tij të mëparshme”, shkruhet në arsyetim.
Aty sqarohet se anëtarët e komisionit u bindën jo vetëm nga qasja origjinale e artistit ndaj vizatimit, por edhe “nga këmbëngulja e tij kokëfortë për mediumin e zgjedhur dhe një mënyre unike të integrimit të motiveve të tij idiosinkratike - që rrjedhin nga vëzhgimet e mprehta të gjërave që e rrethojnë - në një seri punimesh te reja”. “Motivet e gjetura në këto vepra vijnë nga vizatimet e tij intime që funksionojnë si shënime të marrëdhënieve ndërpersonale - ose thënë më mirë, përmbledhje artistike të marrëdhënieve të perceptuara - mes njerëzve që nga pamja e parë duken të lidhur gjatë gjithë kohës, por megjithatë janë të ndarë nga njëri-tjetri, nga qeniet e tjera dhe nga mjedisi i tyre”, shkruhet në arsyetim. Sqarohet se këto vizatime të thjeshta dydimensionale dhe fragmente tregimesh i tejkalojnë njerëzit, kafshët dhe rrethanat e tyre, duke propozuar kështu një riartikulim të subjektivitetit dhe propozojnë një riinterpretim të këtyre marrëdhënieve të tjetërsuara. “Ne mund t'i interpretojmë këta skenarë hapësinorë unikë si udhëzime për mënyra të reja të mundshme të bashkëjetesës dhe si propozime për një kuptim të ri të ndërvarësisë sonë”, shkruhet midis të tjerash në arsyetim.
Vetë Ferri të premten nuk ka pasur ndonjë koment. Ka thënë se është në udhëtim e sipër, e në ditët në vazhdim do të mund të fliste e shpjegonte më shumë. Kjo deri diku edhe ngjan me sjelljen e Ferrit. I lindur më 1981 në Prishtinë, veprat e Jakup Ferrit kanë shëtitur goxha. Vetë ai pak është parë. E ka zakon të “fshihet” prapa veprave. Me publikun kosovar së fundmi ka komunikuar nëpërmjet një ekspozite personale të hapur vitin e kaluar në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Pa titull e katalog, veprat ishin një lloj shtegtimi nëpër krijimtarinë e Ferrit.
Artisti menjëherë pas luftës së fundit do të regjistrohej në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës. E pas diplomimit prapë do t’u kthehej vizatimeve e pikturave. Një kohë ishte dhënë pas videoinstalacioneve. Do t’ia shihte hairin Bienales së Stambollit për të shkuar në Holandë në vitin 2008. Ishte bërë pjesë e akademisë klasike “Rijksakademie van Beeldende Kunsten” të themeluar më 1870, që mbështet artistët vizualë nëpërmjet një programi dyvjeçar. “Koha Ditore” vitin e kaluar kishte raportuar se veprat e Jakup Ferrit janë plot jetë. Brenda një punimi zhvillohen aktivitete të ndryshme. Dikush është në pishinë, tjetri shet akullore, një tjetër person luan me kafshë e dikush tjetër dëgjon muzikë, duke mos i interesuar fare se çfarë po ndodh. Mund të krahasohen edhe me jetën dinamike e zallamahinë e popujve ballkanikë, ku në pak metra katrorë zhvillohen shumë aktivitete. Vizatimet, tapiceritë, pikturat e gjithçka tjetër që është ekspozuar në Galerinë Kombëtare të Kosovës rrumbullakojnë krijimtarinë e Ferrit. Qëllimshëm u kishte ikur kuratorëve, kritikëve të artit, katalogëve konvencionalë e gjithçkaje promovuese. Është prej atyre artistëve që punon deri në gjashtë muaj në një vepër, por nuk flet as gjashtë sekonda për të.
“Më kanë lodhur ekspozitat profesionale. Nganjëherë njeriu merr kurator vetëm nëse ka një interes nga ai. Njerëzit duhet të fokusohen në punë e jo në pallavra si ‘artist i njohur’ e gjëra të tjera”, kishte thënë Ferri. CV-të e tij nuk mbajnë as gjysmën e informatave se ku ka ekspozuar, megjithëse veprat e Ferrit kanë shëtitur në shumë vende.
“Bëjnë alamet CV-ja: Bukuresht, Romë... i tranojnë njerëzit me CV. E bën një video edhe të shkon në krejt botën. Çka u bë? Puno dhe përfundoi. S’ke çka më shumë, veç puno”, kishte thënë ai. Në këtë rast shkonte edhe më tej, me arsyetimin se përse nuk ka dëshirë të flasë për veprat e tij. “Piramidat në Egjipt i kanë punuar mijëra apo miliona njerëz. Kush i ka bërë? S’ka emra”, kishte thënë ai. Shtonte se një qilim i moçëm i Ganës apo Etiopisë e zbërthen estetikën e artit modern evropian. Me këtë donte të tregonte se pak ka rëndësi emri, por veprat.
Veprat që do të paraqiten në edicionin e ardhshëm të Bienales së Artit, do të prezantohen nën temën qendrore “The milk of dreams” (Qumështi i ëndrrave), të cilën e ka caktuar kuratorja Cecilia Alemani. “Kjo ekspozitë është e bazuar në shumë biseda me artistë që janë zhvilluar gjatë muajve të fundit. Pyetjet që vazhduan të ngriheshin duket se kapin këtë moment të historisë, kur vetë mbijetesa e specieve kërcënohet, por edhe përmbledhin dyshimet që përshkojnë shkencat, artet dhe mitet e kohës sonë”, kishte thënë kuratorja kur bëri të ditur temën në prill të këtij viti.
E Jakup Ferri, sipas komisionit që e përzgjodhi projektin e tij, nëpërmjet krijimit kolektiv të veprave, transferon tema dhe çështje bashkëkohore, siç është tjetërsimi në rritje i njerëzve, në histori lumturie dhe optimizmi. “Zhytja në punën e tij është një proces i ngadaltë që kërkon durim dhe një grimcë të imagjinatës sonë. Duke shfaqur disa propozime të gjalla për bashkëjetesë dhe skenarë të mundshëm për të ardhmen tonë, këto vepra ngjallin edhe shpresë”, ka shkruar komisioni për projektin që do të zërë vend në qytetin italian të rreth 400 urave e 120 ishujve.
Sa i përket përfaqësimit të Kosovës në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecie, gjithçka kishte filluar më 2013. Asokohe Petrit Halilaj kishte paraqitur instalacionin “Jam i untë me të pasë ngat. Po du me i gjetë fjalët që më ngopin, por në fund s’mbetet tjetër pos nji qark i mbyllun. Ironia asht që ti nuk je këtu, asni gja nuk asht këtu”. Më 2015, përfaqësuese e Kosovës ishte artistja Flaka Haliti me veprën “Speculating in the blue” (Spekulim në të kaltër). Më 2017 ishte Sislej Xhafa me veprën “Lost and Found”, një thirrje e fuqishme për fatin e të zhdukurve gjatë luftës. Me histori lufte, Kosova ishte përfaqësuar edhe më 2019 nga Alban Muja me “Family Album” (Albumi familjar). E për shkak të pandemisë, Bienalja e Arkitektura e planifikuar të mbahej në vitin 2020, ishte shtyrë për sivjet. Kësisoj, e artit do të mbahet në vitin që vjen. E Jakup Ferri, temës së përcaktuar nga Bienalja do t’i përgjigjet me “Monumentalitetin i përditshmërisë”, që mund të shihet si propozim për të ardhmen dhe si shpresë.