Kulturë

“Run for Sharr” midis bukurive e alarmit për mbrojtjen e natyrës

Barishtet e vogla, thepat e shumtë, drunjtë, të cilët ia shtojnë natyrës një vrazhdësi të ngrohtë, burimet ujore plot freski bashkë me faunën mund të shihen në Bjeshkët e Sharrit. Jo rrallë krahasohen me Alpet zvicerane. Pikërisht bukuria e tyre ka arritur të jetë cak ku kanë filluar të lindin ëndrrat. Kështu i ka ngjarë Uta Ibrahimit.

Për alpinisten, e cila deri më tani ka arritur të ngjitet në mbi 11 maja të bjeshkëve anembanë botës, përfshirë Everestin, Uta Ibrahimi, Malet e Sharrit mbesin dashuria e parë e saj. Ekspeditën e parë drejt këtyre bukurive malore, që gjenden në pjesën juglindore të Kosovës, ajo e kishte nisur vite më parë. Këtu kishte filluar historia sfiduese dhe e suksesshme e saj.

Këto bukuri të cilat janë magjepsëse tanimë nuk janë në gjendjen ideale të kujdesit ndaj tyre. Mbeturinat të cilat hidhen, ndërtimi i hidrocentraleve pa planifikim, gjuetia ilegale, prerja e drurëve po i transformon ato, duke vazhduar lufta e shkatërrimit të natyrës nga vetë vullneti njerëzor.

Përvojën dhjetëvjeçare të njohjes së Sharrit dhe thirrjen për vetëdijesim social e kujdes institucional, Ibrahimi e ka bashkuar në një dokumentar dhjetë minutash, të quajtur “Run for Sharr”, bashkë me kolegët e saj alpinistë. Premiera e mbajtur mbrëmjen e së martës në “Kino Armatë” i dha zë thirrjes së dashamirëve të maleve për alarmin e fundit: ndryshimin në qasje. Ndërkaq organizimi nisi me një minutë heshtje në kujtim të 45 viktimave të cilët vdiqën në aksidentin në Bullgari.

Dokumentari, i cili u ndoq me shumë kërshëri nga publiku, shpalosi ekspeditën katërditore të alpinistëve, të cilët nëpërmjet xhirimeve prej dhjetë orëve shpërfaqën çdo proces të ditëve të gërshetuara me pamje nga madhështia e Sharrit. Fjetja në tenda, ushtrimet e mëngjesit, ecja dhe vrapi e deri te ngjitja në majën kryesore ishin pjesë e aventurës me gjelbërimet e bukuritë të natyrës.

“Sharri është dashuri më e pastër se burimi i Bistricës e më e thellë se të gjitha liqenet. Ai ka zogj me na këndu, lumenj me na fresku, pyje të bukura me na bë hije e pamje madhështore me na magjeps, por ai nuk ka gojë me folë, zani i tij duhet të jemi vetë na”, thuhet në dokumentarin i cili promovoi malet, që janë të dytat në Evropë për nga potenciali ujor.

“Run for Sharr” si bashkëprodhim i fondacionit “Utalaya” dhe “WWF Adria”, për Uta Ibrahimin është thirrje për inspirim që në një të ardhme të flitet për mbjelljen e drunjve e jo për prerjen e tyre.

“Jam ndier tepër mirë, më është dukur që e ngjita edhe një herë Everestin. Malet më të bukura në botë për mua janë ato të Sharrit, kaloj shumë kohë atje dhe e shoh se si shkatërrohen e degradohen”, ka thënë ajo.

Sipas saj, ato nuk mund të përmirësohen për shkak të ndërhyrjeve nga dora e njeriut, por që mund të mbesin ashtu siç janë, pa u dëmtuar edhe më shumë.

“Sharri është mali më i dashur për mua, më kanë tjetërsuar, më kanë bërë njeri më të mirë, më të lumtur e më të ndjeshëm. Malet ruhen e duhen atëherë kur nuk priten, nuk ndërtohen e asfaltohen në to”, thonë ngjitëset e majave si Manasulu, Cho-Oyu, Lhotse e Gasherburum.

“I rrallë është edhe rrëqebulli i Dukagjinit, por gjuetia ilegale po i jep fund, ndërtimi i termocentraleve pa kurrfarë planifikimi, prerja e drurëve, bërlloku që ta nxë frymën, gjuetia ilegale duhet të ndalet”, konkludoi ajo, teksa shtoi se në 5 vjetët e fundit janë prerë 20 mijë metra kub dru nga pyjet.

“Kjo ka qenë premiera e këtij dokumentari, besoj që vitin e ardhshëm do të vazhdojmë me shfaqjen e saj nëpër shkolla, festivale ku edhe do të bëjmë diskutime, përmes së cilave do të tentojmë të ngremë vetëdije dhe të ndikojmë në ruajtjen e ambientit”, përfundoi Ibrahimi.

Për zëvendësministren e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Linda Çavdarbasha, Ibrahimi është “ambasadore e vlerave të natyrës”.

“Me ketë dokumentar e ke shpërfaqur gjendjen reale se si është në zonat tona, anën pozitive si promovim të vlerave të natyrës e diversitetit dhe potencialin e madh që e kemi për zhvillim të turizmit, në anën tjetër i ke shfaqur edhe anët negative, që është degradimi, i cili shkaktohet kryesisht nga njerëzit”, ka thënë ajo.

Më pas zëvendësministrja akuzoi qeveritë e kaluara që nuk kanë udhëhequr mirë me pjesën e ruajtjes së tyre “për shkak të mungesës së kapaciteteve njerëzore dhe dokumenteve e planeve strategjike”. Por që, sipas saj, prioritet i pushtetit aktual është ambienti.

“Ministria ka prioritet mjedisin, jemi munduar për përpilimin e planit hapësinor të Bjeshkëve të Nemuna, po ashtu për përditësimin e të dhënave për Malet e Sharrit dhe planeve menaxhuese për të dyja”, ka thënë ajo.

Sipas saj, rëndësi të madhe ka shfaqja e dokumentarit në shkolla, televizione për t’u kuptuar rëndësia e mbrojtjes së mjedisit.

Lorik Pustina, udhëheqësi i Zyrës për Zhvillim e OKB-së në Kosovë, kujtoi ekspeditën e parë me Ibrahimin.

“Hera e parë kur jemi njoftuar me Utën ka qenë ngjitja e majës së Koretnikut dhe atëherë ka qenë pikërisht koha kur ajo filloi t’i dojë malet. Tashmë ajo e di çdo dru e çdo kthesë të Maleve të Sharrit”, ka thënë ai. Dokumentari “Run for Sharr” u duartrokit gjatë, si pasqyrues i maleve që posedojnë pasuri të madhe sa i përket llojllojshmërisë së florës dhe faunës në Evropë.