Dy posterë nga Kosova në Kryeqytetin Kulturor të Evropës

Dy posterë nga Kosova në Kryeqytetin Kulturor të Evropës

06 July 2017 12:02

Prishtinë, 6 korrik - Një poster që sipas autorit paraqet udhëtimin e shqiptarëve për në Evropë, dhe një tjetër i punuar në kohën kur Kosova kishte nisur të industrializohet, qëndrojnë përkrah posterëve të vendeve të tjera të Kontinentit të Vjetër. Janë vepra të artistit Shyqri Nimani.

E para është realizuar në vitin 1969 dhe i takon zhanrit të posterit agitativ për ndërmarrjen ‘Printeks’ të Prizrenit. E posteri tjetër është punuar më 2015 dhe i takon zhanrit të posterit teatral me titull “Shqiptarët shkojnë në Evropë”. Mbi gomar është ngarkuar gjithçka, madje edhe përkrenarja e Skënderbeut. E megjithëse ngarkesa ka marrë anë dhe gjësendet rrezikojnë të shemben, shqiptari ashtu ia mësyn Evropës.

Këta posterë do të ekspozohen gjatë vitit në qytetin Aarhus të Danimarkës, i cili është përzgjedhur Kryeqytet Kulturor i Evropës për vitin 2017 së bashku me qytetin Paphos të Qipros. Njëra prej ngjarjeve kryesore të këtij viti në këtë qytet është pikërisht ekspozita ku zënë vend edhe dy veprat e Nimanit, e hapur para dy javësh në Muzeun e Posterit Danez.
Posterët nga 56 vende evropiane ilustrojnë historinë e ndërlikuar të Evropës.

“Vepra është krijuar manualisht dhe me ndihmën e disa veglave teknike”, ka thënë Nimani për posterin e viti 1969 ku paraqitet një dash i mbuluar me material tekstili.

Muzeu Danez i Posterit i dedikohet historisë së artit të posterëve. Koleksioni i tij përfshin rreth 400 mijë posterë me një fondacion të gjerë, që mbulon të gjitha llojet e posterëve. Sallat e ekspozitave shfaqin koleksionin e posterëve klasik danezë nga shekulli XIX dhe XX, me 6 deri në 8 ekspozita vjetore të fokusuara në tema të veçanta, si “Lufta e Dytë Botërore”, “Lufta e Ftohtë” dhe “Lëvizja hipike”. Muzeu Danez i Posterit është pjesë e një kompleksi të madh muzeal nën qiell të hapur, të quajtur “Den Gamle By” (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme