Prishtinë, 6 korrik - Kështjella mesjetare Tsarevets, në kodrën me të njëjtin emër, është vend që duhet vizituar nëse planifikohet një udhëtim historik nëpër Bullgari. Ndodhet në Veliko Tarnovo, një qytet në veri të Bullgarisë, që kishte shërbyer si kryeqytet i Perandorisë së Dytë Bullgare ndërmjet viteve 1185 e 1396 dhe shtëpi e carëve bullgarë të asaj periudhe.
Në tre vjetët e fundit, Tsaravets është shfrytëzuar edhe si skenë për festivalin veror të operës, me titull “Stage of the Ages”. Pikërisht në këtë skenë do të jehojë edhe zëri i një sopranoje nga Kosova, shkruan sot Koha Ditore.
Besa Llugiqi do ta veshë edhe një herë petkun e Lucia di Lammermorit, roli kryesor i operës së famshme të Gaetano Donnizetit. Në mbrëmjen e 14 të këtij muaji, ajo do të rikthehet para audiencës bullgare me rolin që për të parën herë e interpretoi në “Stara Zagora Opera” në dhjetor të vitit 2015. Interpretimi në kështjellën Tsarevets është vazhdimësi e paraqitjeve të sopranos kosovare para audiencës bullgare. Më 1 korrik ajo interpretoi në Sofje, si pjesë e operës “La Boheme” të Puçinit.
Llugiqi është mjaft entuziaste që do t’i rikthehet rolit të Lucias, të cilin e konsideron goxha sfidues (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).
Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.