Kulturë

“Ru” dhe “Shkrepëtima” të Runikut në Muzeun gati dyshekullor në Holandë

Ekspozita “Shumë vullkanik mbi këtë pupël të blertë”, që do të jetë e hapur deri me 16 janar në “Tate St. Ives”, u pasqyrua nga mediat më prestigjioze të globit. Por Halilaj nuk ka kohë për pushim. Në prill do të prezantohet në vendin e tulipanëve. Kësaj radhe do t’ia bëjë sefte me ekspozitë personale në Holandë. Prej 16 prillit të vitit që vjen deri më 5 mars, dy projekte të tij do të jenë të ekspozuara në Muzeun e Friesit në Leeuwarden të Holandës. Bëhet fjalë për galerinë që numëron 190 vjet traditë

Petrit Halilaj ia bëri sivjet sefte me ekspozitë personale në Britani të Madhe. Historia e tij me luftën në Kosovë e përjetimet e një fëmije refugjat që nëpërmjet ngjyrave nxori traumën e përjetuar në letër, bënë bujë gjithandej botës. Ekspozita “Shumë vullkanik mbi këtë pupël të blertë”, që do të jetë e hapur deri më 16 janar në “Tate St. Ives”, u pasqyrua nga mediat më prestigjioze të globit.

Por Halilaj nuk ka kohë për pushim. Në prill do të prezantohet në vendin e tulipanëve. Kësaj radhe do t’ia bëjë sefte me ekspozitë personale në Holandë. Prej 16 prillit të vitit që vjen deri më 5 mars, dy projekte të tij do të jenë të ekspozuara në Muzeun e Friesit në Leeuwarden të Holandës. Bëhet fjalë për galerinë që numëron 190 vjet traditë.

Ky institucion ka bërë të ditur se Halilaj do të prezantohet në instalacione, vizatime dhe video. Muzeu i Friesit ka treguar se artisti nga Kosova shpesh përdor biografinë e tij si pikënisje për të gjurmuar identitetin kulturor, kombësinë dhe trashëgiminë. “Veprat e tij përfshijnë rregullisht zogj dhe kafshë të tjera si metafora për transformimin. Për shembull, kostumet e molës dhe skulpturat e ngjashme me zogjtë, janë shfaqur shpesh në instalacionet e tij në shkallë të gjerë”, shkruhet në paraqitjen që i bën Muzeu në ueb-sajt. “Ru” (2017) dhe “Shkrepëtima” (2018) janë projektet me të cilat Halilaj do të prezantohet në Holandë. Muzeu i Friesit i ka përshkruar si projekte monumentale e ndër të më njohurat. “Në Muzeun e Friesit, Halilaj gërsheton realitetin dhe imagjinatën në instalacione që hedhin dritë mbi rolin e artit dhe trashëgimisë kulturore brenda një komuniteti”, shkruhet në njoftim.

Aty tregohet se veprat e Halilajt janë të lidhura ngushtë me historinë e re të Kosovës dhe me tensionet politike dhe kulturore në rajon. Sqarohet se veprat e tij burojnë nga përvoja intime, personale, por në të njëjtën kohë prekin aspekte më të gjera sociale, duke reflektuar mbi lirinë dhe identitetin, mbi vlerësimin e historive private dhe publike dhe njohjen e komuniteteve të margjinalizuara. “Projekti i tij i fundit rishikon 38 vizatime të fëmijërisë që ai i bëri në kampin e refugjatëve në Kukës (Shqipëri) gjatë luftës së Kosovës (1998–1999), kur ai ishte trembëdhjetë vjeç. Ekspozita është aktualisht e hapur në ‘Tate St. Ives’”, ka shkruar Muzeu i Friesit. I janë referuar ekspozitës në Britani të Madhe ku Halilaj shpalosi rrëfimin e tij për luftën. Ekspozoi punime të vitit 1999, kur si fëmijë po trajtohej nga psikologët italianë në kampin e refugjatëve në Kukës, pasi ushtria serbe i kishte përzënë nga Kosova edhe familjen e tij bashkë me rreth një milion banorë. Tanket që djegin shtëpinë e familjes janë prej imazheve në këtë ekspozitë.

Halilaj që vjen nga Runiku i Skenderajt, prapë me copëza të vendlindjes do të prezantohet para audiencave nga mbarë bota. Në Holandë do të shkojë me “Ru”, që përthekon histori të fshatit të tij e po ashtu me projektin “Shkrepëtima”, nëpërmjet të cilit e kishte ringjallur për një ditë ish-Shtëpinë e Kulturës në Runik.

“’Shkrepëtima’ e Runikut fluturon në Holandë”, ka thënë Halilaj. Ka kujtuar se njëra vepër është ekspozuar në New York e tjetra në Itali, por asnjëherë së bashku. “Është hera e parë që do të jenë të dyja dhe pikënisja e të dyjave është Runiku”, ka thënë ai. Ka thënë se vazhdon të mendojë se Runiku mund të ketë një qendër kulturore madhështore dhe një muze që paraqet kohë të ndryshme prej Neolitit, periudhën e para luftës e deri në ditët e sotme”, ka thënë ai, duke shtuar aty mund të paraqiten kultura të ndryshme të nacionaliteteve të ndryshme. Sipas tij, do të mund të paraqitej diçka në një vend të vogël por futuristike në shkallë të gjerë. “Besoj se na duhet të rindërtojmë identitetin...”, ka thënë Halilaj.

Ka treguar se përtej kësaj ekspozite do të jetë prezent edhe në disa ngjarje të tjera arti. Në korrik të vitit 2018, Halilaj me “Shkrepëtimën” nëpërmjet skulpturave lëvizëse ngjallte narracionin e së kaluarës në rrënojat e objektit të braktisur. Ato ringjallnin trashëgiminë shpirtërore dhe arkitektonike të një fshati kosovar. Asokohe “Shkrepëtima” erdhi si eksplorim i një kujtese kolektive mbi objektin i cili mbi 30 vjet do të shërbente si simbol i identitetit të fshatit që gjendet 64 kilometra larg kryeqytetit. Shtëpia e Kulturës dikur do t’i shërbente komunitetit si bibliotekë, teatër, kinema dhe kooperativë bujqësore. Në këtë formë, Halilaj bashkë me 30 aktorë bënë që Runiku të shndërrohej për pak orë në qendër të artit bashkëkohor, krahas faktit dhe rëndësisë arkeologjike që ka ky vend.

Runiku është edhe vendi ku më 1968 u gjend instrumenti muzikor Okarina. Eksponati i kohës së Neolitit është dëshmi e civilizimit parahistorik të këtyre anëve. E Okarina prej luftës së vitit 1999 mbahet në Serbi. Është ende “refugjate” për dallim prej Halilajt, që mund të kthehet në Kosovë edhe pasi e ndoqën forcat serbe. Okarina bashkë me mbi 1200 eksponate të tjera mbahet peng në Beograd.