Kulturë

Greqia me notë proteste ndaj Shqipërisë, ekspozitën për çamët e quan provokim

Ambasada greke në Tiranë ka dërguar një notë proteste në adresë të Presidencës së Shqipërisë dhe menjëherë ka kërkuar shpjegim lidhur me këtë ekspozitë. Bëhet me dije se Ambasada greke ka kërkuar shpjegime për vetë faktin se këto fotografi të cilat janë ekspozuar në gardhin e jashtëm të Presidencës shqiptare, shoqërohen me akuza ndaj Greqisë për “gjenocidin e çamëve”, si dhe me harta që tregojnë pjesën më të madhe të Greqisë si “trojet e pushtuara shqiptare”

Greqia ka lëshuar një notë të protestës diplomatike drejtuar Presidencës së Republikës së Shqipërisë për një ekspozitë, sipas saj provokuese, ku prezantoheshin foto dhe harta me temën, siç e cilëson, të ashtuquajturit “gjenocidi i Çamërisë”, por edhe të “pushtimit të territoreve shqiptare nga Greqia”.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka qenë i ftuar më 15 nëntor për të vizituar ekspozitën “Vështrim historik etnokulturor i Pellzagjisë-Epiri-Thesproti-Çamëri”. Ekspozita përmbante fotografi dhe harta të vjetra, mijëravjeçare, të gjetura në enciklopeditë dhe muzetë e vendeve të ndryshme të botës. Kjo ekspozitë ishte organizuar nga Akademia “Rrënjët Tona” dhe shoqëria civile.

Ambasada greke në Tiranë ka dërguar një notë proteste dhe menjëherë ka kërkuar shpjegim nga Zyra e presidentit shqiptar, Ilir Meta, lidhur me këtë ekspozitë. Bëhet me dije se Ambasada greke ka kërkuar shpjegime për vetë faktin se këto fotografi të cilat janë ekspozuar në gardhin e jashtëm të Presidencës shqiptare, shoqërohen me akuza ndaj Greqisë për “gjenocidin e çamëve”, si dhe me harta që tregojnë pjesën më të madhe të Greqisë si “trojet e pushtuara shqiptare”. Në të njëjtën notë theksohet se vetë presidenti shqiptar është shoqëruar nga organizatorët e ekspozitës në fjalë. Edhe mediat greke, konkretisht, “Protothema”, duke cituar sipas saj burime diplomatike, raporton se Ambasada e Greqisë në Tiranë ka reaguar fort dhe ka kërkuar menjëherë shpjegime nga Zyra e presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, lidhur me ngjarjen në fjalë.

“Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka bërë një xhiro në ekspozitën me të cilat janë postuar në gardhin e jashtëm të pallatit presidencial shqiptar, foto, të cilat sipas mediave greke, shoqërohen me akuza ndaj Greqisë për ‘gjenocidin e Tsamis’, si dhe me harta që tregojnë pjesën më të madhe të Greqisë si ‘territore shqiptare të pushtuara’”, shkruan gazeta greke “Protothema”.

Presidenca ka reaguar pas akuzave në mediat greke se presidenti Ilir Meta po provokon me ekspozitën ku tregohej gjenocidi grek në Shqipëri. Presidenca thekson se çdo shtet serioz, duhet ta ketë të qartë, se presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta, nuk jep llogari për vendimet dhe qëndrimet e tij para asnjë ambasade të akredituar në Tiranë, por vetëm para Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe popullit shqiptar. Sipas zëdhënësit të presidentit, Tedi Blushi, çdo përfaqësi e huaj në Tiranë, e çdo shteti që aderon në Konventën e Vjenës, për çdo pretendim apo sqarim lidhur me aktivitetin apo qëndrimet e presidentit të Republikës, duhet të ndjekë vetëm rrugën zyrtare, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme.

“Lidhur me reagimet në mediat e një vendi fqinj për ekspozimin në ambientet e jashtme të Institucionit të Presidentit të Republikës të një ekspozite të organizuar nga akademia ‘Rrënjët Tona’ dhe shoqëria civile, zëdhënësi i Presidentit të Republikës z.Tedi Blushi sqaron se: Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta ka qenë i ftuar në datën 15 nëntor 2021, për të vizituar këtë ekspozitë, të organizuar nga shoqëria civile, me fotografi dhe harta të vjetra, mijëravjeçare, të gjetura në Enciklopeditë dhe Muzetë e vendeve të ndryshme të botës, si Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës, Italisë, Turqisë dhe Greqisë”, ka shkruar Blushi në reagim. Sipas tij, presidenti Meta e pranoi ftesën për të parë nga afër këtë ekspozitë, të organizuar jashtë ambienteve të Institucionit, pa marrë përsipër të vërtetojë saktësinë apo të bëjë interpretimin e materialeve të ekspozuara.

“Çdo shtet serioz, duhet ta ketë të qartë, se presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z Ilir Meta, nuk jep llogari për vendimet dhe qëndrimet e tij para asnjë ambasade të akredituar në Tiranë, por vetëm para Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe popullit shqiptar. Çdo përfaqësi e huaj në Tiranë, e çdo shteti që aderon në Konventën e Vjenës, për çdo pretendim apo sqarim lidhur me aktivitetin apo qëndrimet e presidentit të Republikës, duhet të ndjekë vetëm rrugën zyrtare, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme. Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z Ilir Meta, siç dihet botërisht, ka qenë, është dhe do të mbetet një kundërshtar i vendosur i ndryshimit të kufijve në Ballkan”, thuhet në reagimin e zëdhënësit të presidentit të Shqipërisë.