Kulturë

“DAM” me programin qendror i jep kuptim dëshirës për ekzistencë

Secili edicion që kanë lënë pas ka pasur vulën e tij, e këtë vit “DAM” sipas organizatorëve do të karakterizohet më shumë me rigjetjen, riformësimin dhe dëshirën për të ekzistuar për shkak të situatës së pazakontë pandemike. E në aspektin profesional festivali është fokusuar në interpretimin dhe promovimin e literaturës së Ballkanit

Forma të ndryshme kishin zgjedhur për ta paralajmëruar edicionin e sivjetmë. Aktivitetet qenë shpërndarë gjatë tërë vitit. Festivali ndërkombëtar i muzikës “DAM” është gati edhe për programin qendror të edicionit të 16-të. Rruga nuk ka qenë aspak e lehtë për shkak të pandemisë, që në një formë ua përcaktoi edhe datat e sivjetme, prej 11 deri më 26 nëntor. Lidhja e Kosovës me botën përmes muzikës është arsye që për më shumë se një dekadë e gjysmë i ka bërë organizatorët të vazhdojnë ngjitjen, që i ka dërguar drejt afirmimit si festival me nam.

Rreze Kryeziu, drejtoreshë e përgjithshme e festivalit “DAM”, ka thënë se koncertet e parapara kanë në fokus artistët nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Përderisa Dardan Selimaj, themelues e drejtor artistik i festivalit “DAM”, ka thënë se ky edicion do të karakterizohet më shumë me rigjetjen, riformësimin dhe dëshirën për të ekzistuar.

“Meqë në dy vjetët e fundit festivali, por edhe skena kulturore janë ballafaquar me situata të paparashikueshme dhe zor të kontrollueshme, sidomos në rrethanat tona”, ka thënë ai. Ishte Selimaj ai që ka treguar se në aspektin profesional edicioni veçohet për fokusin në interpretimin dhe promovimin e literaturës së Ballkanit.

Në pjesën tjetër të bisedës për KOHËN ka treguar për rrugëtimin e vështirë që nga themelimi e deri më tash. Madje ka theksuar se pavarësisht faktit se festivali ka lëvizur para në aspektin programor, “DAM”-i këtë edicion rikthehet në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, që sipas Selimajt duket më e vjetruar dhe jo e mirëmbajtur.

“Në vitin 2006 në Sallën e Kuqe nuk pikonte tavani, nuk depërtonin aromat me shije të ndryshme nga lokalet aty rrotull e gjëra si këto, po megjithatë është ekipi i Pallati të Rinisë që na rri gati e na përkrah, por të cilët punojnë në kushte jo të favorshme po aq sa edhe skena kulturore”, ka thënë ai duke shtuar se në fillim të festivalit nuk kishte menduar se pas kaq shumë vjetësh do të përballeshin me një gjendje të tillë.

Me gjithë kushtet, Kryeziu thotë se sheh gjëra më të ndritshme e për të cilat “DAM” është krenar.

“Krijimi i platformave e programeve të reja, sidomos ai i Garës së Kompozitorëve të Ballkanit, ka hapur horizonte të reja bashkëpunimi. Mundësia që ofron organizimi i festivalit dhe lidhjet me botën janë shtysë kryesore për të vazhduar tutje”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër, Selimaj shton se beson se tashmë institucionet e kanë kuptuar rëndësinë e festivaleve, gjersa ka potencuar se gradualisht shpresojnë ta zbatojnë atë edhe me mënyrën se si subvencionohen ato.

“Ka lëvizje që mund të sjellin ndryshime pozitive, mirëpo mbetet të shihet – viti i ardhshëm do të jetë një tregues i mirë për të parë në rast se qasja ndaj kulturës do të ketë lëvizje pozitive”, ka thënë ai.

I gjithë programi qendror i këtij edicioni do të mbahet në Sallën e Kuqe dhe koncertet janë të shpërndara në dy javë.

Në pjesën e parë do të prezantohen dy orkestra: “New Born Chamber Orchestra” me solisten Zana Abazi – Ramadani dhe dirigjentin Edon Ramadani, si dhe orkestra “Gryphon”, e cila është themeluar së voni nga dirigjentët Angel Spiroski dhe Agona Çupi dhe është e vetmja orkestër në Maqedoni të Veriut që ka instrumentistë të të gjitha nacionaliteteve që jetojnë në shtetin fqinj.

Pastaj në kuadër të “DAM”-it vjen edhe recitali i flautistes së re Zanë Abazi me pianistin Melos Buza. “Duke dëshmuar kështu promovimin e muzikantëve të rinj – mision i cili i vuri themelet e këtij festivali”, ka thënë Kryeziu.

pjesën e dytë të këtij edicioni përmes koncertit të sopranos Kaltrina Miftari, kontratenorit Safet Berisha dhe pianistes Lirika Pula - Kasapolli, “DAM”-i do të sjellë frymën e renesancës dhe barokut për të vazhduar me koncertin e dyshes pianistike Kristijan Karovski dhe Mimi Ducheva nga Shkupi e për ta përmbyllur me recitalin e dy artisteve të mirënjohura: sopranos Adelina Paloja dhe pianistes Lule Elezi – koncert i cili përveç mbylljes shënon edhe Ditën për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe Vajzave dhe u dedikohet të gjitha viktimave të dhunës në familje dhe organizohet në bashkëpunim me “UN Women”.

Kurse në formatin online do të transmetohen koncerti recital i kitaristes Tringa Sadiku dhe koncerti i dyshes Fedor Rudin dhe Boris Kusnezow.

Kujtojmë se ky edicion ishte shpërndarë në disa muaj. Ndonëse pjesa qendrore e koncerteve nis sonte, festivali edicionin e 16-të e nisi në gusht me “Zë DAM” – platformë kjo për këngëtarë lirikë. Vazhdoi në shtator me Garën e 2-të të Kompozitorëve të Ballkanit në formatin hibrid. Po ashtu u mbajtën edhe dy koncerte të tjera: ai e violinistit Fedor Rudin e pianistit Boris Kusnezow më 14 tetor dhe koncerti i ansamblit “New Born”, i cili u mbajt më 29 gusht në Ferizaj – një ditë para se masat kundër COVID-19 e pamundësuan edhe një herë mbajtjen e festivalit në datat që kishim parashikuar prej 31 gushtit deri më 5 shtator.

Kësisoj “DAM”-i nis aktivitetet me të cilat konkretizon shënimin e edicionit të 16-të duke synuar promovimin e literaturës së Ballkanit, me shpresë së pandemia nuk do t’u ndërhyjë edhe kësaj radhe.