Kulturë

Lamtumira për Burbuqe Berishën me kujtimet për të si artiste shembull

Miq, bashkëpunëtorë, kolegë e përfaqësues institucionesh, të enjten në Teatrin Kombëtar të Kosovës kanë bërë homazhe në nderim të Burbuqe Berishës (Foto: Driton Paçarada)
 

Me homazhe e nderime i është dhënë lamtumira e fundit regjisores Burbuqe Berisha. Krijimtaria e saj është vlerësuar lart edhe nga krerët e institucioneve në vend, por edhe nga kolegët e miqtë e saj. Berisha, që në komunitetin artistik njihej si Buqja, është konsideruar si shembull i përkushtimit, aktiviste e person që bashkoi komunitetin artistik

Të pandashme e kishte dashurinë për teatrin dhe filmin. Në të dyja këto fusha, projektet që mbanin vulën e saj, dallonin. Kishin dy vizione të ndryshme. Si pikë të përbashkët kishin veç pasionin që tregonte ndaj tyre regjisorja Burbuqe Berisha. Si në skenën e teatrit, ashtu edhe në shesh-xhirim, çdoherë ishte e qetë. Durimi do ta shquante edhe në raport me studentët. Me butësi e çdoherë duke buzëqeshur do t’ua mësonte sfidat e fshehtësitë e zanatit të saj. Rrugë do t’u hapte veçanërisht regjisoreve, si prijëse e gruas në film. Këto ishin veç disa nga veçoritë e 51-vjeçares që ndërroi jetë të mërkurën. Një ditë më pas iu dha lamtumira e fundit mes lotëve që shfaqnin dhimbje, por edhe krenari për krijimtarinë që la pas.

Regjisorja Berisha u lind në Shkup, ndërsa shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në Prishtinë. Studimet për regji filmi dhe teatri i kreu në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës. Fjalët e fundit, shumë prej miqve të saj, ia shkruan në librin e zisë që u vendos në hyrje të Teatrit Kombëtar të Kosovë, ku u bënë homazhet para se të varrosej në varrezat e qytetit, në Prishtinë.